Tarifat dhe zhurma e zhvlerësimit të dollarit - lufta e Trump me Kinën

Postuar në 10 Prill, 2025 20:53
Skerdilajd Zaimi

 

Kina është tashmë objektivi i vetëm real i tarifave tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Ameriës.  Mjaftuan vetëm katër ditë që Donald Trump të njoftojë pezullim 90 ditor të tarifave, përveç Kinës. Nga ana e vet, kundërveprimi ka qenë thuajse global. Të gjitha vendet kanë njoftuar tarifat e tyre dhe sot, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se edhe BE do të pezullonte tarifat e veta në kërkim të një marrëveshjeje të re tregtare me SHBA. Kështu mbetet vetëm Kina dhe SHBA në një luftë të vërtetë tregtare.

Në kuadër të kësaj që po ndodh diskutimet mbi politikën e Trump janë të shumta dhe edhe interpretimi i synimeve të tij po ashtu. Po persiston megjithatë ideja se Donald Trump po kërkon të imponojë të ashtuquajturin Akordi i Mar- a-Lago që sugjeron një marrëveshje të re monetare në aspektin ndërkombëtar, zhvlerësim të dollarit në funksion të uljes së këstit të interesave të borxhit të SHBA që është tashmë i papërballueshëm, pa çuar në rënie, detyrimin e partnerëve tregtarë që të investojnë në bonde 100 vjeçare çka do t’i jepte SHBA kohë për të bërë pagesat në periudhë maturimi 1 shekullor.  

Për ta justifikuar këtë, njerëz pranë Donald Trump sjellin shembuj të mëparshëm: ka patur disa marrëveshje monetare si Plaza, Louvre, Samiti i Williamsbourg. Të gjitha lidhur me mbiçmimin e dollarit dhe nevojën e lehtësimit të qarkullimit tregtar dhe uljen e defiçitit të ShBA. Mirëpo në rastin e tanishëm ka dy probleme: së pari rikthimi te tarifat është politikë që shkon përkundër prirjes së përgjithshme dhe mënyrës si qarkullon kapitali. Së dyti, ka shumë që besojnë se precedentët e sipërpërmendur nuk mund të aplikohen më.

Është e vështirë, në mos e pamundur që të shohësh te tarifat një hap të parë në një strategji më të madhe

është shprehur, David Hening, nga Qendra Europiane për Ekonominë Politike Ndërkombëtare.

Është tërësisht e dëmshme dhe e vetëshkaktuar. Nëse mendon se deficiti në prodhim ishte një problem, kjo nuk është mënyra për ta zgjidhur. Është e pamundur që në të njëjtën kohë të ndjekësh problemin e deficitit dhe të mbash dollarin të zhvlerësuar si monedhë botërore  

shprehet Lord Daniel Hannan, president i Nismës për Tregti të Lirë.

Një tjetër këndvështrim vjen nga vendi më i prekur në thelb nga tarifat amerikane: Japonia. SHBA është për Japoninë destinacioni kryesor i eksporteve të veta, 28%. Për Naoyuki Shinohara, një ish-zyrtar i lartë i FMN-së:

Çdo përpjekje e SHBA për të koordinuar një zhvlerësim të dollarit përmes një marrëveshjeje si e ajo e Plaza më 1985, nuk do të funksionojë, pasi do të kërkojë konsensusin e Europës dhe Kinës. Ndërhyrja në monedhë, edhe nëse koordinohet mes shteteve, është bërë përherë e më pak efektive pasi tregjet janë bërë shumë të mëdhenj

citohet ai.

Thënë ndryshe askush nuk di të dakordësohet me Donald Trump për politikën e tij të tarifave dhe ca më tej për mënyrën sesi e aplikoi atë. Kjo nuk është hera e parë dhe qartazi, nuk është një aventurë dhe as aksident. Është një bindje mes shumë njerëzve të kualifikuar. Raportohet se personi që qëndron pas idesë së tarifave është Stephen Miran i “Hudson Bay Capital”. Në një ese të nëntorit 2024, titulluar: "Një udhëzues përdorimi për Ristrukturimin e Sitemit të Tregtisë Botërore”, Miran parashtron përfitimet nga politika e tarifimit duke marrë si pikënisje politikën e tarifave të aplikuara në mandatin e parë të Donald Trump, në vitet 2018-2019.

Në kreun ku flet për Implementimin e Tarifave, Miran vë në dukje se ato duhet të jenë një politikë e zbatueshme në mënyrë graduale, por konsistente duke synuar gjithnjë:

Presion përherë e më të madh kapitalesh mbi Kinën dhe më shumë rregullime në zinxhirin e furnizimit. Dhe me presion domethënës mbi Kinën është e mundshme të arrihen koncesione më të mëdha tregtare

Me gradualitet, Miran nënkuptonte së pari faktin se “Presidenti Trump dhe ata që do jenë stafi i tij ekonomik, kanë një histori të kujdesit të thellë për tregjet financiare duke cituar tregun e aksioneve si evidencë të rritjes ekonomike dhe fuqisë”, së dyti se administrata Trump 2 do të vazhdojë me “ndryshime të thella strukturore në kodin ndërkombëtar fiskal” dhe së treti, në funksion të këtyre të dyjave, goditja pozitive e Kinës për ta bërë atë të konkurueshme në terma të standardizuar.

Për ta zbatuar këtë do të kërkohet aplikim i tarifave me ritmin e 2018-2019(arritën në 25%), e hedh topin në fushën e Kinës për të reformuar sistemin e vet ekonomik; lejon tarifat të tejkalojnë 60% rrugës; u ofron kompanive qartësi mbi drejtimin e tarifave duke i ndihmuar të bëjnë plane për të përballuar zinxhirin e furnizimit dhe lëvizjen e prodhimit jashtë Kinës; kufizon luhatjet e tregjeve duke eliminuar pasiguritë për zbatimin e tarifave

shkruan Miran.

Edhe me këto terma, Donald Trump nuk ka ecur. Ai ka bërë gati të kundërtën e kësaj që i këshillohet. 

Megjithatë ka një zhurmë edhe mbi vetë premisën e Miran. Ai e cilëson praktikën e viteve 2018-2019, si pozitive nisur nga fakti se përmes tarifave të atëhershme SHBA arriti të diktonte një marrëveshje tregtare me Kinën, quajtur “Phase 1”, e cila në thelb lidhet me faktin se Kina duhet t’i nënshtrohet rregullave të tregut që të mund të vlerësohet konkurueshmëria e saj po me rregullat e tregut.

Miran thotë se Kina nuk e zbatoi marrëveshjen në fjalë dhe kjo në një plan justifikon sot atë që po bën Trump. Mirëpo vetë Rezerva Federale e SHBA, në një punim të dhjetorit 2019, pra dy vjet nga hyrja në fuqi e tarifave të para, vlerëson se kjo politikë nuk nxiti as punësimin, as prodhimin në SHBA. Ndonëse vë në dukje se vlerësimet e bëra ishin për efektet afatshkurtra të tarifave, autorët vënë në dukje se:

Rezultatet tona sugjerojnë se përdorimi tradiconal i politikës tregtare si mjet për mbrojtjen dhe promovimin e prodhimit të brendshëm është i ndërlikuar nga prania e zinxhirëve të ndërlidhur globalisht të furnizimit

E thënë ndryshe, parashikueshmëria për efektin e një ekuilibri tregtar të prishur është shumë e vështirë të përfshijë të gjitha reagimet në një ekonomi që nuk mund ta shohë SHBA të lidhur me Kinën në një bilanc strikt dypalësh, ndërkohë që në mes janë një seri aktorësh të tjerë. 

Nuk është e rastit që dje gazeta shtetërore kineze “Global Times” vinte në dukje rëndësinë e globalizmit të ekonomisë si “rruga e pakthyeshme për progresin njerëzor”. Nga ana tjetër, sot, pra kur presidenti i SHBA, Trump bëri të qartë se tarifat deri në 145% i ka për Kinën vetëm, Pekini zyrtar ka publikuar “Pozicionin e Kinës mbi disa Çështje që kanë të bëjnë me Marrëdhëniet Tregtare SHBA-Kinë”. Në material, pala kineze hedh poshtë thuajse të gjitha premisat e artikuluara nga SHBA për përligjjen e tarifave. Kështu sipas të dhënave të OKB-së të cilave u referohet Kina:

  • Në vitin 2024 vëllimi tregtar arriti në 688.28 miliardë dollarë, 275 herë më shumë se në vitin 1979 dhe 8 herë më shumë sesa në vitin 2001 kur Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë.
  • Në vitin 2024 eksportet kineze në SHBA zinin 14.7% të të gjithë eksporteve të saj, kurse imoprtet nga SHBA ishin 6.3% të imoprteve në total.
  • Eksportet e SHBA drejt Kinës janë rrittur më shpejt se në çdo vend tjetër ku SHBA eksporton. Në vitin 2024 eksporti i SHBA në Kinë arriti në 143.55 miliardë dollarë, ose 648.4% rritje nga viti 2001.

Nëse shohim shifrat mund të vihet re fare lehtë se Donald Trump ka të drejtë kur ngre shqetësimin, edhe pse ka dsikutime dhe dyshime nëse mënyra e gjetur prej tij për ta trajtuar atë është e duhura. Defiçiti tregtar me Kinën është 1 me 5 gati, çka në terma të një tregu mbi 1.5 miliardë njerëz e bën  prirjen shqetësuese.

Por në të njëjtin dokument, pala kineze gjen edhe një justifikim: Kina nuk e ndjek kurrë qëllimisht Surplusin Tregtar.

Fitimet nga marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Kinës dhe SHBA janë në përgjithësi të balancuara. Kërohet një vlerësim përfshirës dhe i thellë për të vlerësuar objektivisht nëse tregtia dypalëshe është e balancuar, pasi nuk mund të bazohet vetëm në tregtimin e mallrave...Kur merren në konsideratë të tre faktorët e tregtisë, mallrat, shërbimet dhe shitjet lokale të filialeve të sipërmarrjeve vendase në vende të tjera mund të shihet se përfitimet ekonomike dhe tregtare nga Kina dhe SHBA janë pothuajse të balancuara. Të dhënat nga USDOC tregojnë se në vitin 2023, SHBA regjistroi një surplus prej 26.57 miliardë dollarësh në tregit shërbimesh.

Për më tepër në vitin 2022, të ardhurat nga shitjet e kompanive amerikane në Kinë arritën në 490.52 miliardë dollarë, duke kaluar ndjeshëm 78.64 miliardë dollarë në të ardhura nga shitje e gjeneruara nga kompanitë kineze në SHBA. Diferenca prej 411.88 miliardë dollarësh thekson avantazhin e sipërmarrjeve amerikane në operacionet shumëkombëshe

Këto të dhëna sugjerojnë se tregtia në mallra mes të dyja vendeve kompensohet në bilanc nga dy faktorët e tjerë, por sërish ky parashtrim nuk shpjegon de-industrializimin e SHBA dhe idenë fikse se kompanitë janë zhvendosur në Kinë. Pra nuk zgjidh dilemën kryesore që është prodhimi në SHBA dhe rikthimi i ekonomisë në motorr prodhues.

Pala kineze shton më tej se defiçiti tregtar global i SHBA është rritur, kurse ai me Kinën është zvogëluar, por në një masë kjo duket se lidhet me atë që dokumenti pranon vetë që në krye se:

Shkalla e tanishme e surplusit të PBB-së ka rënë nga 9.9% në vitin 2007, në 2.2% në vitin 2024

Pra ekonomia kineze nuk po rritet më sa më parë. As si vëllim, as si ritëm dhe kjo do të duhet të përfaqësonte një kërcënim edhe më të madh për ekonominë globale sesa defiçiti amerikan.

Siç shihet nuk ka një konsensus dhe lufta tregtare ka provokuar edhe një luftë verbale. Ekonomia dhe sidomos poitikat ekonomike po shndërrohen përherë e më shumë në opinione, legjitimiteti i të cilave sa vjen dhe lidhet me agjenda dhe synime sesa me objektivitetin e analizave. Është një gjë të thuash se kjo marrëdhënie nuk funksionon më si duhet dhe duhet rregulluar, dhe tjetër të shpallësh synime strategjike ku ekonomia është mjet.

P.sh futja e Kinës në OBT pa u verifikuar ekonomia e saj, sistemi i saj i sipërmarrjeve shtetërore, apo edhe zbatimi i marrëveshjes së parë tregtare tani vonë, reflekton faktin se në një pjesë të Perëndimit, pasurimi i Kinës shihet si një dhuratë e pamerituar dhe jo arritje me konkurencë të ndershme. Dhe tani po kërkohet të ndërhyhet pikërisht aty ku qëndron edhe çelësi i kostove që janë elementi strategjik i konkurencës, për të korrektuar një konkurencë të pandershme. Megjithatë nëse Kina është prej kohësh apo që në fillim një partner i dyshimtë dhe ambig, SHBA u bë brenda 24 orëve një partner i pabesueshëm. Dhe dëmi do të vazhdojë gjatë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.