Në mbrojtje të ndërhyrjes ANTILIGJORE në tjetërsimin e Bazës Detare të Sarandës
Sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë konferencës për fundvitin është pyetur edhe për veprimet e Shefqet Kastratit dhe Artan Dulakut në Bazën e Limionit në Sarandë. Shikojeni me vëmendje surratin e Edi Ramës gjatë pyetjes në fjalë. Ngadalësoni videon për të kuptuar sëkëlldinë e këtij njeriu që drejton sot qeverinë e Shqipërisë. Përveç injorancës së qëllimshme kur shprehet me ironi se “siguria jonë nuk ka mbetur tek ajo bazë”, z. Rama interpreton se me vendimin e Gjykatës që e ka vënë në sekuestro, është konsumuar një keqkuptim i madh kur një pushtet ndërhyn në fushën e një pushteti tjetër.
Nuk e përcakton gjyqësori sigurinë kombëtare
tha z. Rama.(nga 2:58:00)
Ashtu është, vetëm se Gjykata ka çmuar SHKELJEN E LIGJEVE për sigurinë kombëtare. Dhe këtë e ka tagër që çke me të. Zoti Rama spekullon me rastin e konfliktit mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese por nuk është ky rasti dhe ai e di shumë mirë. Mjafton vetëm kjo deklaratë që organet e procedimit penal të mbajnë shënim sepse që këtu kuptohet se z. Rama është një person me investim personal në tjetërsimin e bazës së Limionit pa e nxjerrë atë nga Plani I Përhapjes. Pra pa shkelur ligjin institucionet që ai drejton.
Dhe duke qenë person me investim personal, ai është person me interes për çështjen e cila po mbahet hapur nga interesa që shkojnë në 300 milionë euro siç tha vetë z. Rama sot, të cilat sipas tij do futen në ekonomi. Në fakt do futen te xhepat e Kastratit dhe Dulakut që duhet të jenë edhe pak të trashë si përmbajtje sa kohë nuk duan të kuptojnë se ka gjire dhe kepe shumë më të lakmuar sesa ai i Limjonit ku janë kapur në shkelje dhe ku flitet se po duan edhe të zhvendosin varrezat e qytetit të Sarandës.
s.zaimi
Add new comment