Amnistia fiskale, fluks te tatimet, Nuredini: Janë falur 5 miliardë lekë

Bizneset po nxitojnë për të përfituar na amnistia fiskale, pas vendimit të qeverisë për ta shtyrë këtë nismë edhe 3 muaj të tjerë.
“Ka një fluks të jashtëzakonshëm. Të gjithë bizneset e kanë kuptuar që kjo është në ndihmën e tyre. Deri tani falja është rreth 5 miliardë. Këto janë shifrat e fundit të nëntorit, deri në fund të vitit besoj se do të shkojmë rreth 15 miliardë, ose 20 miliardë.”- deklaroi nëndrejtori i përgjithshëm i tatimeve, Bujar Nuredini.
Bizneset më tepër po shlyejnë borxhet e vjetra dhe po bëjnë më pak deklarime. Sipërmarrja ka evidentuar si problem mungesën e garancisë për kontrolle pas vetëdeklarimeve, një pretendim që sipas tatimeve nuk qëndron.
“Si pjesë e amnistisë është kryesisht falja e detyrimeve të prapambetura. Kemi shumë pak deklarime të mjeteve kryesore të cilat duhet të ishin deklaruar. Amnisti pa kushte nuk ka. Në qoftë se një biznes deklaron se ka nevojë të bëjë amnisti për veten e vet për një shumë të caktuar dhe nesër nuk del kjo por del një shifër tjetër , atëherë do të zbatohet udhëzimi i Ministrisë së Financave.”- deklaroi Nuredini.
Drejtuesit e administratës tatimore bëjnë të ditur se gjatë këtij viti janë grumbulluar 3.4% më shumë të ardhura se në 2010-ën, një shifër që ata e konsiderojnë si e ardhur reale, pasi për shkak të amnistisë në të nuk janë përfshirë borxhet e vjetra të biznesit.
Aurora Sulce
Ballkanweb.com
Add new comment