Epokës së rraqeve po i vjen fundi

Postuar në 27 Mars, 2025 21:33
Skerdilajd Zaimi

 

Secili brez duket të ketë një kujtesë origjinale apo të personalizuar për sheshin “Skënderbej”. Në vitet ’90 sheshi u bë shembull i atij përsheshi social që ishte Shqipëria. Kaosi dhe zhurma që sundonin aty, me kioskat vërdallë dhe pisllëkun karakteristik e kishin bëë të ngjante me një pusetë qendrore për Shqipërinë. E cila nuk thithte gjë, por mbante lart.

Gropa më e famshme ndonjëherë, ajo e Hajdin Sejdisë, iu shtua sheshit si ndërtim pa leje, por me dallimin unik se ishte ndërtim me vëllim negativ. Aty asokohe ushtroheshin zanatet me më pak kualifikim: llustraxhinj, prostituta, misra të pjekur dhe kambizmi informal pranë.

Nuk dihet se çfarë ligjësie e përcakton apo e definon të shëmtuarën. Sepse në koordinanat urbanisitike dhe arkitektonike sheshi ishte po ai i para viteve ’90. Erdhi njeriu dhe ai u bë pis. U shëmtua. Edhe arkitektura sepse nisi të merrte rolin e vet në atë shëmti. Ndonjëherë edhe qielli dukej si klloun më vete në atë përrua njerëzor pa anë e pa krye që dukej se qarkullonte në vend e nuk dinte nga të shkarkonte. Ka diçka të çuditshme, një aftësi të veçantë dhe të posaçme te turma për të zhvlerësuar objektet që janë të pandryshueshme. Atë që është monumentale e bën të duket si gërmadhë. Objektin që është mistifikuar me ngarkesa të ndryshme, e bën të duket një shurrtore jashtë së cilës parkohen samarë. Dhe zhurma pastaj e plotëson këtë Karneval. Qeshje, zgërdheshje, ulërima, gromësima, teshtima që i takojnë një epoke tjetër, me tri zanore, të gjitha në gërshetim me erën e çdo lloj gatimi ambulant dhe veshjet e rrëmbyera në butikët e ndihmave dhe “pakove”.

Publikja po privatizohej, uzurpohej. Më keq. Ajo po përdorej për manifestimin individual, duke shërbyer si kryqëzim, si Pazar, por edhe po shpaguante në një mënyrë shtypjen që e Tëra i kishte bërë Njeriut. Bashkë me të erdhi edhe ekzekutimi me injorim dhe harresë i historisë. Dhe kjo mund të shpjegohet me rifunksionalizimin e pikave të referimit publik.

Pallati i Kulturës e gjeti kështu veten në pozitën më groteskte: apelonte me emrin e vet diçka që nuk i dukej më nishani. Një kulturë e re po zinte vend

Muzeu me mozaikun e vet mori pamjen e një reklame të vjetër që kumtonte një historiografi, por asgjë më shumë. 15-katëshi dhe monumenti i Skënderbeut morën një rol më fisnik: aty liheshin takime. E mbajmë mend sesi liheshin takimet në sheshin “Skënderbej” në gazeta: të pres nesër te monumenti. Kam veshur këtë dhe kam një lule në dorë. Quhem…

Kanë ndodhur këto me të vërtetë. Çfarë momentesh! Të lësh një takim të tillë dhe pret aty. I veshur sipas midesë së kohës. Ajo vjen, shfaqet, ti aty. Pastaj. Ku ta dish. Lumturia dhe fati bashkohen aty ku nuk ta pret mendja. Takimet me njoftim në gazetë dukeshin si një sjellje demoode e një pjese shqiptarësh, por rezulton se ka qenë shumë e përhapur edhe në Europë në vitet ’30-40 të shekullit të kaluar. Madje po në gazetë jepeshin edhe përshtypjet nga takimet dhe rezultati i tyre. Në Tiranë u ndalua vetëm te propozimi për takim në Shesh. Pra aty ku ndodhte çdo gjë. Nga shitja e byrekëve te përmbysja e Diktaturës.

Paradoksi i sheshit “Skënderbej” qëndron në një anë te disproporcionaliteti psikologjik që krijon me sentimentet dhe statusin e shoqërisë. Monumental dhe evokues I një historie të shkuar, ai iu imponua disa shqiptarëve që orientoheshin nga të tjera parametra urbanistike dhe sociale. Një monumentalitet i tillë vetëpërcaktohet si autoritet për t’u respektuar, sepse implikon se qëndron në origjinë të historisë së përbashkët, të rrënjëve, por në të vërtetë ajo injoron faktin e rrjedhës së historisë përkundër momentit së gjenezës. Metafora e Krishtit në tempullin e Solomonit është shembulli më i qartë se asnjë arkitekturë nuk respektohet në anën funksionale dhe simbolike kur ajo nuk kumton asgjë reale për nga historia e kohës.

Në këtë kuptim, sheshi dhe objektet qark tij fituan një moment të ri monumentaliteti në kohën e Enver Hoxhës, por ky ishte një monumentalitet i rremë që nuk përkonte më me asnjë autoritet. Autoriteti ishte gjetkë dhe me kalimin e kohës Varfëria u bë autoriteti kryesor sepse ishte imperativ i gjithkujt. Kjo është një ndër arsyet se pse qytetet e Shqipërisë u kioskëzuan, u rraqizuan në fillim të viteve ’90, pasi asnjë rrugë, asnjë hapësirë nuk respektohet si vakëf, por si mundësi ekonomike. Rrugët dhe qendrat e banimit aty e gjejnë justifikimin e ekzistencës.

Dhe te ky çelës do kuptuar izolimi I sheshit së fundmi nga kullat miliarda euroshe. Është diçka kurioze të shohësh sesi sheshi rimerr vlerën kryesore ekonomike sot, për një elitë informale që nuk ka ditur ende të krijojë rezidencën e vet. Larg zhurmës. Shenjë pushteti dhe imponimi, kullat nuk janë dhe nuk perceptohen dot më thjesht si proces ekonomik. Ato janë simbol pushteti dhe janë një deklaratë hipotekore. Lartësimi i tyre mbi simbolet e vjetra ilustrojnë një prirje dhe ego të re që sfidon të përbashkëtën historike, edhe ajo më tepër një konstrukt institucional, me një perspektivë që sugjeron hierarkitë e reja dhe gjeografinë e re demografike.

Kështu nuk do jetë e largët dita kur ndërtimet e vjetra përqark të nisin e të zëvendësohen me objekte të reja, që do ta shndërrojnë hapësirën në nyje të një tjetër historie. Ku aderon vetëm me pasuri.

Kullat si objekte me semantikë kryesore pasurinë nuk kanë asgjë monumentale. Ato kumtojnë vetëm shtresëzimin social, çmimet dhe kastën, ekonominë e re, duke eliminuar atë paradoksin që folëm më lart. Kështu “pushtimi barbar” i viteve ’90 do na duket shumë shpejt po aq arkaik sa fotot e dikurshme të Pazarit të Tironës që nuk e njohëm asnjëherë. Njerëzit ulur dhe që rendin lirshëm do jenë patjetër më të rrallë, në mos do mungojnë duke i dhënë kohës që lamë pas një nuancë disi romantike. Ngritur edhe ajo me dhunë mbi një kohë tjetër më e largët dhe e huaj: ajo e tubimit popullor të bulevardit nga shqiptarë që shëtisnin mbrëmjeve.

Kush vallë do linte takim më në Shesh, aq më tepër me një lule në dorë. Komike dhe jashtë vendit. Por ka ende pak kohë për marrë aromën e së vjetrës, të epokës së rraqeve dhe qofteve. Ecni sot në shesh dhe do dëgjoni ndonjë klarinetë që bie me muzikë të vjetër, që stonon me çdo gjë përreth, edhe me njerëzit, apo do shohësh edhe një ngjarje atipike si kjo e të riut rom me daulle dhe qeleshe gegu në kokë që “luan pjesën” me rastin e ndonjë feste për të marrë ndonjë lëmoshë nga kalimtarë. Tani as partitë nuk tentojnë më aktivitete sa më parë aty, ndonëse konceptimi i gjysmësfere të mysët pretendon se i jep dominimin kalimtarit, pra njeriut. Njeriut po për çfarë? Për të bërë foto? Për të kaluar, apo një shesh ku ka aktivitet? Ku njeriu dëshmon kohën e vet?

Mund të ndodhë çdo gjë, kjo është një hapësirë që ka përgënjeshtruar çdo eksperiment. Për aq sa mund të intuitizohet Tirana e qendrës po e dëbon njeriun, po e dikton shpopullimin si operacion kundër anarkisë dhe kaosit dhe ripronësimi. Është një e ardhme që ngjan më shumë me vizionet e De Chiricos, ku hijet e objekteve janë shenja e vetme e jetës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.