Kallëzim penal Çefës, me mosveprime lejoi diskriminimin e shtetases suedeze.

Shoqata e Avokatëve Anti-korrupsion Shqiptarë ka kallëzuar penalisht nënkryetarin e KLD Elvis Çefa për cënimin e së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor për një shtetase suedeze, me baba shqiptar. Të kallëzuar në Gjykatën e Tiranës lidhur me këtë çështje janë edhe ish-kryeinspektorja e KLD, Valbona Vata, Kryeinspektorja e KLD Tiranë, Marsida Xhaferllari, dhe gjyqtarët që kanë gjykuar çështjen e shtetases Anna Vebi Nordstrom, por që janë dorëhequr nga çështja. Sipas shoqatës së Avokatëve Anti-korrupsion, çështja e nisur nga shtetasja suedeze, e cila kërkon njohjen e trashëgimisë, ka filluar që në 19 janar 2011 por vijon ende si pasojë e shtyrjeve të vazhdueshme të seancave gjyqësore, dhe dorëheqjes së gjyqtarëve. Nisur nga kjo situatë, Çefa, Vata dhe Xhaferllari “në vetëdije të plotë dhe me mosveprime kanë lejuar ardhjen e pasojave kriminale në dëm të shtetases Anna Vebi Nordstrom”.
“Këta persona në bashkëpunim të ngushtë me njeri-tjetrin kanë lejuar diskriminim të hapur në dëm të shtetases Suedeze Anna Vebi Nordstrom duke i mohuar asaj të drejtën hyjnore për të pasur një baba, një të drejtë që kjo zonjë e kishte fituar dhe njohur nga autoritetet e shtetit suedez që ditën që kishte lindur”, thuhet në kallëzimin penal të bërë nga Shoqata e Avokatëve Anti-korrupsion Shqiptarë.
Add new comment