Daçiç i dorëzon notë proteste ambasadorit shqiptar në Beograd.

Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka, i është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, nota e protestës dhe deklarata e ashpër me rastin e provokimeve të shqiptarëve gjatë ndeshjes së djeshme të luajtur në Beograd.
Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Jashtme e Serbisë e cila shprehet se "këto incidente, padyshim, të planifikuara me kujdes, siç është dirigjimi i dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe mbi terrenin ku është luajtur ndeshja, dëmtojnë seriozisht përpjekjet për të ndërtuar marrëdhënie besimi dhe bashkëpunimi në rajon".
Në komunikatë Ministria e Jashtme serbe nënvizon se provokime të tilla nuk do të tolerohen aspak nga ana e shtetit serb.
"Serbia është e angazhuar për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët e saj, nga të cilët pritet qasje e njëjtë dhe nuk do të tolerojë provokime të tilla", thuhet në deklaratë.
Ambasadorit shqiptar i është thënë se Serbia pret nga zyrtarët shqiptar të dënojnë incidente të mbrëmshme, gjë e cila, siç thuhet, është hapi i parë i domosdoshëm drejt tejkalimit të problemit.
Add new comment