“Edhe daja i fëmijëve të Berishës me pasuri përrallore. Shkëlzeni, konsulent në privatizimin e HEC-eve”

“Përçartje që tregon se Kryeministri vazhdon të jetë rëndë me shëndetin mendor”, e ka konsideruar deputeti i PS, Taulant Balla qëndrimin e Berishës, i cili në vend që të japë përgjigje për pasurimin e dyshimtë të fëmijëve të tij, diskuton për raportin e një zyre konsulence, sipas të cilit Shqipëria është e katërta në botë për mirëqenien. Deputeti socialist gjatë një konference për shtyp të dhënë sot paradite, e ka komentuar këtë raport duke thënë se për të nxjerrë rezultatet e tij, ndoshta në Shqipëri është marrë si shembull i rritjes së mirëqenies vetëm familja e kryeministrit, e cila sigurisht ka dhe koeficientin me të lartë në botë të kthimit të pasurisë publike në pasuri dhe mirëqenie personale familjare.
Pasi ka renditur edhe një herë pasuritë e fëmijëve të Berishës, deputeti Balla ka vijuat transparencën me dy anëtarë të tjerë të familjes biologjike të Kryeministrit.
Por pyetjeve publike të ditëve të fundit u është shtuar edhe një tjetër, po aq e rëndësishme dhe që lidhet me një nga privatizimet më të diskutuara të ditëve të fundit. “Po në privatizimin e katër hidrocentraleve, a ka dhënë konsulencë ndërmjetësi Shkëlzen Berisha për njërën prej kompanive, që mund të jetë edhe kompania fituese”, është shprehur Balla.
Për deputetin socialist Sali Berisha u detyrohet një përgjigje shqiptarëve për pasurimin e marramendës dhe shumë të dyshimtë të fëmijëve dhe familjarëve të tij.
DEKLARATA
“Kryeministri i vendit vazhdon të mos japë përgjigje për mënyrën e pasurimit të familjes së tij biologjike, ndërsa prej dy ditësh po flet përçart për një raport të një zyre konsulence, sipas të cilit Shqipëria është e katërta në botë për mirëqenien. Më e pakta që mund të themi për këtë është se Kryeministri vazhdon të jetë rëndë me shëndetin mendor. Raporti në fjalë paska bërë një vlerësim të vendeve sipas koeficientit të kthimit të pasurisë publike në mirëqenie të qytetarëve. Ka vetëm një mundësi që Shqipëria të jetë e katërta sipas këtij koeficienti: të jetë marrë si shembull vetëm familja e Sali Berishës, e cila sigurisht ka dhe koeficientin me të lartë në botë të kthimit të pasurisë publike në pasuri dhe mirëqenie personale familjare.
Po, ka shumë mundësi të jemi të parët në botë për shpejtësinë e pasurimit të familjes së Kryeministrit të vendit. Sepse në familjen e Sali Berishës, vajza e tij na doli të ishte mësuesja më e paguar në botë, me 146 milionë lekë në vit. Në familjen e Sali Berishës, vajza dhe djali i tij, fitojnë 1,034 miliard lekë në një vit të vetëm ose 3 milionë lekë në ditë. Kjo është familja e ngushtë e Kryeministrit. Por sot po ju tregojmë shqiptarëve që edhe të afërmit e brezit të parë të Sali Berishës qenkan edhe këta miliarderë. Daja i fëmijëve të Sali Berishës, Agim Rama, pasuri përrallore disa miliardë. Mbesa e bashkëshortes së Sali Berishës, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, pasuri përrallore disa miliardë. Pra në familjen biologjike të Sali Berishës çdo anëtar i saj është miliarder.
Si ka mundësi që çdo anëtar i familjes së Sali Berishës paska vënë gjatë këtyre viteve pasuri të tilla përrallore, ndërsa shqiptarët e thjeshtë jetojnë pasojat e krizës së thellë ekonomike dhe sociale ku i ka zhytur Sali Berisha. I ripërsërisim sot Sali Berishës kërkesën për t’i dhënë përgjigje shqiptarëve se cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar juristja Argita dhe ndërmjetësi Shkëlzen? Cilët janë pronarët e këtyre bizneseve? A ka ndonjë lidhje mes këtyre bizneseve që janë falur në derën e fëmijëve të kryeministrit dhe punës që bën babi i Argitës dhe Shkëlzenit? A kanë përfituar para publike, licenca apo koncesione të pasurive shtetërore, nga ato që i menaxhon babi Saliu, biznesmenët që kanë kërkuar konsulencën e Argitës apo ndërmjetësimit e Shkëlzenit? Sepse Shkëlzeni dhe Argita nuk mjafton të thonë që kanë bërë 3 milionë lekë në ditë, por duhet të argumentojnë mënyrat dhe bizneset si i kanë bërë?
Kemi dhe një pyetje që lidhet me privatizimin më fundit të qeverisë së Sali Berishës. Po në privatizimin e katër hidrocentraleve, a ka dhënë konsulencë ndërmjetësi Shkëlzen Berisha për njërën prej kompanive, që mund të jetë edhe kompania fituese. I themi përsëri sot Sali Berishës se ai i detyrohet një përgjigje shqiptarëve. Në të kundërt ai duhet të marrë përsipër fajësinë publike të pasurimit korruptiv, të marrë përsipër përgjegjësinë ligjore dhe të dorëhiqet, për t’i hapur rrugën hetimit të plotë dhe gjykimit të paanshëm të pasurimit të familjes së tij.”
Tema
Add new comment