Stari Tërg 1988

Postuar në 22 Shkurt, 2025 22:46
Azem Vllasi

 

Duke përkujtuar grevën e minatorëve të ‘’Trepçës’’, në fakt e përkujtojmë lëvizjen më të madhe gjithëpopullore në historinë e shqiptarëve të Kosovës, nga nëntori 1988 dhe shkurti e marsi 1989. Përveç ‘’Javës së Minatorëve’’ që shënon Sindikata e Minatorëve të ‘’Trepçës’’ në kujtim të grevës së 1300 minatorëve, kjo ngjarje historike ndër më të mëdhatë, nuk shënohet institucionalisht.

Lëvizja e madhe e shqiptarëve të Kosovës të asaj kohe duhet të shënohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë. Sepse, ajo shkundi themelet e Jugosllavisë, ndihmoi në fillimin e rënies së saj dhe i hapi rrugën lirisë sonë.

Gjeneratat e reja nuk dinë mjaftueshëm për atë kapitull të madh të historisë sonë. Dhe, mua më takon ta përkujtoj ngase si figurë politike e asaj kohe ndërlidhesha ngushtë me ato zhvillime.

Pozita Kushtetuese e vitit 1974 që Kosovës i siguronte të drejta për të vendos për punët e veta të brendshme sikur njësitë tjera federale, i pengonte shumëkujt në skenën politike serbe.

Por, nga viti 1987, me fuqizimin e rrymës nacionaliste në pushtetin e Serbisë dhe S. Millosheviçin, agresioni kundër pozitës kushtetuese të Kosovës u rrit. Iniciativa e Kryesisë së Jugosllavisë për disa ndryshime në Kushtetutën  Federale, por që nuk preknin pozitën e njësive federale, pra as të Kosovës e Vojvodinës, nga kreu politik i Serbisë u shfrytëzua si pikënisje  për shkeljen e pozitës kushtetuese të dy krahinave. Vojvodina u pushtua nga Beogradi me një miting çfarë i praktikonte Millosheviçi.

Në Kosovë i hasi sharra në gozhdë. Ne, udhëheqja politike e Kosovës, në fakt kuadrot shqiptarë, me  vendosmëri kundërshtonim synimet e Serbisë. Por, ishim të vetmuar. Askush në Jugosllavi nuk donte për ne të hatrohej me  Millosheviqin, edhe pse synimet serbe preknin edhe bazat e Kushtetutës Federale ku figuronin dy krahinat. Përkundrazi, kreu federal partiak e shtetëror e ndihmoi Millosheviçin kundër nesh.

Përmes Kryesisë të LKJ-së ku shumica, përveç sllovenëve, ishin pozicionuar në krah të Millosheviçit, bënin presion mbi udhëheqjen e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. E kur shembet udhëheqja partiake, fronti i rezistencës dobësohej në tërësi. Përveç kësaj, kishim serbë në radhët tona. Të gjithë u rreshtuan në anën e Beogradit.

Unë, si kryetar i Komitetit Krahinor nga viti 1986-88 isha që moti i shënjestëruar nga shtabi i Millosheviçit. Koka ime kërkohej nëpër mitingje serbe. Sulmet në forumet politike të Serbisë nuk ndaleshin.

Pasi që më kaloi mandati, e zgjodhëm Kaçusha Jasharin kryetare të KK të LK-së. Por presionet vinin duke u shtuar. Millosheviçi, përmes  Stipe Shuvar, që ishte kryetar i Kryesisë të KQ LKJ-së, kërkoi që nga ai nivel të ushtrohet presion mbi Kryesinë e KK të LK të Kosovës që të bëhen ndryshime në udhëheqjen partiake të Kosovës.

Kinse për shkak se nuk po e stabilizohet gjendja në Kosovë dhe kinse nuk po i mbrojmë Serbët e ‘’rrezikuar’’. Kaçusha u detyrua të japë dorëheqje pa i bë as gjashtë muaj që ishte zgjedhur, ngase nuk deshi të kalojë në anën e tyre, por as të mbetet në frontin tonë të rezistencës. U lodh nga presionet. Nga letra që Shuvari i kishte dërguar Kaqushës, shihej se presionet nuk do të ndalen nëse edhe unë nuk largohem nga Kryesia. Vendosëm që të mbetem vetëm anëtar i Komitetit Qendror të LKJ-së nga ata 15 që ishin nga Kosova, sepse atje do të thyhen shtizat lidhur me çështjen e Kosovës. Por edhe nga atje më larguan me shumicën që ishin krah Serbisë.

Opinioni ynë i përcillte më vëmendje por edhe me brengosje këto zhvillime. Kur u pa se po shembet udhëheqja politike së cilës populli i besonte se është në mbrojtje të Kosovës nga synimet serbe, shqiptarët u ngritën në protesta masive. Dominonin dy kërkesa:

1. Nuk pranojmë ndryshime kushtetuese me presione nga Beogradi

2. Nuk pranojmë ndryshime të udhëheqësve të Kosovës me presione nga Beogradi. Këta japin llogari vetëm para popullit të Kosovës që i ka zgjedhur 

Gjatë pesë-gjashtë ditëve (18 deri 23 nëntor), në Prishtinë dhe shumë vendbanime të Kosovës shpërthyen protesta. Të parët u nisen drejt Prishtinës, në këmbë, minatorët e Stan Tërgut.

Nga drejtime tjera të Kosovës po ashtu marshonin kolona drejt Prishtinës, ndonëse ishte mot i ftohtë. Pa asnjë incident apo prishje të rendit publik, pa ofenduar askënd, madje aty-këtu pjesëmarrësit bartnin ndonjë fotografi të Titos dhe flamur jugosllav të lidhur me flamurin tonë kombëtar, për të demantuar propagandën serbe se kjo është lëvizje armiqësore kundër shtetit. Me qindra mijëra lëviznin drejt Prishtinës. Evropa ishte e mahnitur me lëvizje të tillë.

U bë e qartë që pas këso lëvizjesh në Kosovë asgjë nuk do të jetë sikur deri në atë pikë. U hap fronti në mes krejt popullit shqiptar dhe udhëheqjes nga Beogradi - jo vetëm asaj republikane por edhe asaj Federale që i asistonte Serbisë kundër nesh.

Protestat e shqiptarëve e kthyen vëmendjen e opinionit jugosllav dhe evropian kah Kosova. Millosheviqi u tërbua, ngase e kishte në plan një miting të madh në Beograd për ta festua “unifikimin e Serbisë” dhe plan mbeti nën hije të zhvillimeve në Kosovë.

Për neve, Jugosllavia prej aty nuk ekzistonte si shtet ku Kosova sipas Kushtetutës ishte njësi federale, por si okupatore në shërbim të synimeve të Serbisë. Nga Beogradi, jo vetëm që u bënë të shurdhët ndaj reagimit të tillë të shqiptarëve, por vazhduan me manipulime e presione edhe më të forta.

Beogradi gjeti edhe argatë në Kosovë, ndonëse pak dhe pa ndikim si Rrahman Morina e katër-pesë karrieristë, për t’i vendosur si shërbëtorë të vet në Prishtinë. Shqiptarët që ishin anëtar të Lidhjes së Komunistëve, të gjithë e braktisen këtë parti.

Pasi që u ofrua koha e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese dhe interesat e Kosovës më nuk kishte kush t’i mbronte, sërish nisën protestat. Fillimisht nisi greva e minatorëve të Stan Tërgut ku 1300 minatorë u mbyllën në zgafellë. Grevë unikale për çfarë bota nuk dinte, ngase nuk kishte kërkesa sindikale por të gjitha politike. Tani kërkoheshin edhe dorëheqjet e disa vasalëve të instaluar nga Beogradi në Kosovë.

Gjithë shqiptarët e Kosovës sërish u ngritën në protesta, sikur në nëntor. Në protesta e në lëvizje ishin përfshirë afro gjysmë milioni shqiptarë, duke llogaritë edhe protestat e nëntorit. Të tilla bota kishte parë vetëm në Lëvizjen e Mahatma Gandit për pavarësinë e Indisë nga kolonializmi anglez.

Beogradi reagoi me masa edhe më të ashpra. Pas mitingut të madh në Beograd ku Millosheviqi premtoi masa të ashpra kundër shqiptarëve, ndër to edhe burgosjen time, Kryesia e Jugosllavisë, me 2 mars vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Nga Beogradi erdhën forca të shumta policore. Kinse të Federatës, por ndër to më së shumti kishte serbë. 

Me këtë akt të Kryesisë federale, faktikisht fillon gjendja e okupimit të Kosovës. Në vazhdim, Serbisë nuk i duhej asistenca federale. Masat e okupimit i zbatonte vet. Veprimet e forcave nga Beogradi ishin brutale. Filluan burgosje të shumta.

Fillimisht më burgosen mua bashkë me udhëheqësit kryesor të “Trepçës” Aziz Abrashin e Burhan Kavajën, dymbëdhjetë drejtues të tjerë e shumë minatorë të këtij gjiganti ekonomik, që në fakt ishte shënjestruar si qendër e kryengritjes. Pastaj u burgos Ekrem Arifi nga Kryesia e përmbysur e LK-së si dhe shumë aktivist politik. U burgos drejtori gjeneral i Elektroekonomisë, Lazër Krasniqi, meqë shumë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje të madhe ishin solidarizuar me minatorët. Protestat nuk u ndalen me kaq. Pasuan shumë burgosje tjera anembanë Kosovës, maltretime fizike e izolime policore. U vranë 25 protestues. Këto ishin viktimat e para në fillimin e shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë. 

Nga këto zhvillime u kthye vëmendja mediale e politike e botës perëndimore drejt Kosovës. Për burgosjen time dhe të tjerëve në Mitrovicë lajmëruan afro 50 agjenci mediatike në botë. Gjykimin tonë që u mbajt në Mitrovicë dhe zgjati 14 muaj e përcillnin përfaqësues të ambasadave të shteteve perëndimor nga Beogradi. Ky ishte procesi i fundit politik i zëshëm në Jugosllavi dhe Evropën Lindore.

Asgjë pas këtyre zhvillimeve në Kosovë nuk ishte si më parë.

Viti 1989 ishte i tmerrshëm. Jugosllavia e ndihmoi Serbinë kundër nesh por këtu e nisi shembjen e vet.

Kah fundi i vitit 1989 ranë sistemet një partiake në Evropën Lindore dhe pluralizmi partiak mori nismën edhe në Jugosllavi.

Në Kosovë në dhjetor 1989 u formua LDK-ja dhe u regjistrua si parti pranë Ministrisë federale të Drejtësisë. Shqiptarët e kishin braktisur sistemin politik të okupatorit dhe shumë prej tyre u inkuadruan në LDK. Kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova u fliste gazetarëve për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve dhe maltretimet gjithandej, por kurrë nuk foli për gjykimin tonë në Mitrovicë që ishte për momentin gjykim i vetëm politik në Jugosllavi dhe për cilin informonin mediat botërore. Ndoshta për mos ta hidhëruar Beogradin. Ndonëse bashkëpunëtorët e ngushtë të tij që formuan LDK, më herët ishin të punësuar në institute dhe media të kohës dhe mirë të trajtuar e të paguar, që nga formimi i LDK-së, nuk e përmendin atë lëvizje gjithëpopullore që nisi në nëntorin e ’88 dhe vazhdoi në shkurtin e marsin e ’89. Ndoshta për të krijuar përshtypje sikur historia fillonte prej tyre, prej formimit të kësaj partie.

Gjykimi ynë në Mitrovicë përfundoi më 24 prill 1990 me aktgjykim lirues ngase kishte shumë presione nga shtetet perëndimore sepse ashiqare ishte proces politik. Lajmin për këtë e dhanë 84 agjenci të informimit në botë.  

Atmosfera e përgjithshme paksa u relaksua. U lirua edhe Ekrem Arifi. Doli nga Burgu edhe Adem Demaçi që ishte harruar se kur është dënuar herën e fundit e që ishte “Nelson Mandela” i Kosovës...Regjimi Serbisë e mbajti Kosovën nën okupim deri në qershor të vitit 1999. 

Burimi: Koha Ditore

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.