Avramopoulos: S'do lejojmë të na ikë nga duart nafta e Jonit

Ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopoulos, në një intervistë për të përdtishmen “Realnews”, ka folur për prioritetet e Greqisë për vitin 2013. Avramopoulos u shpreh se Greqia duhet të stabilizojë dhe të dalë nga kriza ekonomike dhe të marrë pozicionin e faktorit të stabilitetit në Evropën Juglindore, Linjen e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme.
“Greqia do të jetë në zemrën e Evropës, në Eurozonë dhe në çdo iniciativë të bashkëpunimit mes vendeve. Mendoj se të gjithë fqinjët tanë duhet ta marrin këtë mesazh”, ka thënë ministri i Jashtëm grek.
I pyetur për zonën ekskluzive ekonomike që ishte çështje themelore e fushatës elektorale të Antonis Samaras, Avramopoulos, tha se Turqia nuk mund t’i kërcënojë në këtë pikë pasi bëhet fjalë për të drejtën sovrane.
“Askush nuk mund të na kërcënojë për diçka që është e drejtë sovrane për çdo vend. Greqia ka kapacitetin dhe vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat që janë të garantuara nga ligjet ndërkombëtare dhe në interes të qytetarëve të Greqisë”, tha ai.
Ministri grek ka bërë të ditur se qeveria po vepron për përmbushjen e zotimeve dhe planeve strategjike. “Të jeni të sigurt se qeveria nuk do të anashkalojë asnjë mundësi, siç është rasti i të dhënave për progres në kërkimet sizmike në Jon dhe jugun e Kretës”, ka theksuar Avramopoulos.
SHEKULLI
Add new comment