Dhuna në familje, 316 viktima me urdhër mbrojtje

Ndonëse me ndryshimet më të fundit në legjislacion ku dhuna në familje klasifikohet si vepër penale, shumica e denoncimeve që depozitohen në polici, preferojnë masat administrative të ligjit duke mos ndëshkuar dhunuesit.Keshtu fenomeni mbetet sërish problematic kjo edhe pas lëshimit të urdhrave të mbrojtjes. Sipas shefes së sektorit kundër dhunës në familje në policinë e shtetit, shumica e rasteve të deponimeve preferojnë anën e butë të ligjit, ku pjesë të së cilit kërkojnë nga të dhunuarit të japin sugjerime se çfarë masash mbrojtëse mund te ulin dhunën.
"Viktimat preferojnë që të zgjedhin këtë anën administrative të mbrojtjes sepse efektet penale, sipas tyre dhe për hir të së vërtetës rëndojnë situatën ekonomike të familjes, sepse duke u penalizuar bashkëshorti dhe më pas masa penale dihet se mund të jetë dhe një dënim penal në burg, do ta lënë pa burim financiar familjen dhe në përgjithësi preferojnë këto masat administrative, që janë masa parandaluese dhe që nuk kanë efekte financiare mbi viktimat dhe mbi fëmijët e saj", tha Alma Gjurgji, shefe e sektorit kundër dhunës në familje në drejtorinë e përgjithshme të policisë.
Vetëm për tre mujorin e parë të këtij viti në të gjithë vendin janë evidentuar 473 raste të dhunës në familje nga të cilat 316 raste kanë kërkuar urdhëra mbrojtjeje.Kërkesat më të shumta janë bërë në Tiranë dhe Durrës respektivisht 106 dhe 58 raste.Sipas Gjurgjit shifrat në rritje të denoncimeve tregojnë emancipimin e shoqërisë.
"Ka patur sensibilizim lidhur me fenomenin sepse numri i denoncimeve që vijnë pranë strukturave të policisë ka ardhur me një rritje progresive. Ky është një element shumë pozitiv, sepse ky element kaq i trishtueshëm, kaq i dhimbshëm, siç është dhuna në familje, e cila ka qenë e mbyllur brenda dyerve të shtëpisë, tani po del jashtë këtyre mureve, viktimat po sensibilizohen që ta bëjnë atë publike dhe po kërkojnë ndihmë nga institucionet", vijon Gjurgji.
Me ndryshimet më të fundit në kodin penal, dhuna në familje dënohet me 5 vjet heqje lirie nga 6 muaj që ishte më parë.Ndryshimet u miratuan në parlament kjo pas rritjes së numrit të rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit të fëmijëve të cilat nuk denoncoheshin por mbeteshin brenda mureve të shtëpisë.
Albanian Screen
Add new comment