Akuzat e PD për fshehjen e krimit, reagon MB: Jemi transparent, po reformojmë policinë

Postuar në 19 Janar, 2014 03:04

Zv.ministria e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea ka reaguar në lidhje me akuzat e deputetëve të opozitës për fshehje të tre ngjarje të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit.

“Rezultatet konkrete të punës së Policisë së Shtetit për luftën ndaj kriminalitetit, uljen e numrit të vrasjeve, uljen e numrit të aksidenteve dhe goditjen e korrupsionit e krimit të organizuar, i kanë prishur humorin jo vetëm përfaqësuesve të botës së krimit, por edhe përfaqësuesve të opozitës, të cilët jo më larg se 4 muaj më parë, lanë trashëgimi fytyrën e Policisë së Shtetit si organizatë partiake në shërbim të interesave dhe synimeve elektorale më shumë sesa në interes të qytetarëve”, u shpreh Gjebrea.

sipas saj me një sulm të koordinuar, të bazuar në mashtrime dhe fakte të trilluara, deputetë të opozitës, ditët e fundit janë duke u përpjekur për të vënë në dyshim rezultatet e punës së Policisë duke shtuar me shpifje shifrat e kriminalitetit. “Atë që bënin vetë deri dje, kujtojnë gabimisht se e bëjmë dhe ne sot.

Ministria e Punëve të Brendshme e ndien si detyrim ndaj qytetarëve transparencën dhe përkushtimin ndaj të vërtetës. Policia e Shtetit jo vetëm që nuk po i fsheh asgjë publikut, por është duke ndërmarrë reforma të sistemit, të atilla që do garantojnë rritjen në maksimum të transparencës dhe komunikimit me publikun.

Konkretisht, deputetë të opozitës kanë akuzuar sot se Policia ka fshehur tre ngjarje të ndodhura gjatë dy ditëve të fundit. Krejtësisht e pavërtetë dhe gazetarët mund ta provojnë lehtësisht këtë gjë, mjafton të kontrollojnë komunikatat për shtyp të ditëve të fundit, ku do të gjejnë të tre rastet e përmendura nga opozita.

1. PD pretendon se kemi fshehur plagosjen ndaj shtetasit I.K. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar shtetasi I.K. 19 vjeç është plagosur me një mjet prerës në qendër të Kamzës dhe është dërguar në spitalin ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore, në rrezik për jetën. Policia ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur atë në kërkim.

Kjo është komunikata e shpërndarë dje nga policia e Tiranës dhe informacioni i tretë në radhë i përket pikërisht ngjarjes së mësipërme, të cilën policia ua komunikuar mediave.

Sot në orën 09.30 shtetasi I.K. ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra.

Kjo është komunikata e lëshuar nga Policia që informon për vdekjen e shtetasit I.K.

2. PD pretendon se kemi fshehu vjedhjen e shtetasit A.Q. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se në datë 16 janar në fshatin Torrovicë shtetasi A.Q., ka denoncuar se dy persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet ngjyrë blu i kanë kërkuar ti ndihmonte për t’i rimorkuar me makinë dhe më pas i kanë vjedhur një shumë prej 900 mijë lekësh.

Kjo është komunikata e shpërndarë dje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë, ku informohet lidhur me këtë ngjarje.

3. PD pretendon se kemi fshehur atentatin ndaj shtetasit A.S. Gënjeshtër. Policia e Shtetit ka shpërndarë komunikatë në media ku njoftohet se dje rreth orës 21:30, në Fushë – Mëzez, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësit të policisë A.S. me detyrë agjent i policisë gjyqësore, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Edhe kjo ngjarje është pasqyruar në komunikatën e sotme të policisë së Tiranës.

Sqarojmë se për të treja këto ngjarje, materialet hetimore janë referuar në organin e prokurorisë, gjë që e bën akoma më të pamundur fshehjen e tyre.

Gjithçka u paraqit më lart vërteton përtej çdo dyshimi se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk kanë as më të voglin synim për të fshehur realitetin e kriminalitetit në vend, apo më keq akoma për të manipuluar shifrat e veprave penale.

Synimi i vetëm i Ministrisë së Brendshme mbetet reformimi i vazhdueshëm i Policisë së Shtetit dhe rikthimi i saj në krye të detyrës, për t’ju përgjigjur sa më mirë standardeve të shërbimit që kërkojnë qytetarët. Për të bërë sa më mirë detyrën institucionale në luftën kundër kriminalitetit të rrugës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Na vjen keq që kemi prishur rehatinë e atyre që deri dje e mbanin veten të paprekshëm, përfshirë këtu pushtetarët e deridjeshëm, opozitarët e sotëm. Dhe akoma më keq na vjen që nuk i ndihmojmë dot as sot e as në të ardhmen, sepse jemi angazhuar së bashku me qytetarët për barazinë para ligjit, drejtësinë dhe luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë këtu edhe korrupsionin e fshehur pas rrënojave të murit të pandëshkueshmërisë”, u shpreh ajo.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.