Biznesmeni Zafar Ansar: Argita më kërkoi deri në 3 milionë euro. Berisha më tha se do bashkëpunosh me njerëz të mirë

Në qendër të akuzave ndaj vajzës së kryeministrit, Argita Berisha Malltezi, Partia Socialiste vuri një korrespondencë mes zyrës së saj avokatore dhe biznesmenit pakistanez Zafar Ansar, i cili kërkonte të investonte në Shqipëri në fushën e energjetikës.
Por cili është qëndrimi i zotit Ansar për të gjithë këtë histori nisur në vitin 2007? Ai jeton në Suedi. Top Channel mundi ta intervistojë nëpërmjet ‘Skype’ për të sjellë, versionin e tij për korrespondencën në fjalë dhe si lindi bashkëpunimi me zyrën avokatore të vajzës së Kryeministrit. Fillimisht ai i përgjigjet pyetjes si mundi të takohet me Kryeministrin Berisha dhe cfarë biseduan.
Zafar Ansar: Takimi u organizua nga ambasadori i Shqipërisë në Arabinë Saudite. Vajta e takova për ta informuar se kisha në plan të ndërtoja një TEC me kapacitet 12 megavat. Kryeministri ishte i gëzuar që po dëgjonte rreth këtij projekti dhe më tha se do të bënte gjithçka që mundej duke shtuar se shpresonte që unë të bashkëpunoja me njerëz të mirë në Shqipëri. E falenderova duke i thënë do të jetë kënaqësi e imja”.
Kush ju prezantoi me kompaninë avokatore të Argita Berishës?
Takimi është organizuar nga zoti Admir, ambasador në Arabinë Saudite.
A jeni takuar personalisht me Argita Berishën?
Disa herë.
Cilat ishin arsyet që u tërhoqët nga ky investim?
Mund t’ju them se nuk u tërhoqa nga ky projekt, por mu tha se nuk mund të merrja lejen për ta ndërtuar TEC-in. Arsyeja e vetme që mund të mendoj përse kjo ndodhi, lidhet me mosblerjen e tokës me atë çmim aq të lartë që mu ofrua. Edhe sikur të më jepej leja, unë nuk do ta kisha blerë atë tokë, pasi nuk ishte e përshtatshme për të ndërtuar atë që unë doja. Më erdhi shumë keq që s’munda ta realizoja një investim të tillë prej 100 milionë euro.
TEMA
Add new comment