21 Janari, Rama mesazh sot përpara Kryeministrisë

Dje u mbyll rikonstruksioni i fasadës së godinës. Detajet e ceremonisë së tretë
Fatjona Mejdini
Përkujtimi i përvjetorit të tretë të 21 Janarit pritet të zhvillohet përmes një ceremonie të veçantë mesditën e djeshme, përpara Kryeministrisë, vendit ku katër protestues të pafajshëm humbën jetën. Me këtë rast godina e Kryeministrisë mbylli dje procesin e rikonstruktimit të saj të jashtëm, duke paraqitur në këtë përvjetor të tretë një imazh të transformuar të saj. Kangjellat rrethuese dhe palmat janë zëvendësuar nga shkurret dekorative dhe një fasadë më me dritë, në pritje të ceremonisë së radhës për Ziver Veizin, Aleks Nikajn, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn. Ndërkaq, pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishin ngritur dhe poltronët e kuq ku do të vendosen fotografitë e katër të vrarëve, të cilat përkojnë me vendet ku trupat e tyre u gjenden pa jetë. Sot pritet të inaugurohen dhe katër memorialët në nder të katër viktimave. Ndërkaq, ceremonisë së sotme të përkujtimit do t’i paraprijë dhe një vizitë që familjarët e katër viktimave do të bëjnë në zyrën e Kryeministrit të vendit, Edi Rama. Më pas në orën 11.00 pritet të zhvillohet dhe ceremonia përpara godinës së Kryeministrisë ku përveç familjarëve pritet të marrin pjesë dhe deputetët socialistë dhe po kështu qytetarë të shumtë. Ndërkaq, një nga risitë e kësaj ceremonie është një fjalë që do të mbajë Kryeministri Edi Rama. Burimet bëjnë të ditur se Rama do ta vendosë theksin te drejtësia e munguar në lidhje me këtë ngjarje, e cila ka ndodhur tre vite më parë dhe ende nuk i është nënshtruar një procesi shterues gjyqësor.
Atmosfera
Ky përvjetor i 21 janarit është i pari në të cilin socialistët janë në pushtet dhe për këtë arsye ata pritet të krijojnë një ceremoni të veçantë për këtë rast. Kështu, një nga elementet më të rëndësishme të saj do të jenë katër pllakat e metalit, të cilat do të vendosen në bulevard. Nga ana tjetër, godina e Kryeministrisë përfundoi dje dhe procesin e restaurimit të saj në pjesën e fasadës së jashtme, duke e kthyer atë në një pamje të paqtë, pas imazhit negativ të krijuar nga vrasja e protestuesve. Nga ana tjetër, Rama ka parashikuar dhe një pritje për familjarët e viktimave në zyrën e tij, duke i dhënë atyre të gjithë mbështetjen e nevojshme emocionale në një ditë kur përkujtojnë humbjen e të dashurve të tyre.
Mesazhi
Në rast se vitet e tjera, Rama ka preferuar të jetë i heshtur përgjatë ceremonisë përkujtimore të 21 janarit, këtë vit Kryeministri do të mbaj një fjalë të shkurtër në përfundim të saj. Burimet bëjnë të ditur se kjo fjalë do të përqendrohet te mesazhi që ai do t’i japë sistemit të drejtësisë, për sa i përket nevojës për të zbardhur në mënyrë të plotë ngjarjet e 21 janarit të vitit 2011, kur përveç faktit se katër njerëz të pafajshëm humbën jetën, qindra të tjerë u dhunuan nga policia thjesht për faktin se gjendeshin përpara Kryeministrisë gjatë kohës që mbahej protesta.
Shqip
Add new comment