Ekzekutimi i Gjepalit, policia shoqëron 30 të dyshuar, mes tyre persona me precedentë penalë

Policia e Kavajës ka shoqëruar në komisariat të paktën 30 persona në vazhdën e hetimit për gjetjen e autorësisë së ekzekutimit të së enjtes në afërsi të Rrogozhinës të Astrit Gjepalit dhe Halil Ficit.
Burimet nga uniformat blu bëjnë me dije se dyshohet se vrasjet janë bërë për hakmarrje, për shkak të precedentëve të viktimave, që të dy me një karrierë të pasur kriminale që datonte që prej fillimviteve ’90 dhe kulmonte me vitin 1997.
Mësohet se mes të shoqëruarve janë edhe persona me precedentë penalë. Ndërkohë, paralelisht vazhdon këqyrja e makinës të braktisur dhe të djegur në Lushnje, që mendohet se është përdorur nga autorët gjatë ekzekutimit, ndërsa dëshmitarë okularë pohuan se automjeti ku po udhëtonte Gjepali dhe Fici, së bashku me dy persona të tjerë është qëlluar për dhjetëra metra me breshëri automatike në ecje e sipër.
45-vjeçari Astrit Gjepali, njihej si kreu i “Bandës së Gjepalajve” në vitin e trazuar 1997. Ai ishte i dënuar me 25 vjet burg nga drejtësia për të paktën 5 vrasje të kryera në vitin 1997. Në momentin e ekzekutimit ai po kthehej në Burgun e Peqinit pas përfundimit të lejes shpërblyese që kishte marrë.
Shqip
Add new comment