"Eurovegas", spanjollët protestojnë kundër projektit

Spanjollët i thonë jo "Eurovegas", projektit që do të sillte në Evropë industrinë e njohur të argëtimit amerikan. Bëhet fjalë për një kopleks gjigand në periferi të kryeqytetit spanjoll të pajisur me hotele, restorante dhe veçanërisht kazino. Ndonëse autoritetet lokale kanë luftuar gjatë me Barcelonën rivale për të fituar projektin e "Eurovegas" që sipas tyre do të sjellë të holla dhe shumë vende pune, qytetarët e Madridit nuk janë të bindur:
"Ne jemi kundër për shkak se nuk ka pasur asnjë konsultim publik, asnjë informacion, asnjë transparencë. Bëjnë shumë premtime, kaq shumë, por nuk paraqesin asgjë tjetër",-thotë një banore.
"Ne themi jo sepse është një projekt spekulativ",- shton një tjetër demonstrues, që shton se nuk është i qëndrueshëm. Organizma që kundërshtojnë "Eurovegasin" thonë se pasojat negative do të jenë: krimi i organizuar, prostitucioni, droga, në këmbim të përfitimeve që nuk janë të qarta, sidomos pasi nuk dihet ende nëse kryeqyteti spanjoll, tashmë i prekur nga kriza do të duhet të financojë një pjesë të projektit që kushton jo pak por 7 miliardë euro. Promovues i "Eurovegasit" është manjati amerikan Sheldom Anderson, i cili deri tani ka siguruar vetëm një të tretën e fondeve.
Delina Bitraku
Albanian Screen
Add new comment