Debate në Komisionin e Jashtëm parlamentar

Postuar në 29 Janar, 2014 07:58

Opozita dhe mazhoranca në Komisionin e Jashtëm parlamentar janë përfshinë në debate, pasi kryetarja e komisionit Arta Dade, ka akuzuar qeverinë paraardhëse se e ka futur vendin në listën e zezë të trafikimit të armëve. Nënkryetari demokrat në këtë komision, Aldo Bumçi, u shpreh se nuk bëhet fjalë për trafikim, por për tregti të ligjshme armësh.

Ndërkohë që debate ka pasur edhe për kandidaturën për ambasador në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Ermir Gjinishi. Deputeti socialist Ben Blushi është shprehur kundër kësaj kandidature dhe ka ngritur pyetje se mbi çfarë kriteresh është përzgjedhur ai nga Ministria e Jashtme. Sipas Blushit, Gjinishi në disa raste ka shkelur parimet e laicitetit të shtetit shqiptar.

Ndërsa deputeti demokrat Aldo Bumçi ka kërkuar nga qeveria të paraqesë platformën e saj për shërbimin diplomatik si dhe të mbështesë diplomatët të cilët janë lënë në listë pritjeje.

“Ministria e Jashtme nuk po paraqet platformën për shërbimin e jashtëm diplomatik. Ministria ka pasur kohën e duhur dhe për herë të tretë ajo vjen pa raport në komision. Ajo ka nxjerrë në listë pritjeje 52 diplomatë karriere dhe opozita gjykon se ata duhen mbështetur. Në aplikimin e paketës së re fiskale, elita e diplomacisë tatohet me 23 përqind duke ulur ndjeshëm pagat. Kjo gjë duhet të korigjohet sa më parë”, u shpreh Bumçi.

Në komision është zhvilluar një seancë dëgjimore me kandidatët për ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Sllovenisë, në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe në Republikën e Serbisë, përkatësisht Pëllumb Qazimi, Ermir Gjinishi dhe Ilir Boçka.

Pëllumb Qazimi dhe Ilir Boçka vijnë nga fusha e diplomacisë pasi kanë qenë ambasador të Shqipërisë në disa shtete ndërsa Ermir Gjinishi ka qenë anëtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Top channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.