Dhuna gjatë protestës në Tiranë, policia: Qytetarët kundërshtuan, s`u bindën.

Policia e shtetit reagoi sot në lidhje me aktet e dhunës që shoqëruan protestën e mbajtur në Tiranë për vrasjen e Ilia Karelit.
Burimet zyrtare thanë se nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u morën masa për garantimin erendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të një tubimi, për të cilin nuk ishte marre leje pranë Policisë.
Rreth orës 16:30, përpara “Piramidës” u konstatua grumbullim i rreth 500 personave. Nga strukturat e Policisë së Tiranës u mor takim me disa prej protestuesve, duke ju bërë me dije përgjegjësinë ligjore për zhvillimin e tubimit të pa ligjshëm.
Pas grumbullimit te “Piramida”, vazhdoi lëvizja e tubuesve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Kavajës drejt Ambasadës Greke. Për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të protestës u morën masa për vendosjen e kordonëve me punonjës policie të Komisariateve 1, 2, 3 dhe 4, theksoi policia.
Sipas saj, në vijim nga ana e tubuesve u bë bllokimi i rrugës që lidh Rrugën e Kavajës me 21 Dhjetorin dhe po ashtu rruga që lidh 21 Dhjetorin me Sheshin Skënderbej, si dhe pati kundërshtime dhe mosbindje nga ana e tubuesve, megjithë thirrjet e herëpashershme të bëra nga ana e policisë. Si rezultat u bë hapja e rrugës në të dy krahët. Policia shoqëroi 14 persona, thuhet në deklaratë.
Sipas saj, nga Policia e Tiranës po hetohet tërësia e veprimeve të kryera gjatë këtij tubimi. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, gjithashtu do të analizohen në mënyrë të hollësishme të gjitha veprimet e punonjësve të policisë për menaximin e këtij tubimi dhe në rast se do të konstatohen shkelje të procedurave standarde ndaj përgjegjësve do të fillojë ecuria disiplinore.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për zhvillimin e tubimeve paqësore, njëherazi i fton qytetarët të respektojnë kërkesat ligjore.
Add new comment