Bashkia çon pallatin e Linda Bashës në Prokurori

Bashkia e Tiranës, ka reaguar sot në lidhje me pallatin e ndërtuar në rrugën “Qamil Guranjaku” i cili sipas PD është në pronësi të bashkëshortes së kryesocialistit Edi Rama.
Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha në një dalje për mediat ditën e sotme deklaroi se, leja për ndërtimin e pallatit të bashkëshortes së Edi Ramës, Lindita Bashës, është dhënë në kundërshtim me ligjin në vitin 2006 dhe se dosjen për këtë çështje ia ka kaluar Prokurorisë.
“Sheshi mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit për këtë pallat më datë 21/03/2006 ka qenë i përcaktuar në studimet e miratuara “hapësirë publike në funksion të bllokut të banimit”. Pra, leja për ndërtimin e pallatit është dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin”, theksoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha.
“Për rastet e pronave të kthyera nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave, kur këto prona gjenden në hapësira të tilla, KRT-të nuk kanë të drejtë të ndryshojnë drejtimin e vendosur nga studimi. Në këto raste, pronarët kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin sipas ligjit”, shtohet në deklaratë.
“Si leja e ndërtimit më 21/03/2006 dhe ajo e rishikuar më 27/12/2008 janë bërë në kundërshtim të hapur me ligjin numër 8405 për urbanistikën. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës ia ka referuar të gjitha materialet Prokurorisë së Tiranës”, mbylli deklaratën e saj Bashkia e Tiranës.
SHQIP
Add new comment