Fier, hajdutët s`kursejnë as varret, i hapin dhe i plaçkisin.

Hajdutët nuk kursejnë as të vdekurit. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, persona ende të paidentifikuar kanë hapur varrin e një vajze, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2002, dhe kanë rrëmuar sipër skeleteve duke marrë sendet prej floriri. Më pas dhunuesit kanë tentuar që të hapin dhe një varr tjetër, me qëllim grabitjen. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se ngjarja ka ndodhur në varrezat e fshatit Grecalli. Denoncimi për dhunimin e varreve është bërë nga banorët e zonës, të cilët kanë kërkuar që policia të identifikojë dhe të vërë në pranga autorët. Ndërkohë, burime nga policia lokale deklaruan se pas sinjalizimit për ngjarjen është ngritur një grup pune dhe po punohet për arrestimin e personave që dhunojnë varret.
Banorë të fshatit Grecalli janë tronditur të dielën, kur kanë vënë re se ishte hapur dhe grabitur varri ku prehej një 20-vjeçare. Bëhet fjalë për Irena Peton, e cila i ka dhënë fund jetës së saj me fostoksinë dymbëdhjetë vjet më parë. Varri i të ndjerës Peto është i rrethuar me kangjella dhe ka qivur mermeri. Grabitësit kishin hapur një tunel dhe kishin mundur të marrin prej të vdekurës dy unaza dhe një varëse floriri. Ata ishin përpjekur të hapnin edhe varrin e të ndjerit Leonard Sharra, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2007 në moshën 38-vjeçare.
“Jemi tronditur nga ajo që ka ngjarë në varrezat që ndodhen në dalje të fshatit. Që prej 30 vjetësh në këtë vend varrosen banorë të katër fshatrave: Baltëz, Grecalli, Daullas dhe Muçaj të Komunës Qendër. Të plaçkitësh varret është makabre. Hajdutët, jo vetëm që na bastisin ne të gjallëve, por tani kanë nisur sulmin edhe ndaj të vdekurve. Të paktën këta t’i lënë në hallin e tyre”, pohuan banorët e fshatit Grecalli. Ata sqaruan se nuk ka roje për varrezat, pasi komuna nuk ka fonde.
Ndërsa, 16-vjeçari Anxhelo Moni na tregon varrin e dhunuar. “Paraditen e së hënës erdhi Policia. Teksa po këqyrnin vendin, ata gjetën një lopatë dhe dy batanije që kishin përdorur grabitësit e varreve”, tha minoreni, banor i fshatit.
Add new comment