Analiza vjetore, Tahiri: E kthyem policinë e shtetit në detyrë, ende shumë punë përpara

Postuar në 20 Janar, 2014 09:17

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke folur në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, deklaroi se duhet bërë shumë punë për ta bërë vendin më të sigurt.
“Policia e Shtetit duhet të dalë nga modeli i analizave klishe. Ne e gjetëm Policinë e Shtetit në gjendjen më të keqe dhe që drejtohej nga militantë dhe të paaftë. Burimet njerëzore të kësaj strukture janë shumë larg nga standardet. Arsimimi është i mangët dhe shumë pak janë me shkollë të lartë”, tha Tahiri.
Kreu i rendit theksoi se aktualisht në Shqipëri ka më pak punonjës policie për çdo banor se çdo vend i rajonit.
“Policia e Shtetit ishte e shfrytëzuar dhe e nënpaguar dhe ne kemi trashëguar rrënimin e vlerave në Policinë e Shtetit”, tha Tahiri.
Ministri i Brendshëm shprehu angazhimin për të ndryshuar situatën në Policinë e Shtetit, ndërsa theksoi se në 120 ditë kjo strukturë është kthyer në detyrë.
Nderkohe, Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Artan Didi gjate fjales se tij ka theksuar se mungesa e profesionalizmit dhe motivimit i specialistëve të hetimit të krimeve në terren ka çuar në uljen e zbulueshmërisë së krimeve të rënda. Sipas Didit, një tjetër çështje problematike është implementimi i ligjit antimafia, sidomos në çështjen e konfiskimit të aseteve të sekuestruara.
“Duhet të rritet numri i hetimeve pro aktive ndaj pasurive që rrjedhin nga aktivitetet kriminale jashtë Shqipërisë por që riinvestohen brenda vendit”, u shpreh drejtori i policisë. Sa i përket konfiskimit të lëndëve narkotike Didi theksoi se vihet re një rritje e sasisë së konfiskuar, kjo edhe për shkak të përdorimit të mjeteve dhe teknologjisë së përparuar.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.