Greqia sot hesht, nesër voton. BBC: E diela stuhi për euron

Postuar në 05 Maj, 2012 05:30

Sot në Greqi është heshtje zgjedhore, disa orë përpara fillimit të votimeve të rëndësishme për vendin, kur në fakt askush nuk e di të thotë as me përafërsi, se çfarë mund të vendosin votat e qytetarëve, derisa kutitë e votimit të jenë ende të mbyllura. 

32 forca politike janë regjistruar zyrtarisht për këtë garë zgjedhore dhe më shumë se 9 milion grekë kanë të drejtën e votës. Një rol kyç do të luajë në zgjedhje, kriza ekonomike e cila është ndoshta më e keqja, që ka përjetuar shoqëria greke në historinë moderne. Qytetarët grekë janë më të paqartë se kurrë për atë se kujt duhet t’ia besojnë të ardhmen e tyre, pasi besojnë se forcat politike tradicionale PASOK dhe ND janë bashkëpërgjegjëse për situatën ku ndodhet Greqia. Megjithatë këto parti vazhdojnë të pretendojnë se vetëm ato mund ta shpëtojnë vendin nga falimentimi, sikurse disa forca ekstreme premtojnë anulim të marrëveshjes së borxhit. 

Situata është e rrezikshme dhe kreditorët e Greqisë po shprehin hapur shqetësimin dhe paralajmërimet e ashpra. FMN kërkon vazhdimin e reformave nga cdo qeveri që do dalë prej zgjedhjeve, ndërsa ministri gjerman i Financave, Schauble paralajmëroi se “Greqia do të duhet të "vuajë pasojat" në qoftë se qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të së dielës nuk do të respektojë zotimet e saj”. “Pjesëmarrja në Bashkimin Evropian është vullnetare", tha ai. 

Ndërkohë, edhe rrjeti britanik BBC vë në dukje, se "vendi ku lindi demokracia, po përballet tani me një test të vështirë në aspektin e sistemit politik". Në analizën e tij, redaktori ekonomik i BBC, Paul Mason thotë se e diela mund të shkaktojë një Euro-stuhi. Sipas BBC, nëse qeveria e re dështon për të nxitur hapat e kërkuara nga troika, shpëtimi i vendit bie në vështirësi dhe do të vihet në pikëpyetje qëndrimi në eurozonë.  

BBC vëren faktin se deri tani fitues duket Antonis Samaras, i cili mund të vijë në pushtet vetëm me një qeveri koalicioni me PASOK, por një koalicion që do të jetë tepër i lodhur për shkak të rritjes së mbështetjes për partitë e tjera. Analiza e rrjetit britanik vuri në dukje se shumë parti anti-memorandumit pritet që të dobësojnë forcat tradicionale të vendit, PASOK dhe ND. 

Sipas analizës, në rastin se pas zgjedhjeve forcat ekstreme hyjnë në koalicion qeverisës, vendi mund të shkojë në një "grusht shteti të butë", ose në një qeveri të majtë që jo vetëm do të kundërshtojë masat e kursimit, por do të kërkojë edhe shoqërizim të ekonomisë. "Dy skenarët e fundit do të vënë në pikëpyetje jo vetëm pjesëmarrjen e Greqisë në euro, por edhe aftësinë për zbatimit të kushteve të Kopenhagenit (i cili thotë se anëtarët e BE-së janë vende demokratike) apo të Lisbonës (që ndalon çdo lloj shtetëzimi socialist)", thotë Paul Mason i BBC. 

Duke përfunduar analizën e tij, reporteri i BBC vë në dukje se paqëndrueshmëria politike dhe polarizimi mund të çojë në një forcim të mëtejshëm të së djathtës ekstreme, e cila është vërejtur kohët e fundit në Holandë, Danimarkë, Itali dhe Finlandë. 

Çdo analizë apo parashikim do të vërtetohet nesër pas orës 19 00, kur të jenë mbyllur kutitë e votimit dhe exit poll-et të na krijojnë një ide për orientimin e votës, ndërsa ndoshta rreth mesnatës, mund të fillojnë të dalin rezultatet e para zyrtare. 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.