Dardhë e Korçës, grabiten shtëpitë e Ben Blushit dhe të Teodor Laços.

Sipas informacioneve nga Korça, të martën në darkë në fshatin turistik të Dardhës janë shkallmuar e vjedhur tri shtëpi turistike, pronarët e të cilave kalojnë aty stinën e verës. Njëra nga shtëpitë e vjedhura është e shkrimtarit dhe politikanit të mirënjohur Teodor Laço.
Thyerja e vjedhja e shtëpive në këtë fshat të preferuar turistik ka marrë përmasat e një epidemie. Vetëm në harkun kohor të tre muajve të fundit janë vjedhur rreth 20 shtëpi karakteristike, por dhe të ndërtuara pas viteve ’90 në Dardhë të Korçës.
Bëhet e ditur se këtë fat ka pësuar edhe shtëpia e deputetit Ben Blushi, të cilët hajdutët i vodhën ullukët prej bakri. Për këtë rast flitet se policia kapi 3 adoleshentë, të cilët u liruan pasi kërkuan falje. Për të mësuar diçka më shumë rreth shkallmimit dhe vjedhjeve të tre shtëpive të fundit, komunikuam me shkrimtarin, politikanin dhe politologun dardhar Teodor Laço, i cili na tha se ishte informuar për atë që i ka ndodhur, por nuk dinte me saktësi përmasat e vjedhjes në shtëpinë e vendlindjes, të mirëmbajtur prej tij me përkujdesje maksimale, thuajse çdo vit.
Këto raste vjedhjesh, që po bëhen gjithnjë e më evidente në këtë fshat turistik, po vijnë duke u shtuar edhe për shkak të indiferentizmit dhe implikimit në ndonjë rast të strukturave të policisë që veprojnë në këtë zonë.
Add new comment