Grabitja e argjendarisë, arrestohet i treti, iu gjetën bizhuteri në banesë.

Policia e Tiranës ka vënë në pranga sot personin e tretë të akuzuar për vjedhjen e 2.5 kg ar më 6 gusht, në argjendarinë "Gold" në rrugën e Dibrës. Në prangat e policisë ka rënë Aljon Çezma, ndërsa sipas forcave blu, atij i janë gjetur bizhuteri gjatë kontrollit në banesën e tij.
Çezma është tashmë personi i tretë i arrestuar për këtë ngjarje, pas Klodian Hoxhaj dhe Andrea Bregasit, ku mbeti e plagosur pronarja e argjendarisë, Olta Sinanaj, të cilën autorët e goditën me tytën e pistoletës.
Ditë më parë policia arrestoi 2 autorët e tjerë, Andrea Bregasi e Klodjan Hoxhaj të cilët u dënuan nga gjykata me ‘arrest me burg’. Megjithatë dy të rinjtë mbajnë qëndrime të kundërta pasi Bregasi mohoi të ishte pjesë e grabitjes, ndërsa Hoxhaj pranoi autorsinë e krimit, duke u shprehur madje në gjykatë se ishte nxitur nga televizoni.
Kështu Çezma iu bashkohet dy të rinjve të tjerë të cilët rrezikojnë dënimin deri në 10 vite burg pasi ndaj tyre rëndojnë akuzat vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje.
Nga ana tjetër Prokuroria vijon të hetojë lidhur me destinacionin se ku kanë përfunduar bizhuteritë e vjedhura të cilat, kapin vlerën e 50 mijë eurove.
Argjendaria në rrugën e Dibrës, në pronësi të shtetases Olta Sinanaj, u grabit me dhunë më 6 Gusht ku mbeti e plagosur dhe vetë Sinanaj.
Add new comment