'Kathimerini': Tirana në presion për kufirin detar me Greqinë

Shqipëria po zhvillon një aktivitet intensiv lidhur me çështjen e kufijve detarë me Greqinë, nën presionin e afateve për ndërtimin e gazsjellësit Transadriatik (TAP), një nga projektet në garë për transportimin e gazit azer. Kështu thuhet në një raport të botuar sot në gazetën greke “Kathimerini”.
TAP konsiderohet një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi do ta vendosë vendin tonë në hartën e energjisë, do të rrisë rolin e Shqipërisë në Ballkan dhe do të shtojë investimet.
Raporti i “Kathimerini” këmbëngul edhe një herë se parakusht i nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e TAP, siç ka deklaruar Athina, është përfundimi i marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë detarë, marrëveshje e nënshkruar në prill 2009, të cilën Gjykata Kushtetuese e anuloi, pas kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Gazeta, i referohet një raporti konfidencial që ka “rrjedhur” nga Ministria e Jashtme shqiptare, ku vihen në dukje kompromiset me palën greke, por listohen edhe skenaret negativë e të rrezikshëm, me të cilat mund të përballet Tirana zyrtare.
Kështu siç thuhet në këtë raport, pala greke nuk është e gatshme të rinegociojë marrëveshjen, pasi e konsideron atë të mbyllur. Në këto kushte, Tirana zyrtare vlerëson se Athina do ta shtyjë palën shqiptare për ratifikimin e marrëveshjes, pikërisht atëherë asaj kur t’i duhet mbështetje ndërkombëtare, por në raport nuk regjistrohet si mundësi, bllokimi nga Greqia i negociatave për marrjen nga Shqipëria të statusit “vend-kandidat për në BE”.
Burime të Ministrisë së Jashtme shqiptare thonë se nëse Greqia do të mohojë çdo rinegocim të marrëveshjes, Tirana mund ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, ose të kërkojë arbitrim ndërkombëtar. Në lidhje me këtë mundësi, vërehet se pozita e Shqipërisë do të jetë e pafavorshme, sepse marrëveshja është arritur mbi bazën e vullnetit të mirë dypalësh dhe organizmat ndërkombëtare me legjislacionin e tyre të brendshëm, nuk mund të parandalojnë zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Gazeta përfundon duke vënë në dukje se çështja ka dominuar debatin e brendshëm politik në Shqipëri, ku partitë e opozitës akuzojnë qeverinë se ka filluar negociatat sekrete me Athinën.
Pala greke thotë se çështja e kufijve detarë është mbyllur, ekziston një marrëveshje e plotë, që është ratifikuar nga Greqia, e cila pret tani të njëjtin veprim nga pala tjetër. Sipas gazetës, tani është interesi i palës shqiptare për të mbyllur këtë çështje që prej kohësh mbetet në pritje.
Ballkanweb.com
Add new comment