Akuzat e Ramës, Noka: Kërkon të bëjë presion ndaj policisë

Postuar në 23 Janar, 2013 01:41

 

Ministri i Brendshëm Flamur Noka ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, që sipas tij mbajti qëndrim kundër policisë dhe pro krimit. Noka ka  akuzuar kreun e opozitës se kërkon t’i bëjë presion Policisë së Shtetit dhe të inkurajojë krimin e organizuar.

“Rama solli sot 2 qëndrime të mbrapshta. Së pari kundër policisë që mbrojnë jetën e individit dhe së dyti mbrojti krimin në rrugë. I bëj thirrje Ramës që përpjekje të tilla janë të pafrytshme dhe do të jenë pa rezultat pasi presioni nuk ndal punën e Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar qofshin këto dhe në zyrën e zotit Rama”, tha Noka në një konferencë për shtyp.

Kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi se Rama është i pashpresë me strategjinë e tij për Policinë e Shtetit.

“Është kjo polici që goditi këto vite 220 banda që ishin njëjtësuar me PS-në dhe bënin ligjin në çdo cep të territorit të vendit. Kjo polici i dha fund epokës së skafeve dhe që u garanton shqiptarëve kufij të sigurt dhe lëvizje të lirë në hapësirën “Shengen” dhe meriton vetëm mirënjohje. Në strategjinë e tij për policinë, Rama është i pashpresë. Përdorimi i kandidatëve me precedent penalë në zgjedhjet e 2011-ës, e çoi atë në humbje. Shqiptarët kanë sy dhe veshë i njëjti fat e pret dhe në 23 qershor. Z Rama nuk i shton dot aksionet politike duke iu kundërvënë uniformave blu, duke nëpërkëmbur jetën e punonjësve të rendit që bien në krye të detyrës”, ka thënë Noka.

Më herët, kryesocialisti Rama deklaroi se policia është e tradhëtuar nga kupola e inkriminuar që drejton Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit. Ai akuzoi drejtuesit e Ministrisë së Brendshme se po kryejnë riorganizim në funksion të mbatjes së pushtetit në zgjedhjet e 23 qershorit.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.