Emigracioni, Raportuesi i OKB-së: Shqipëria vend unik
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/6852_3_114.jpg?itok=QgS-s-FF)
TIRANE - Shqipëria është ndër vendet me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. Në mënyrë krejt unike, një e katërta deri një e treta e gjithë qytetarëve shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Vlerësimi vjen prej Fransua Krepo, raportuesit special të kombeve të bashkuara për të drejtat e emigrantëve. Eksperti, i cili do të vizitojë Shqipërinë nga data 5 deri në 13 dhjetor, u referohet flukseve të mëdha të migrimit të nisura që në vitet 90-të, të cilat e kanë bërë Shqipërinë një prej shteteve me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. “Nga një popullsi totale prej 3.4 milionë banorësh, rreth një milionë shqiptarë jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre”, tha Krepo përpara vizitës në Shqipëri.
Bëhet me dije se eksperti do ta vizitojë Shqipërinë për të vlerësuar zbatimin e politikave, strategjive dhe ligjeve për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, duke përfshirë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit, të kthyerit dhe emigrantët e tjerë. Gjatë misionit të tij nëntë ditor, Reporteri Special do të takojë zyrtarët e qeverisë, përfaqësuesit e shoqërisë civile, agjencitë e OKB-së dhe organizatat rajonale dhe ndërkombëtare në Tiranë. Ai do të udhëtojë gjithashtu në pikat e kufirit me Greqinë dhe Malin e Zi, do të vizitojë mjediset e pritjes për emigrantet dhe do të dëgjojë pikëpamjet e emigranteve.
Në fund të misionit të tij, të martën, më 13 dhjetor, Reporteri Special do të japë konkluzionet e tij paraprake në një konferencë shtypi të mbajtur në Hotel “Rogner” në Tiranë, në orën 11:00.
Ballkanweb.com
Add new comment