Kalatë shqiptare mund t'i marrin me qira edhe grekët

Monumentet shqiptare nuk do të privatizohen, ato do të mbeten pronë e shtetit. Nisma nuk duhet politizuar", - kështu u shpreh dje në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Enton Derraj këshilltari i Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi për trashëgiminë sa i takon nismës për dhënien me qira të kalave. I pyetur nga gazeta nëse ka ndonjë kriter që përcakton shtetësinë e biznesmenëve, pra nëse monumente me qira do iu jepen vetëm biznesmenëve shqiptarë apo edhe atyre të huaj, si për shembull grekë për objektet në Himarë apo Gjirokastër, Derraj tha se asnjë nuk është i përjashtuar. Këshilltari i Bumçit sqaroi se meqenëse jemi në fazën e parë të kësaj nisme, aktualisht nuk ka pasur përcaktime të etnisë së qiramarrësve të mundshëm të trashëgimisë shqiptare. "Kuptohet që biznesi shqiptar do të ketë precedencë në këtë rast, por asnjë nuk mund ta përjashtojë mundësinë e pjesëmarrjes së një biznesi apo subjekti të huaj", - u shpreh Derraj. Sipas tij kontrata mes biznesmenëve dhe shtetit nuk është hartuar, ashtu sikundër nuk janë hartuar as kriteret apo shuma që qiramarrësit do të paguajnë për pronën e shtetit që do përdorin, ndonëse për këtë të fundit ka një VKM.
Pika ku janë përqendruar zërat kritikë mbi projektin e ri të Ministrisë së Kulturës për monumentet e trashëgimisë ka të bëjë më së shumti me mosbesimin ndaj biznesmenëve që do marrin me qira objektet. Si i keni pritur këto reagime?
Ky debat që po zhvillohet është normal sepse edhe precedentët janë të diskutueshëm kur bëhet fjalë për kalanë e Lëkursit, të Petrelës apo Prezën. Ka një lloj reagimi që për mua është mëse normal për sa kohë ngelet në nivel teknik. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që kjo nuk është një rrufe në qiell të hapur, sepse kemi një kuadër e bazë ligjore të përcaktuar dhe ligji për trashëgiminë kulturore e specifikon se monumentet mund të jepen në shfrytëzim. Ndërkaq, ka një vendim të Këshillit të Ministrave që përcakton dhënien me qira apo me amfiteozë të monumenteve dhe i referohet Ministrisë së Kulturës si autoritet që përcakton me një udhëzim të ministrit kriteret teknike për trajtimin e tyre. Gjithsesi kemi edhe një kuadër tjetër që përcakton të gjithë elementët teknikë të ndërhyrjes në një monument, sepse ka një kartë kombëtare të restaurimit.
Shqetësimi qëndron tek kujdesi i biznesit...
Nuk duhet të ketë kaq shumë shqetësim që tani sepse jemi vetëm në fazën e parë, ku sapo kemi lançuar nismën. Kjo ka ardhur si pasojë e nevojës për ndërhyrje në monumente e kryesisht në kala sepse ato janë që do të trajtohen në këtë rast apo edhe objekte të tjera por kjo ka të bëjë edhe me nevojën për trajtimin e tyre si destinacione turistike, sepse duke hequr Butrintin apo Apoloninë shumë pak monumente në Shqipëri janë të vizitueshme apo të zhvilluara në aspektin turistik. Ne si ministri e mirëpresim çdo lloj sugjerimi teknik apo diskutimi në këtë nivel, por është për të ardhur keq nëse politizohet jashtë mase që në këtë fazë.
E shihni të politizuar?
Unë e kuptoj që ka një lloj reagimi, është një grup personash që kanë një axhendë të tyren dhe nuk dua të futem në këto lloj diskutimesh, sepse dua ta mbaj diskutimin vetëm në nivelin teknik. Do ketë një përzgjedhje të kujdesshme të listës së monumenteve që do të jenë pjesë e nismës, dhe secili prej objekteve do të shihet në nivelin teknik që ka të bëjë me nevojën për ndërhyrje restauruese dhe format e ndryshme të shfrytëzimit të tyre.
Cilat mund të jenë këto forma?
Format kanë të bëjnë me formën e shfrytëzimit, si për shembull: Cila e pjesë e monumentit mund të shfrytëzohet, cila pjesë nuk duhet prekur në mënyrë kategorike, cila pjesë do të restaurohet, etj. Janë një sërë kriteresh teknike që do të përcaktohen dhe është një proces i gjatë.
Në disa momente kuptohet sikur kjo nismë do t'i çojë monumentet drejt privatizimit. Do shkojmë deri aty?
Në mënyrë absolute jo, ligji shqiptar e përcakton se monumentet janë pronë e shtetit. Është shumë shpejt për protagonizëm politik dhe është e kuptueshme se kush flet dhe kush reagon. Mund të nxjerrin shpikje nga më të ndryshmet e të thonë jo vetëm do t'i privatizojnë, por mund të thonë edhe se do t'i transformojnë në pallate apo kushedi se çfarë tjetër. Këtë nuk e kam merak për aq kohë sa procesi ndjek të gjithë kuadrin teknik e ligjor që përcaktohet për raste të tilla.
Biznesmenët që do i marrin në përdorim dhe do t'i shfrytëzojnë kalatë, a do të jenë shqiptarë apo të huaj? A mund të ndodhë që një monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Himarë, Sarandë apo Gjirokastër ti jepet një biznesmeni grek?
Kjo pyetje tingëlloi shumë e diskutueshme, por aktualisht nuk ekziston një lloj prapamendimi lidhur me këtë gjë. Kuptohet që biznesi shqiptar do të ketë precedencë në këtë rast, por asnjë nuk mund ta përjashtojë mundësinë e pjesëmarrjes së një biznesi apo subjekti të huaj. Kjo është ende e diskutueshme, sepse është shumë herët për të folur për këto lloj kriteresh. Po diskutojmë vetëm për çështjet teknike që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe zhvillimin e një monumenti. Po përcaktohet lista, dhe për secilin nga objektet bëhet identifikimi i nevojës për restaurim. Habitem që ka kaq shumë politizim që tani, sepse ka pasur nisma të tilla edhe më para.
Ka pasur nisma të tilla por jo në një numër kaq të madh monumentesh...
Kuadri ligjor e lejon. Numri s'është përcaktuar sepse kjo bëhet mbas trajtimit. Në një moment mund të diskutohet që një monument të jepet me qira, por pas vëzhgimit mund të rezultojë që nuk duhet bërë kjo, për një arsye a një tjetër.
Prioritet do të jenë biznesmenët shqiptarë apo të huaj?
E përsëris që këtë se kam menduar por sigurisht që shqiptarët do të kenë prioritet, por kjo do varet edhe nga niveli i investimit apo lloji i ndërhyrjes që mund të ofrojnë apo eksperienca që mund të kenë. Është ende herët.
Ju ende s'keni filluar me hartimin e kontratat? Objektet s'mund të përdoren le të themi për disko?
Jo, sepse jemi në fillim të punës. Do të ketë një lloj procesi para kësaj. Dhe kurrsesi që nuk do të ketë as disko e as kazino sikundër është folur.
Po pagesa që duhet të bëjnë, në çfarë shume shkon?
Shuma përcaktohet nga vendimi i Këshillit të Ministrave që i jep çmimet në bazë të metrave katrorë dhe në bazë të investimeve restauruese që bën biznesmeni, subjektit mund t'i jepen lehtësira të ndryshme. Ligji nuk e lë në mënyrë fakultative.
Fatmira Nikolla
Ballkanweb.com
Add new comment