Banda e tritolit, gjykata e Lartë refuzon lirimin e Ilir Karcinit.

Gjykata e Lartë ‘shuan’ shpresat e Ilir Karçinit për liri. Biznesmeni kishte bërë rekurs në gjykatën supreme, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij nga qelitë e paraburgimit, me pretendimin se nuk kishte asnjë lidhje me porositjen e vrasjes së konkurrentit të tij në biznes, Pirro Bare.
Ndërsa priste të merrej në shqyrtim rekursi i tij, në dhomën e këshillimit është vendosur të kalonte çështja me mospranim. Moskalimi për shqyrtim i rekursit ka bërë që Ilir Karçini të mos ketë mundësi për paraqitjen e argumenteve të tij para Kolegjit. Ilir Karçini dyshohet si porositës i vrasjes së biznesmenit Pirro Bare, krim i cili u parandalua nga policia, pasi pikërisht ditën kur ishte planifikuar të kryhej akti, u arrestua Julian Sinanaj, i cilësuar si killer me pagesë.
Ky i fundit ka rrëfyer para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se Karçini, me ndërmjetësimin e Genis Mëhillajt, në kërkim, i kishte premtuar shumën prej 120 mijë eurosh, për ekzeku-timin përmes shpërthimit të telekomanduar të biznesmenit, Pirro Bare. Karçini pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë, por Julian Sinanaj e ka rënduar pozitën e tij, duke rrëfyer takimet me biznesmenin dhe bisedat e bëra me të.
Të dyshuarit si anëtarë të së ashtuquajturës ‘Banda e bombave C4″ u vunë në pranga, pas përplasjeve që patën mes tyre, që detyruan të penduarin Ndriçim Gjokona të rrëfente krimet. Julian Sinanaj u prangos më 25 janar 2014 dhe pak ditë më pas pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Banda akuzohet për krime të shumta, mes të tjerash dhe për vendosjen e eksplozivit në makinën e ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ngjarje për të cilën akuzohet Marjon Mitro.
Add new comment