FMN optimizëm për Greqinë. Berlini: S'ka rishikim të axhendës

FMN shpreh optimizmin se Greqia do të bëjë hapat e nevojshëm, me qëllim rregullimin e programit fiskal, për të hyrë në rrugën e duhur dhe vlerëson angazhimin e qeverisë greke në këtë drejtim.
Nëndrejtori i FMN, David Lipton, në një intervistë për stacionin televiziv CNBC, u shpreh se Fondi beson që kryeministri grek dhe ministri i Financave janë të vendosur të gjejnë rrugën e drejtë për rregullimet financiare e për t’i futur gjërat në rrugën e duhur. “Ne jemi duke u përpjekur për ta ndihmuar Greqinë", siguroi ai. "Unë jam optimist, në kuptimin që mendoj se ata punojnë shumë, duan të mbeten në eurozonë, duan ta bëjnë përsëri vendin e tyre," tha Lipton, duke shtuar se ekipi Fondit do ta vizitojë Greqinë javën e ardhshme.
Në lidhje me veprimet e BQE-së, përfaqësuesi i lartë i Fondit vuri në dukje se "ideja e Mario Draghit që BQE mund të mbështesë eurozonën është teorikisht e saktë". "Evropa ka nevojë për t’u siguruar se mund të largojë dyshimet në lidhje me qëndrueshmërinë e euros", tha ai. Për ekonominë globale, z Lipton tha se rimëkëmbja është ende e brishtë dhe rreziku më i madh është "greminë financiare" në problemet e SHBA dhe borxhit të vendeve të BE.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mohoi mundësinë që Berlini të pranojë një "ridefinimin e axhendës së reformave" për Greqinë. "Unë kam një ndjenjë solidariteti me Greqinë, por këmbëngul se ajo duhet të respektojë angazhimet e veta. Ne nuk mund të pranojmë një ripërcaktim të axhendës së reformave", tha kreu i diplomacisë gjermane nga Hong Kongu.
“Si mund ta bindim qeverinë spanjolle për të mbajtur angazhimet e saj nëse biem dakord me kushtet e veçanta për Greqinë, në kundërshtim me atë që është rënë dakord"?, shtroi pyetjen Westerwelle. "Pse të mos besojmë atë që thotë kryeministri grek Antonis Samaras? Ka thënë se do të bëjë atë që duhet dhe unë mendoj se është e padrejtë të paragjykoj para raportit të Trojkës, që pritet në fund të shtatorit, ose fillim të tetorit", shtoi ai.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment