Ekstradohet Jetmir Llani, akuzohet për vrasjen e dy pjesëtarëve të familjes Shkreta

Postuar në 15 Janar, 2013 12:30

 

Ekstradohet nga Italia 34-vjeçari Jetmir Llani, i cili dyshohet se ka vrarë Mark dhe Gentian Shkretën, babë e bir, dhe ka plagosur djalin tjetër të familjes Shkreta, Aurelin. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shtetit saktësuan se Llani ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, mesditën e sotme dhe u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ai u arrestua në 22 nëntor 2012 nga autoritetet italiane në Firence. Dyshohet se Llani ka kaluar kufirin në mënyrë ilegale, menjëherë pas atentatit të ekzekutimit të Gentian Shkretës dhe plagosjes në gjendje të rëndë të vëllait të viktimës, Aurel Shkreta, mbrëmjen e 4 nëntorit të vitit të kaluar. Në momentin e arrestimit të tij, mediat italiane cituan se i arrestuari Llani, u ka treguar policëve të Interpolit fotografinë e djalit të vrarë më 5 qershor 2012, duke u thënë se kërkonte të hakmerrej për vrasjen e të birit. Historia mes familjes Llani dhe Shkreta ka nisur në qershor të vitit të kaluar.

Ngjarjet filluan në Mamurras dhe organet kompetente nuk kanë arritur të ndalin hakmarrjet mes dy familjeve, që dikur kanë qenë mike me njëra-tjetrën. Më 5 qershor, Altin dhe Alban Shkreta, të cilët u arrestuan nga policia, kanë ekzekutuar të miturin 9-vjeçar, Indrit Llani. Objekt i atentatit ka qenë xhaxhai i viktimës, Muharrem Llani dhe shkak është bërë një sherr banal mes babait të viktimës dhe vëllezërve Shkreta. Pas kësaj, 33-vjeçari Jetmir Llani u betua mbi varrin e të birit se do të hakmerrej. Pak muaj më pas, ai dyshohet se ka vrarë në kryeqytet babain e autorëve të vrasjes së të birit, Mark Shkreta, 71 vjeç. Si autor të kësaj vrasjeje, policia ka identifikuar dhe akuzuar Jetmir Llanin, por nuk ka mundur që ta mbajë të izoluar. Më 19 shtator 2012, Llani u kap në flagrancë për armëmbajtje pa leje, por u la i lirë.

Ndërkaq, më 4 nëntor, vëllezërit Shkreta, të cilët ruheshin nga hakmarrja e familjes Llani, janë bërë pre e një atentati, që si autor dyshohet të jenë Jetmir dhe Muharrem Llani. Nga kjo ngjarje mbeti i vdekur në vend Gentian Shkreta dhe u plagos vëllai i tij, Aureli. Trupi i viktimës është gjetur disa metra larg vendit të ngjarjes, për arsye ende të paqarta.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.