Hapet referendumi i organizuar nga serbët në veri të Kosovës

Që prej orës 7:00 të mëngjesit, serbët e komunave veriore kanë nisur të dalin në referendum përmes së cilit ata votojnë se i pranojnë apo jo institucionet e shtetit të Kosovës.
Më shumë se 35 000 zgjedhës të regjistruar në katër rajone me shumicë serbe në veri të Kosovës janë thirrur për t'iu përgjur me po ose jo pyetjes: ''A pranoni ju institucionet e pretenduara nga Republika e Kosovës, të vendosura në Prishtinë?
Të 82 qendrat e vtoimit në këto rajone u hapën në orën 06:00 GMT dhe do të mbyllen në orën 18:00 GMT. Votimi do të vazhdojë dhe nesër.
Ndonëse i cilësuar si ilegal dhe pa efekte politike e juridike nga ana e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunave në veri dhe pjesës veriore të Mitrovicës, besojnë se megjithatë referendumi i tyre do të ketë mesazhe dhe efekte të rëndësishme politike.
Kërstimir Pantic, që për strukturat e serbëve në veri është kryetar i Mitrovicës, ndërsa për institucionet e Kosovës ai paraqet një post ilegal, pasi votoi në referendum tha se me këtë veprim serbët do t’u dërgojnë mesazhe të qarta si liderëve kosovarë, përfaqësuesve ndërkombëtarë, po ashtu edhe disa politikanëve në Serbi.
“Jam i sigurt që ky referendum do të ketë rëndësi historike ngase me shumëçka do të ndryshojë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, pavarësisht faktit se disa mundohen ta paraqesin se ai nuk do të ketë kurrfarë rëndësie. Mendoj se rezultatet e tij nuk do të mund t’i injoron askush”, thotë Pantic.
Një qëndrim identik paraqet edhe një përfaqësues tjetër serb, Momir Kasallovic.
Ai thotë se pas rezultateve të referendumit askush më nuk do të mund të thotë se integrimin e veriut po e pengon një grup i vogël njerëzish, sepse beson se qytetarët do të votojnë kundër pranimit të shtetit të Kosovës.
Edhe qytetarët që kishin dalë në referendum mendonin njëlloj sikurse udhëheqësit e tyre politik.
“Në veri të Kosovës nuk janë strukturat kriminale, por i gjithë populli që dëshiron të mbetet nën sovranitetin e Serbisë dhe jo nën pushtetin e Hashim Thaçit”, thotë Stevan Filipovic, një qytetar që kishte dalë të votoj në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Duam të tregojmë se jemi të bashkuar dhe të qëndrojmë secili në vendin e vet dhe se nuk mundet që dikush me institucionet e veta të na dëbojë nga pronat tona. Këtu ka qenë e kaluara, e tashmja dhe do të jetë edhe e ardhmja e jonë”, thotë Ivana Millovanovic, një qytetare, duke besuar se referendumi do të jep si rezultat kundërshtimin e institucioneve të Kosovës.
Sidoqoftë, vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur që nga mëngjesi, ndërkaq nesër do të hapen edhe në komunën e Leposavicit.
Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se ky referendum është ilegal. Përderisa komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it
Erhard Drevs, ka thënë se referendumi mund të provokojë dhunë .
Ballkanweb.com
Add new comment