Fier, ekspertizë të re trupit të Ilia Karelit, familjarët: Grekët i nxorën syrin e djathtë.

Trupi i pajetë i Ilia Karelit po i nënshtrohet sot një ekspertize mjeko-ligjore në morgun e Fierit, pas pretendimeve të familjarëve se, e kanë keqtrajtuar në mënyrë monstruoze, deri sa i kanë shkaktuar vdekjen në burgun grek.
Familjarët e tij, pretendojnë se Ilia Karelit i kanë nxjerrë edhe sytë, ndërsa nga 3 goditje të regjistruara në ekspertizë, ata kanë gjetur 15 të tilla në trupin e tij.
Për të kryer autopsinë kanë shkuar në Fier ekspertë mjeko-ligjor nga Tirana.
Mësohet se para ceremonisë së varrimit, familjarët do protestojnë në qendër të qytetit me trupin e të ndjerit, në shenjë proteste për këtë akt.
Deklaratat e familjarëve u bënë pasi trupi i pajetë i Ilia Karelit mbërriti në banesën e tij në Zhupan të Fierit
“Ishte i goditur në të gjitha pjesët e trupit, syri i djathtë ishte pothuaj komplet i plasur, gjoksi i majtë komplet i shtypur, shpatullat komplet, pjesët gjenitale. Vendosëm që ekspertiza të bëhej prapë”, është shprehur njëri nga familjarët
“Duart i kishte të mbledhura, dukeshin të djegura, dy gishta nuk i hapeshin”, u shpreh më tej halla e tij.
Ilia Kareli u gjet i vdekur mbrëmjen e 27 marsit në qelinë e burgut të Nigritas në Serres, ku ishte transferuar për izolim dhe mbrojtje, pasi vrau me thikë më 25 mars gardianin e burgut të Malandrinos.
Rezultatet e autopsisë së trupit të 42-vjeçarit treguan se vdekja e tij erdhi si pasojë e traumave nga goditjet. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore Kareli kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup.
Në Greqi kanë nisur hetimet mbi çështjen, po merren në pyetje gjithë zyrtarët e burgut, po këqyren kamerat e sigurisë, si dhe dokumentacioni i burgut.
Add new comment