Berisha: Ramës i ka mbetur vetëm Bamir Topi, ne do zgjerojmë koalicionin me të majtët

Kryetari i Partisë Demokratike po zhvillon në ambiente te selisë së saj mbledhjen e kryesisë, në fokus të së cilës do të jetë fushata elektorale e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.
Berisha: do të bëjmë zgjedhje të lira dhe të ndershme
Mbledhja ka nisur me fjalën e kryeministrit Berisha, i cili ka theksuar se qëllimi i kësaj mbledhje është hapja e përpjekjes së madhe të anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të fushatës së tyre elektorale për mandatin e tretë. “Ne shkojmë drejt 23 qershorit më të vendosur se kurrë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, u shpreh kryeministri.
Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së, ka folur për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai gjithashtu ka akuzuar opozitën se po mundohet që me çdo kusht të marrë karrigen dhe të bëjë koalicion me të gjithë. “Rama i bën thirrje këtij sot dhe atij nesër, aman të bashkohemi se mund të fitojmë. Sot i bën thirrje, dhe duket se i vetmi aleat që i ka mbetur, me çfarë shoh unë është Bamir Topi”-, u shpreh Berisha.
Koalicioni me LSI-in, më i fuqishmi në histori
Ndërsa vlerësoi koalicionin qeverisës, si më të fuqishmin në historinë e vendit, kryeministri Berisha ironizoi ftesën e kryetarit të PS-së për bashkim me LSI-në e FRD-në. Veç aleatëve tradicionalë të PD-së, Berisha tha se po zhvillohen negociata me parti të tjera në vend, të spektrit të djathtë e të majtë.
Sipas kryeministrit, nuk ekziston mundësia e një koalicioni mes PS-së e LSI-së, ndërsa aludoi se Fryma e Re Demokratike është aleati i vetëm që u ka mbetur socialistëve.
Ai ka vlerësuar koalicionin me forcën e majtë, LSI, ka funksionuar në përputhje të plotë me angazhimet para qytetarëve shqiptarë. “Ne shkojmë drejt zgjedhjeve si koalicioni më i fuqishëm në historinë e vendit. Ne zgjedhjet e 2009-ës PD dhe aleatët e saj dolën koalicioni i parë. Krijoi një koalicion me LSI-në dhe unë mendoj se ky koalicion ka funksionuar në përputhje të plotë me zotimet dhe angazhimet përpara qytetarëve shqiptarë. Ky koalicion bëri të mundur një seri reformash të thella, të cilat mbrojtën ekonominë shqiptare nga recesioni”, theksoi Berisha.
Kryeministri ka radhitur si prioritetet të kësaj fushate në interes të shqiptarëve, si punësimin, arsimin, shëndetësinë, fuqizimin në fushën energjetike, furnizimin me ujë të pijshëm e të tjera. Ai theksoi se hapi i radhës, pas këtyre arritjeve është Bashkimi Kombëtar. “Bashkimi njëri me tjetrin, bashkimi me Evropën”, shprehje së cilës shefi i qeverisë i ka mëshuar edhe gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së për bashkimin etnik të shqiptarëve Kosovë-Shqipëri. “Procesi i bashkimit kombëtar të shqiptarëve është jetik për paqen dhe stabilitetin e rajonit, është jetik për të ardhmen e kombit shqiptar. Në qoftë se padrejtësitë historike i ndanë shqiptarët në 5-6 kombe, kjo nuk do të thotë kurrë se duhet të ecet drejt 5-6 kombeve...do të ishte rruga e shfarosjes graduale të shqiptarëve”, deklaroi numri një i ekzekutivit.
Besimin tek bashkimi kombëtar, fill pas besimit tek zoti
Sipas kryeministrit Berisha bashkimi kombëtar duhet të kthehet në ideal të shqiptarëve, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrijë të realizohet. “Unë ftoj shqiptarët të vendosin besimin tek bashkimi kombëtar, fill pas besimit tek zoti..sepse ata që i besojnë një ideali e ndërtojnë atë çdo minutë çdo orë, çdo ditë deri në finalizimin e qëllimit, realizimin e tij”, theksoi shefi i qeverisë.
Add new comment