Alibeaj: Katapultimet apo spastrimet e panatyrshme e dëmtojnë PD-në

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili së fundmi është angazhuar si koordinator për riorganizimin e strukturave të PD-së në Vlorë, është i mendimit se “stili Basha” i opozicionit është e vetmja risi në këtë epokë të re të kulturës politike në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Alibeaj shpjegon se opozita e tashme po kërkon me persistencë të kultivojë në publik një qasje të re të marrëdhënies publik-politikë. “…Ky është fillimi më i mbarë i mundshëm, që mund të kishte opozita e PD-së”, – shprehet ai ndër radhë. Alibeaj nuk hyn gjithashtu tek ata njerëz që mendojnë për një ndikim “të shproporcionuar” të Berishës në politikën e PD-së. Megjithatë, si njohës i mirë i jetës legjislative, ai sugjeron një tjetër panoramim që duhet të ketë opozicioni parlamentar. “…Ajo çfarë unë vërej, është se aktivizimi i deputetëve të tjerë duhet të rritet në lartësinë e aktivitetit të z. Berisha. Një opozitë e gjendur nën një sulm të paprinciptë, siç po shpalos mazhoranca aktuale, e kërkon një sjellje të tillë”, – shprehet ai. Alibeaj flet gjithashtu për procesin e afërm të analizës në parti, ku duhet fokusuar ajo dhe çfarë duhet të kihet parasysh gjatë ringritjes së PD-së. Sa për punën e deritashme të qeverisë, ish-deputeti demokrat citon ndër radhë se “shkatërrimi është kryefjala e veprimit qeverisës”.
Z. Alibeaj, cila është radiografia që ju do u bënit katër muajve të parë të qeverisë “Rama”?
Si asnjëherë më parë, psikoza publike mbi këtë qeverisje nuk është ajo e një atmosfere shprese, e një atmosfere çliruese, qetësie apo paqeje masive. Të tilla atmosfera krijohen vetvetiu pas proceseve të rotacionit dhe jo për meritë të atyre që rezultojnë fitues të zgjedhjeve. Është ky një impuls politik, që vjen si “bonus” logjik i vetë ndryshimit. Ajo çka vërehet si një simptomë tejpërshkuese në opinionin publik është se mbi shqiptarët po instalohet përditë e më tepër një barrë e madhe dhune dhe presioni qeveritar. Shkatërrimi është kryefjala e veprimit qeverisës. Shkatërrim i ndërtimeve me leje apo pa leje, shkatërrim i ekonomisë së vendit, asfiksim i buxheteve familjare, dhunë mbi institucionet shtetërore, përmbysje e të gjitha reformave ligjore dhe jo vetëm, të arritura deri më tani. Pra, kemi një qeveri, e cila dhunon popullin e vet. Nga ana tjetër, deri më tani, ka dështime spektakolare në çdo sektor të shtetit, duke demonstruar një paaftësi totale në qeverisje. Rendi është më i pasigurt se kurrë. Tritoli mbretëron rrugëve. Krimi e ka vrarë frikën ndaj ligjit. Qytetarët kanë humbur qetësinë. Iniciativa ekonomike po sheh gjithnjë e më tepër të asfiksohet frikshëm dhe horizonti i falimentit po afrohet gjithnjë e më shpejt për ta. Nëpunësit publikë janë të ngërthyer nga një ankth i përditshëm i reprezaljeve të shkarkimeve arrogante, antiligjore dhe persekutuese. Zhgënjimi i qytetarëve ndaj premtimeve të bujshme për punësim masiv dhe të shpejtë po kthehet në dëshpërim. Çmimet janë duke u rritur frikshëm. Një depresion social po përfshin vendin. Ka disa qeveritarë të paaftë që krekosen nëpër studio televizive për ndonjë arritje sporadike, të cilët me tempizëm sistematik përgënjeshtrohen atypëraty nga tritoli i radhës. Të tjerë qeveritarë, detyrën e tyre ministrore, e kanë degraduar thjesht dhe vetëm në disa montatorë “dosjesh korruptive e abuzive” për të goditur paraardhësit, duke derdhur brenda tyre vrerin politik më hakmarrës të mundshëm. E mbi të gjithë këta qëndron një kryeministër, i cili e kalon ditën me intriga sms-sh apo batuta twitter-i dhe ndonjëherë sajon teatro të bujshme konferencash apo takimesh me stil bolshevik, duke u sokëllitur doganierëve si hajdutë, tatimorëve si delenxhinj, arsimtarëve si analfabetë, artistëve si pijetarë, mjekëve si xhahilë, ndërkombëtarëve si ekstremistë antishqiptarë dhe shqiptarëve vetë si popull i paemancipuar që “helmohet” dhe “manipulohet” nga opozita e që nuk meritojnë veçse të ulin kurrizin dhe duhet të durojnë shfrimet dhe përçartjet e tija kryeministrore. Ndërkohë, në sfondin politik të partisë së tij, po përhapet gjithnjë e më shumë një atmosferë e vërtetë lufte e ku përfaqësuesve të ndryshëm në qendër apo në bazë, ai vetë iu hakërrehet dhunshëm, duke i shantazhuar me tundje prangash dhe në ndonjë rast tjetër po ai vetë, bën sikur nuk dëgjon zhurmën e tritolit, me të cilin, këta të fundit duket sikur kanë vendosur të lajnë hesapet me njëri-tjetrin (siç edhe deklarojnë vetë publikisht). E si për të plotësuar tablonë e kësaj papërgjegjshmërie totale, tamam në mes të kësaj pragkatrahure qeverisëse, po i “përgjërohet” opozitës me një naivitet të shtirur diabolik, që të bëjë një reformë territorialo-administrative me të njëjtën shpotitje mendjelehtë të të hedhurit të vizave në kanavacën e shëmtisë qeverisëse që po projekton.
Z. Alibeaj, pas tetë vitesh në pushtet, cili është mendimi juaj për sjelljen politike të Partisë Demokratike në këta muaj të parë në opozitë, dhe drejtimin e saj nga Basha?
Është e kuptueshme, që sa herë verifikohen rotacione të pushtetit, vëmendja më e përqendruar e opinionit publik të drejtohet ndaj mazhorancës së re se sa ndaj opozitës. Megjithëkëtë, si rrallë ndonjëherë në provë të vërtetë sjelljeje dhe modelimi të opozitës është sot edhe PD. Ka qenë stratifikuar fort në kulturën politike të dekadave të fundit që opozita, thjesht për shkak të mosqenit në pushtet, të “shkarkohej” nga çfarëdo përgjegjësie në administrimin e punëve publike të shtetit. Është e vërtetë që opozita, ne terma praktike, nuk ka instrumente reale të pjesëmarrjes në këtë administrim të punëve shtetërore, por një opozitë nuk duhet “të përfitojë” nga ky “shkarkim” përgjegjësish e për këtë shkak, sjelljen e saj ta orientojë thjesht në një qëndrim kundërshtues të paarsyetuar ndaj mazhorancës apo të shkojë deri edhe në sjellje të papërgjegjshmërisë së plotë ndaj fateve dhe nevojave të vendit. Një sjellje të tillë, shqiptarët e kanë të freskët prej opozitës 8-vjeçare të PS. Ka ardhur koha tashmë, që opozicioni të rikonsiderohet si një qëndrim politik i arsyeshëm, i pjekur, bashkëpunues për çështjet madhore, serioze dhe e përgjegjshme. Pra, të ketë pikërisht virtytet e një fluksi politik, të aftë që në çdo moment të marrë përsipër barrën e rëndë të qeverisjes së vendit. Si e tillë, duhet të jetë një opozitë, e cila e ndërton linjën e vet politike në dy drejtime bazë: së pari, duke ofruar një qëndrim monitorues dhe kontrollues ndaj çdo aksioni qeveritar, duke e bazuar në një sistem vlerash, që e bashkëndan me të gjithë opinionin publik; dhe së dyti, duke artikuluar ofertën e vet politike përkundrejt zgjedhjeve që bën qeveria. Pra, një opozicion konstruktiv, aktiv, i përgjegjshëm. Vetëm në këtë mënyrë dhe që nga ky moment, fillojnë e hidhen baza solide të qeverisjes së saj të nesërme. Ajo çka është verifikuar deri më tash, është se pikërisht ky “dizenjim” revolucionar i psikozës opozitare tashmë është duke marrë jetë dhe po konvertohet gjithnjë e më fort në një linjë politike stabile të PD. Tashmë, ka prova të forta dhe të ripërsëritura se “stili Basha” i opozicionit është e vetmja risi në këtë epokë të re të kulturës politike në Shqipëri. Shqipëria ka një opozitë tashmë, e cila që në momentet e para të saj jo vetëm deklaroi, porse dha prova konkrete, që për çështje madhore të vendit, do të ishte jo vetëm në krah të mazhorancës, por edhe në mbështetje të plotë të saj. Kujtoni pakëz se çfarë qëndrimi mbajti opozita e djeshme, sot në qeveri, në 8 vitet e fundit. Qëndrimi i PD-së ndaj procesit të integrimit të vendit në BE, duke qenë në opozitë, është ngjarje e pandodhur më parë. Përgjatë 4 muajve të vitit të shkuar aksionin më të fortë lobues, me synim që Shqipëria të përfitonte statusin e vendit kandidat në BE, e bëri pikërisht ajo. Nuk ka ndërmarrë asnjë sjellje destruktive apo tekanjoze të tipit bojkot, apo të përfitimeve elektorale të pamerituara. Ka ndërtuar opozicion të fortë, duke respektuar plotësisht të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të kundërshtuar abuzimin me pushtetin, që kjo qeveri po praktikon rëndom. Sa herë që ka qenë kundër nismave politike të qeverisë jo vetëm i ka kundërshtuar publikisht në Kuvend, por edhe më pas, ka ndjekur rrugën në institucionet e Republikës (në Gjykatën Kushtetuese, kërkesat për komisione hetimore, kërkesat që çdo aksion i mazhorancës politikisht të mbështetet në premtimet që ajo vetë bëri gjatë fushatës etj). Pra një opozitë, që përkundrejt qasjes së mazhorancës tregon besim dhe respekt tek vetë struktura shtetërore e vendit dhe që po kërkon me persistencë të kultivojë në publik një qasje të re të marrëdhënies publik-politikë. Ky është treguesi më domethënës, që tregon se fenomeni i opozicionit aktual të PD së kësaj periudhe ka celebruar më së fundi, pikërisht tejkalimin e periudhës së “tranzicionit në ndërtimin e shtetit”. Ashtu si pa u kuptuar, kjo opozite e deritanishme, i ka bërë një shërbim epokal dhe historik vendit. Ky është fillimi më i mbarë i mundshëm, që mund të kishte opozita e PD.
Ju jeni caktuar kryetar i grupit të punës për zgjedhjet në Vlorë, një zonë kjo e nxehtë për t’u menaxhuar. Në këndvështrimin tuaj, çfarë duhet të kihet parasysh gjatë analizës së PD-së në këtë zonë? Së dyti, në këtë qytet janë krijuar disa rryma politike ndër vite, ku përfshihen ish-zyrtarët që ishin pjesë e pushtetit, të pakënaqurit që u lanë mënjanë, të rinj që kanë legjitimitet për t’u afruar, si dhe emra të tjerë që vijnë kryesisht nga shtresa e ish-të përndjekurve…Si drejtues i këtij procesi, si do t’i harmonizoni këto rryma?
T’ju bëj një saktësim. Jam caktuar si një i deleguar për të koordinuar këtë fazë të parë të riorganizmit të strukturave të PD në lidhje me evidentimin e plotë, të saktë, e të dokumentuar të anëtarësisë së PD së degës Vlorë. Perceptimi juaj mbi ekzistencën e këtyre rrymave nuk është i gjithi i pavërtetë. Për kaq pak kohë në këtë angazhim kam vënë re, jo pakënaqësi, se tej qejfmbetjeve, fajeve apo edhe gabimeve që mund të kenë bashkëshoqëruar këtë strukturë, gjate kohës që PD ishte në qeverisje, ka një shpirt të vërtetë demokratësh të Vlorës, besimi i të cilëve në vlerat historike që PD mbart është më se energjik. Është kjo premisa bazë, e cila garanton sukses të plotë në këtë proces të ringritjes së ideologjisë dhe politike të së djathtës në Shqipëri. Në Vlorë, ky shpirt ideologjik i së djathtës së vërtetë është më i pastër se në çdo vend tjetër. Kjo karakteristikë e bën të vështire nga njëra anë këtë proces, pasi fyerja e një shpirti krenar kërkon sforco të mëdha të rikrijosh marrëdhënien e besimit, por nga ana tjetër edhe e lehtëson, pasi zemërgjerësia dhe altruizmi i këtij shpirti është i pakufishëm kur arrihet të rikrijohet ky besim. Unë nuk kam ndonjë formulë magjike. Thjesht do më duhet, jo vetëm mua, por edhe kolegëve të mi, të shohim realitetin në sy, dhe të ndërgjegjësohemi të gjithë së bashku, se në këtë proces ringritjeje, ka nevojë për të gjithë, duke bërë gjithsecili mea culpan-n e vet dhe duke iu rikthyer vlerave morale dhe njerëzore të hershme të PD, të mishëruara tek aktivistët idealistë dhe kontributorët historike nga njëra anë, të mbështetur fuqimisht nga energjia e të rinjve. Analiza do të jetë një fazë pasardhëse. Realizimi i saj do të bëhet duke u orientuar nga synimi për të optimizuar frymën partiake të strukturave. Drejtësi në identifikim e plotë të meritave dhe defekteve në menaxhim, të flukseve njerëzorë bartës të këtyre defekteve apo kontributeve, gjithëpërfshirjes në këtë proces, përballja me të vërtetën dhe mundësimi i korrigjimit energjik të këtyre defekteve do të jetë formula bazë e analizës. Një grupim politik tregon forcën e vet pikërisht tek aftësia për t’u korrigjuar “brenda familjes”, duke dhënë sinjale të forta në publik për këtë qasje. Kjo është ajo çka do të ndodhë në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë.
Si do t’i përgjigjeshit opsionit që po hidhet në analizën politike se pas humbjes së 23 qershorit, në drejtim të partisë duhet të vijnë njerëz të rinj, ndërsa disa prej “të vjetërve” duhet të kalojnë në skalion të dytë, pasi e patën mundësinë e tyre dhe e bënë në njëfarë mënyre ciklin politik apo menaxherial?
Është një opsion që ashtu siç është formuluar, nuk është gjë tjetër veçse të vazhdohet me të njëjtin modul si më parë. Çështja nuk është se “çfarë duhet bërë”. Katapultimet apo spastrimet e panatyrshme, të nxituara dhe të bëra në situata dëshpërimi janë akoma më shumë të dëmshme. Ajo çfarë është e rëndësishme, është se “si duhet bërë”. Ka një mekanizëm shumë të thjeshtë dhe që garanton bashkim të të gjitha flukseve, shëndosh grupin dhe konservon trajektoret normale të karrierave politike brenda partiake. Është mekanizmi i garës brenda partiake. Një proces gare i hapur, i drejtë, bazuar në vlera dhe rregulla të paracaktuara, është rregullatori më i mirë në këto raste, i aftë për të mos krijuar as qejfmbetje eventuale. Kështu pra, lidhur me pyetjen tuaj, për mua është i parëndësishëm produkti, porse procesi është determinant.
Ka një debat publik mbi rolin e zotit Berisha në PD, tashmë që ka dhënë dorëheqjen. Shumë analistë mendojnë se ai vazhdon të jetë ende shumë ndikues në aksionin politik të PD-së. Në këndvështrimin tuaj, si ju duket ndikimi i zotit Berisha? A duhet që PD-ja të krijojë një fizionomi të re nën drejtimin e Bashës, duhet t’i qëndrojë besnike trashëgimisë së liderit historik, apo fare mirë mund të kemi një shkrirje të dy rrymave politike?
Nuk e ndaj me ju këtë ndjesi. Ndoshta menjëherë pas dorëheqjes së tij dhe zgjedhjes së lidershipit të ri u krijua një perceptim i tillë, kjo më shumë në saj të “befasisë”, prej së cilës u kapën shumë njerëz prej këtij procesi, mes tyre edhe analistë, kryesisht ata me frymëzim të majtë. Tashmë, është e kristalizuar qartë linja politike e PD, e cila pa asnjë mëdyshje orientohet nga stili i të bërit politik të kryetarit, z. Basha. E shpjegova më sipër, që “modeli Basha” i të bërit politikë, për shkak se koha dhe situata e re e kërkon, është ravijëzuar qartë tashmë. Është jo vetëm e udhës, porse është e nevojshme konsultimi i kryetarit të Partisë me të gjithë asetet politike të partisë e ndër ta, edhe me deputetët, përfshi z. Berisha. Kam idenë që ata që shpërhapin një tymnajë të tillë, pra të një ndikimi “të shproporcionuar” të z. Berisha në politikën e PD, e thonë këtë ngaqë e njohin forcën e vërtetë politike të tij dhe për më tepër, i tremben asaj!! Ajo çfarë unë vërej, është se aktivizimi i deputetëve të tjerë duhet të rritet në lartësinë e aktivitetit të z. Berisha. Një opozitë e gjendur nën një sulm të paprinciptë, siç po shpalos mazhoranca aktuale e kërkon një sjellje të tillë. E udhës është që në instancë të parë, opozita të mbajë qëndrimin e deritanishëm, pra pjekuri politike, klas dhe elegancë në formulimin dhe artikulimin e ofertës dhe qëndrimeve politike, persistencë skrupuloze në ruajtjen e vlerave të demokracisë, por sigurisht duhet të shndërrohet në opozitë qëndresëtare dhe përballuese ndaj çdo sulmi me dhunë, që bën kjo mazhorancë, qoftë edhe “sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”.
Nisur nga bashkëqeverisja e mandatit të shkuar, ka një diskutim informal për rolin e LSI-së në të ardhmen e skenës së politikës shqiptare dhe marrëdhëniet që duhet të mbajë PD-ja me të… Në të njëjtën kohë vihet re se kreu i LSI-së po kërkon çdo ditë e më tepër të marrë një rol moderatori mes PS e PD, çka në një interpretim të sforcuar mund të merret dhe si një mundësi e dytë për bashkëpunimin e nesërm. Ju personalisht, si e shihni një bashkëpunim të dytë PD-LSI?
Në pyetjen tuaj ju prekni dy çështje tërësisht të dallueshme me njëra – tjetrën. Përsa i përket njëfarë “legjende urbane”, sipas së cilës ekzistojnë “informalisht’ apo në mënyrë “të padukshme” fije të holla flirtimesh të largme midis PD dhe LSI. Ju garantoj se jo vetëm për shkak të një arsyetimi të qartë politik, por edhe për shkak të realitetit të ri politik, unë refuzoj ta pranoj se ekziston një diskutim i tillë, edhe informal qoftë ai. Aq më tepër, që të tilla “thashethemnajash” politike nëse qarkullojnë, gjenerohen nga një psikozë dëshpërimi e paaftësisë së PD për të fituar e vetme garat elektorale. PD është forcë kryesore politike në Shqipëri, e aftë plotësisht që në sfidat elektorale të radhës të marrë e vetme besimin popullor për të qeverisur vendin. Unë do të preferoja që vërtet në panoramën politike shqiptare të kishte vërtet flukse fragmentare, të cilat të bënin të mundur edhe kultivimin e kulturës së bashkëpunimit politik nën formën e aleancave. Por mbi të gjitha, do dëshiroja që ndarjet e natyrshme ideologjike dhe programore të respektoheshin deri edhe me fanatizëm. Ndryshe, çfarëdo “aliazhi” partiak, i bazuar në nevoja teknike të momentit nuk do ta kishte jetën e gjatë dhe se do dëmtohej rëndë marrëdhënia politike dhe e mbështetësve, e mbi të gjitha do injektohej një frymë e gabuar në sistemin qeverisës. Pretendimi për të fituar zgjedhjet politike duhet të ruajë të painfektuar vlerën kryesore të demokracisë, sipas së cilës pushteti është mjet për të qeverisur dhe jo thjesht qëllim në vetvete. Veç kësaj, duhet mbajtur parasysh se krijimin ose jo të aleancave e dikton dikush tjetër. Është sovrani, ai i cili nëpërmjet raporteve të rezultatit zgjedhor japin mesazhin e krijimit ose jo, me kë dhe në çfarë mase të aleancave paszgjedhore. Jam totalisht kundër kulturës së krijimit të aleancave të panatyrshme parazgjedhore, pasi iu mungon elementi thelbësor i moralit politik. Një aleancë parazgjedhore midis palëve, që deri në atë moment kanë qenë kundërshtarë të pastër politik është e frymëzuar vetëm nga nevoja pragmatiste të mashtrimit të elektoratit apo fitoreve aritmetikore dhe si e tillë, nuk premton aspak për cilësi të qeverisjes. Një shembull klasik është ai që po konsumohet aktualisht me aleancën e mazhorancës aktuale. Nën këtë arsye, mund t’ju pohoj për aq sa unë kam njohuri se nuk ka kurrfarë linje okulte politike mes PD dhe LSI. Kjo edhe për faktin tjetër se deri më tash, (në të kundërt të asaj çfarë ju pohoni, që z. Meta po mban qëndrim moderatori) aksioni politik i LSI është pothuajse i fikur, pa identitet, i njehsuar me linjën politike të PS. Ka patur dy-tre përçapje të LSI për t’u shfaqur “ndryshe” nga PS, por është tërhequr me shpejtësi, duke e përforcuar metamorfozën që po ndodh me aksionin politik të saj, pra me shuarjen tërësore të saj. LSI është përgjegjëse për paudhësitë e PS dhe Ramës, po aq sa këta të fundit e ndoshta edhe më tepër, sepse shpesh gjenden në situata deri edhe groteske, teksa janë detyruar të gëlltisin edhe ato pak merita që kanë patur gjatë bashkëqeverisjes me PD. Tashmë nuk është më një grupim politik, por thjesht një grup njerëzish, që kanë “miqësi” apo “familjaritet” me tepër se me pjesën tjetër të PS. Nuk kanë as kauzë, as identitet e as program politik të dallueshëm nga pjesa tjetër. Kështu që nuk mund të flitet për atë çka ju thoni në pyetje.
Mapo
Add new comment