Droga, vetëm 420 përdorues marrin trajtim

Në Shqipëri përllogariten 40000-60000 përdorues të drogave ilegale por edhe pse këto shifra janë të larta, vetëm një numër i vogël i tyre kanë vendosur të marrin trajtim të specializuar në qendrat e terapisë mbajtëse metadon që ekzistojnë në vendin tonë.
Në këtë kuadër organizata humanitare 'Aksion Plus' ka ngritur një rrjet të trajtimit në rrethet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër për të ndihmuar personat që përdorin substanca narkotike nëpërmjet terapisë mbajtëse me metadon. Për vitin që jemi duke lënë pas 420 persona kanë vendosur të marrin shërbimet që ofrojnë këto qendra, ndër të cilët 160 në Tiranë dhe pjesa tjetër në qytetet e tjera.
Për sa i përket qendrave në Korçë, Vlorë dhe Durrës është vënë re një numër në rritje për të hyrë dhe përfituar nga shërbimet e ofruara nga qendra. Aktualisht 80 është numri i personave që marrin shërbime në Korçë dhe 65 i atyre që marrin shërbime në Durrës. Ndërsa në Vlorë numri i këtyre personave është 52. Për t'u përmendur mbetet fakti se trajtimin me metadon janë duke e marrë edhe 18 të burgosur. 'Aksion Plus' e ofron terapinë në ato burgje ku ka përdorues të dënuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe kryesisht në burgjet 312 dhe 325 në Tiranë si dhe në burgun e Fushë- Krujës dhe atë të Durrësit. Nga raporti vjetor i organizatës humanitare 'Aksion Plus' bëhet e ditur se në qendrën e Tiranës 141 persona që marrin trajtim janë shqiptarë dhe 16 prej tyre i përkasin komunitetit rom. Të gjithë përdoruesit e drogave që zgjedhin të trajtohen në këto qendra mund të marrin disa shërbime. Si fillim, merret shërbimi mjekësor që ofrohet nga mjekë toksikologë apo psikiatër.
Gjithashtu ofrohet shërbimi psiko-social që ka të bëjë me këshillim nga psikologët e qendrës. Ndër shërbimet e tjera mund të përmenden këshillim individual me klientë dhe prindër, terapi grupi, terapi familjare dhe edukim shëndetësor. Ndër problemet më të hasura në këto qendra janë çrregullimet e personalitetit, depresioni, ankthi, disfunksion psiko-seksual dhe çrregullime të tjera psikotike të cilat janë rekomanduar për tek psikiatri. Gjithashtu janë hasur dhe hepatite, probleme këto të lidhura me rrugën intravenoze të përdorimit të drogave.
Ballkanweb.com
Add new comment