Aushvic
Oshvieçim. Kështu shqiptohet nga polakët. Është forma polake për Aushvicin. Një emër përmbi të gjithë emrat e tjerë të shekullit të 20-të. Një emër që është ngjarje, vendndodhje, histori, kujtesë. E ardhme ndoshta. Vetë viktimat e kanë quajtur Rezidenca e Vdekjes. Është shumë afër me Katovicën – një emër ky i mbingarkuar me imagjinatë politike në Shqipërinë e pas ’90-s, e ku siç na thuhet diçka e djallëzuar u vendos edhe për ne.
Emrat dhe emërtimet, shqiptimi i tyre është prezantimi i parë në këtë rajon. Në trenin që udhëton nga Vjena në Ostrava të Çekisë, disa të rinj pyesin në kabinë nëse rrugës është stacioni për në Breklau.
Breklau.
"Po, ndalon". I përgjigjet një adoleshent ngjitur, me shumë gjasë çek. Pasi të rinjtë largohen, ai përsërit me të atin e vet ndoshta shqiptimin e sapolëshuar: Breklau! Në çekisht është Breklav(Bestlaf?!), siç edhe është Ostrava në gjermanisht Ostrau. Vroklavi - Breslau…Emrat kanë histori nga pas. Dhe jo të lehtë.
Kjo është një zonë të cilës nuk ja kupton rëndësinë në pamje të parë. Fushë, pemë, pyje dhe horizonti që nuk mbyllet gjëkundi. Por nëse lexon e kupton që ndodhet në një nga rajonet më të rëndësishëm të Europës. Ostrava është në kufirin mes Çekisë dhe Polonisë. Shumë e thatë ta thuash kështu, ngjan si koordinatë e pafajshme ndërkufitare. Por në histori ajo quhet qendra e rajonit të Moravi-Silezisë, qyteti më i rëndësishëm pas Pragës në Republikën Çeke. Emri Silezi, për atë që ka lexuar histori nis e merr pak kuptim këtu. Minierat e Silezisë përmenden përherë në tekste si një ndër shkaqet e konflikteve, por tjetër gjë të jesh aty e të kujtohesh se për çfarë bëhet fjalë. Bohemi, Moravi, Silezi, Poloni e Poshtme.
Historia këtu ka kryqëzuar çdo gjë. Në shqip është një libër shumë i mirë i Pjotër Vanduz, “Çmimi i Lirisë”, që mbërthen pikërisht këtë rajon. Që cek kalimet e sundimtarëve nga Moravia në Bohemi, pastaj sesi Bohemia inovatore sundonte mbi Dukët e Polonisë, përball arpadëve të Hungarisë. Në mes Polonia e Poshtme me Krakovin dhe minierat e kripës në Vieliçka, një monument madhështor i njeriut. Humanizmi i Europës Qendrore paraprin humanizmin e madh të Europës, prek madje edhe Dalmacinë nën sundimin hungarez për të krijuar një identitet të qëndrueshëm që u pasurua me Komonuelthin liuano-polak, përjetoi ortekun e kalorësve teutonë, por që mesa duket ngeci si brengë e paskapërcyeshme për gjermanët.
Problemin e këtij rajoni në Mesjetë e zgjidhi dinastia e Habsburgëve që i jep fund pretendimeve për pushtet dhe projekteve imperial të fisnikëve dhe princërve sllavë për të afirmuar një dorë gjermane. Vanduz thotë se edhe për Çekinë problemi gjerman është i hershëm. Dhe problemi gjerman siç e trajton ai, fermentoi në një proces të gjatë historik, të brendshëm dhe të jashtëm për rajonin, që pati në shekullin e 20-të një konkluzion vullkanik.
Thonë se Aushvici u ndërtua në disa kazerma të ushtrisë austro-hungareze. Në kampin nr. 1, mund të shihet arkitektura e e vjetër e godinave që në fakt japin një atomsferë spitali veterinar. Janë aty të gjitha: telat me gjemba, dhomat e torturës, veshjet e viktimave, mbetjet e tyre, dhoma ku u testua Zirkon B për herë të parë, hetuesia. Porta e famshme me mbishkrimin: Puna të bën të Lirë dhe sqarimet e ndryshme për turistët. Apo Vizitorët?
Statusi i atij që viziton Aushvicin është i paqartë. Vizitor, apo turist? Ka guidë, ka infrastrukturë lehtësuese për vizitorët, ka tabela në disa gjuhë, ka pika shërbimi. Duam nuk duam, diçka turistike ka. Por çfarë viziton një turist në Aushvic? Është e pashmagshme të bësh foto. Para një muri ku janë pushkatuar disa, para një godine ku u eksperimentua. Te porta me mbishkrim. E kështu me radhë. Eksponati i dokumenteve, rekuizitës së ditëve të mbrame, fotove të viktimave është kaq intensiv saqë ai normalizohet herët apo vonë. Nuk janë vetëm hebrenj. Por edhe romë, shumë romë, polakë, robër rusë sovjetikë…
Kështu vizita humbet në atë moment qëllimin e mbajtjes së kampit sot ende të hapur: pra të përjetimit, të një përvoje që riprodhohet te çdo njeri. Ndonëse ajo ta zgjon heshturazi domosdonë e rikthimit.
Në dalje të kampit të Aushvicit administratorët kanë menduar një gjetje: një tunel betoni, në fund drita që zvogëlon ata që janë para teje si në një dritare larg, apo frëngji me botën. Në sfond lexohen butë emrat e viktimave duke detyruar të gjithë të heshtin.
Kush do ta shohë Aushvicin si kamp të shfarrosjes duhet të shkojë patjetër te kampi nr. 1. Aty janë ruajtur të gjithë elementët e një infrastrukture të organizuar për vrasje në shkallë industriale. Por kush do të marrë sadopak një përjetim, apo edhe të ndalet e të reflektojë, duhet të shkojë në Birkenau.
3 km larg nga kampi nr. 1, Aushvic-Birkenau është i famshmi vend ku hyhet nga Porta e Vdekjes. Aty janë dhomat e përzgjedhjes – organizuar sipas interierit të stallave të kuajve - dhomat e gazit, krematoriumet. Aty është edhe dekovili emblematik që transportonte njerëzit drejt vdekjes. Të duhet pak fat në të vërtetë për ta kapur mirë klimën e Rezidencës së Vdekjes!
Sepse të gjithë ne që jemi gjallë sot hyjmë në kamp si parafabrikate të Aushvicit. Ne kemi lexuar për të, kemi parë fotografi, video, kemi parë filma. Ne kemi një ide grafike dhe vizuale të asaj që ndodhi. Ne e kemi marrë atë të gjithën bardh e zi. Çdo gjë. Por më 20 tetor të këtij viti në Birkenau koha ishte më e bukur nga sa pritet për Poloninë. Kampi, ku nuk kanë mbetur vetëm pak nga stallat njerëzore të grumbullimit dhe rrënoja të dhomave të gazit dhe krematoriumeve ishte i pushtuar nga një e gjelbër bari që i jepte pamjen e një varreze të qetë dhe mbajtur me kujdes. Ndoshta duhet vizituar në muzg, apo në ditë me re për të përputhur atë që ke kokë me atë që ka ndodhur. Dhe duhet të jesh vetëm.
Në rrugën e gjatë të hulumtimit të kampit ku vizitori ecën sipas binarëve apo udhëve të gjera të pashtruara, hasen grupe të ndryshme studentësh nga vende të ndryshme, apo edhe vizitorë gjermanë që u rrëfehet se çfarë ka ndodhur. Sepse kampi që ka statusin e Muzeut Shtetëror është aty për qëllime edukative. Emancipuese, kujtese. Ndonëse koha që jetojmë na thotë se njeriu nuk emancipohet as nga frika e vdekjes.
Duhet të ndalesh e të kujtohesh apo imagjinosh se aty ku ti sot ecën me kuriozitetin për të parë diçka “interesante”, dikur ecnin njerëz që do të helmoheshin dhe mandej digjeshin. Edhe fëmijë që na shohin përmes fotove që kanë mbijetuar dhe janë realizuar nga një përfaqësues i SS. Vetëm sepse i takonin një rrace. Kjo nuk është e tmerrshme. Është më keq: kjo është njerëzorja! Sepse Aushvici të jep një ndjesi se do të përsëritet. Dikur, diku. Sa kohë ka njerëz. Aushvici dhe vende si ai janë sa dëshmi njerëzore, aq edhe alibi cinike.
I sugjeroj kujtdo që i bie rruga – rruga na bie të gjithëve herët apo vonë - aty të blejë librin e ish-drejtorit të Muzeut, Piotr M.A. Cywiński - "Epitaph". Aty gjendet përmbledhur një refleksion i thellë mbi njerëzoren, tepër njerëzoren e kampit. Aushvici mori këtë vlerë sepse në dallim nga Treblinka, Majdanek, Dakhau, Sobibor, apo Ravensbruk, nuk u arrit të shkatërrohej nga gjermanët. Aty pati edhe një kryengritje të Sonderkomandos hebreje. Aty mori jetë aspekti më I sofistikuar dhe masiv i inxhinierisë së vdekjes në Gjermaninë Naziste, me gjasë në gjithë historinë e njeriut, që u ndihmua në një formë llahtarisht prangosëse nga dy aleatë të heshtur siç thotë Cywinski që referon dokumente: Familja dhe shpresa. Rruga për në kamp, nga kampi në dhoma gazi ishte e qetë sepse bëhej në grup familjesh, me shpresën se do të mbetemi gjallë. Deri sa vinte dushi i gazit. Viktimat ishin të pafuqishëm.
Ky vend nuk duhet të normalizohet kurrë
shkruan Cywinski që e cilëson atë një Memorial.
Kush e bëri Aushvicin? Çfarë e çoi njeriun të bënte këtë gjë kundër njeriut? Askush nuk e di. Sepse askush nuk shpjegon dot honin e thellë që është shpirti i njeriut. As historia, as psikanaliza, as letërsia. P.sh sot e ke gati të pamundur të gjesh aty “Armëpushimin” e Primo Levit. Apo “Listën e Shindlerit”. Projekti mbetet aty te objektet e rrënuara, apo kapanonet e vdekjes. Infrastruktura e Aushvicit është një precedent për të cilin njeriu ka kapacitete ta çojë më tej.
Aushvicin e bëri indiferenca njerëzore. Këtë akuzë të të mbijetuarve ndaj Njeriut e has edhe në kamp. Një shembull që të bën të kuptosh dallimin e thellë mes atyre që panë Aushvicin dhe ne të tjerëve që lexojmë për të. Kur Papa Benedikti në këtë kamp pyeti pse Zoti e braktisi popullin e vet, një prej të mbijetuarve replikoi me zë të ulët:
Një pyetje e shtruar keq. Pse e lejuan njerëzit këtë?
Dhe u largua. E ftohtë e vërteta e kësaj akuze. E ftohtë brisk e vërteta e vetë jetës. Aushvicin e bënë njerëzit, ndaj viktimat aty luteshin ende.
Memoriali duhet vizituar. Patjetër që po. Por ai e ka të pamundur ndoshta të përkufzohet si përvojë emancipuese për ata që vizitojnë. Sepse të flasësh për Vdekjen, të kujtohesh për të, ka diçka futuriste. Njeriu e shtyn në kohë vdekjen e tij, e mendon se i takon përherë një çasti të së ardhmes, jo se vdekja ndodh. Është kjo një arsye që i jep kuptim fetar termit Rezidencë e Vdekjes. Dhe duke i dhënë kuptim fetar, në fakt na ngushëllon ne të gjallëve. Pse? Sepse edhe Ferri u shpik ndoshta dikur për t’i dhënë Ekzistencës një gjeometri, një koordinatë, një dasein e vet. Ndaj librat fetarë e shtyjnë gjykimin e Zotit pas vdekjes. Sepse vdekja nuk mund të jetë Fundi, që këtej ajo ka edhe një vendndodhje në imagjinatë. Ka ca kritere gjykimi, ka pra atë protokollin e vet që është shpresa se nuk mbarojmë këtu dhe me kaq. Pak a shumë ajo shpresë që mbante rregullin e hebrenjve drejt dhomave të gazit.
Por ndoshta në Aushvic, nën presionin e idesë se aty ku po qëndron ka qenë një dhomë gazi ku njerëzit vdisnin për pak minuta, njeriu kupton se Vdekja Ekziston është një fakt teologjik, ndërkohë që fakti fizik, jetësor është më i ftohtë, më i hidhur, më paimagjinueshëm për ne: Vdekja Ndodh. Ajo është një ngjarje dhe kjo përbën krizën e madhe edukuese me të.
Ne mund ta mendojmë botën si të bërë nga gjëra. Nga substanca. Nga entitete. Nga diçka që Është. Ose ne mund të mendojmë atë të bërë nga Ngjarje. Nga Ndodhi. Nga Procese. Nga diçka që Ndodh. Nga diçka që nuk zgjat…Dallimi mes gjërave dhe ngjarjeve është se gjërat persistojnë në kohë; ngjarjet kanë një kohëzgjatje të kufizuar
Ky paragraf i marrë nga libri i Carlo Rovelli, “The order of time” (fq. 87), përcjell ndoshta në një rrafsh tjetër një të vërtetë që ka të bëjë me historinë tonë. Dhe mënyrën sesi sillemi, si reagojmë dhe se çfarë na edukon. Vdekja është një ngjarje, fatkeqësisht. Pavarësisht sesi ka bujtur në jetën e dikujt. Jo një gjë, substancë, apo entitet. Dhe ajo harrohet herët apo vonë nga të gjallët.
Add new comment