Gjykata “fal” Belle Air, i pranon falimentimin

Gjykata e Tiranës ka shpallur dje falimentimin e kompanisë ajrore “Belle Air”, duke i caktuar një administratore të re deri në fund të procedurave likuiduese për mbylljen. Vendimi është marrë nga gjyqtari Ilir Çeliku, i cili ka pranuar kërkesën e kompanisë se fluturimeve që prej disa muajsh e ka mbyllur aktivitetin e saj. Më parë ishte kërkuar ekspertimi ekonomik, ndërkohë që kompania i detyrohej edhe buxhetit të shtetit 5 milionë euro tatime të papaguara, ndërsa duhet të kompensojë udhëtarët që la rrugëve para se të shpallte falimentin.
Vendimin e tij, gjyqtari Çeliku e argumentoi me faktin se kompania ajrore ndodhet në pamundësi financiare për të shlyer borxhet ndaj të tretëve. Nga të gjitha të dhënat e grumbulluara, si dhe nga raporti i ekspertit kontabël, ka rezultuar se shoqëria “Belle Air shpk”, rezulton në pamundësi ekonomike për të shlyer borxhet me të tretë, të cilët arrijnë në një vlerë rreth 56 milionë euro. Çeliku ka vendosur që Ingerta Bebi të emërohet nga Gjykata e Tiranës si administratore e përkohshme, e cila do të çojë në falimentin këtë kompani. Ndërkaq, qytetarët që kanë blerë biletat dhe nuk janë kompensuar, brenda 90 ditëve duhet të paraqesin një kërkesë tek administratorja Bebi për kompensim. Në muajin dhjetor, Prokuroria e Tiranës, zyra e Task-Forcës, njoftoi nisjen e hetimeve për këtë çështje, duke mbledhur të gjithë dokumentacionin për dyshimet e veprës penale të mashtrimit dhe shmangies së detyrimeve. Ministria e Transporteve deklaroi se kompania kishte detyrime të mëdha tatimore ndaj shtetit. Kompania njoftoi falimentin edhe pse kishte prere 60 mijë bileta udhëtarësh, pjesën më të madhe të të cilëve e la rrugëve. Por ende nuk është dhënë shpjegim se çfarë do bëhet me detyrimet e tjera të kompanisë ndaj të tretëve, pasi vlera është në miliona euro.
Dita
Add new comment