Në emër të histerisë

Postuar në 03 Dhjetor, 2024 21:08
Bard Camaj

 

Pavarësisht frenezisë mediatike rreth situatës në Kosovë, të paktën një gjë mbetet e qartë: shumica prej nesh nuk e dimë çfarë po ndodh atje. Portalet mediatike raportojnë trashë - sulm terrorist, banda kriminale që synojnë të destabilizojnë rajonin, influencë ruse, dhe lidershipi serb që duket sikur kërkon falje kur mohojnë të kenë gisht në ngjarje. Eksponentë europianë nuk hezitojnë t'i hedhin karburant këtij mekanizmi distopik, duke bërë thirrje për ndëshkim të  fajtorëve, qetësi dhe vetëpërmbajtje. Por fakti mbetet që pakkush e di realisht se për çfarë bëhet fjalë.  

Gjatë gjithë ditëve të fundit publiku është bombarduar me artilerinë e rëndë të lajmeve që nuk thonë asgjë. Dhe është për të falenderuar Zotin që shqiptarët janë nga natyra indiferentë. Sepse po të ishte ndryshe, vënia e eksplozivit në një ujësjellës do të ishte përshkallëzuar në konfrontim të mirëfilltë mes popujve në të dy anët e kufirit që prej shekujsh janë të prirur të interpretojnë të njëjtat ngjarje sipas versionesh apokaliptike, diametrikisht të kundërta. 

Ngjarjet e ditëve të fundit janë të mbuluara nga një mjegullnajë mediatike - një blackout i një lloji të veçantë, në të cilin faktet spërdridhen dhe spekullimi nuk duket të ketë mbarim. Në sipërfaqe, narrativa trajtohet apostafat si një akt terrorist. Dhe, nuk është çudi që një histori e tillë të ketë vënë në alarm gjithë rajonin. Por realiteti, nëse gërmon sadopak poshtë asaj që duket, rrëfen një histori shumë më mediokre. Ngjarjet në veri rrotullohen një sabotazhi të rëndomtë infrastrukturor - dëmtimi i një ujësjellësi. Por prapëseprapë, autoritetet nuk i kanë rezistuar tundimit për ta tjerrë këtë ngjarje në një krizë ndërshtetërore. 

Histeria kolektive nuk është një fenomen i ri në përditshmërinë e popujve ballkanikë. I gjithë rajoni është një truall pjellor për histori të ekzagjeruara, nganjëherë të nxitura nga forca përtej kufijve të tyre gjeografikë. Ballkanasit me sa duket e kanë të nevojshme të prodhojnë më shumë histori nga sa mund të konsumojnë - dhe tepricën të destinuar për eksport ndër qarqe politike në Europë dhe më gjerë. Këto audienca përtejkufitare që me sa duket kanë krijuar një varësi psikologjike ndaj një katastrofe të mundshme ballkanike - janë gati t’ia shtrojnë me çdo lloj drame, jo për të vërtetën që ato përçojnë, por për gallatën që i karakterizon. Cikli i mbyllur i fabrikimeve dhe ekzagjerimeve është një makinë e vajisur mirë dhe funksionale, që ushqehet me bëmat komplekse politike të rajonit. Dhe tregu mediatik për të tilla lajme funksionon njëzet e katër orë, shtatë ditë të javës. 

Por pyetja mbetet: edhe për sa kohë do të mund ta vazhdojmë këtë lojë? Edhe për sa kohë do të mund të vazhdojmë të krijojmë stuhi në gotë, duke u ushqyer me histeri dhe përralla të fabrikuara, përpara se realiteti të na përballet me shpullë syve? Është mëse e kuptueshme, disa absurditete janë të nevojshme për të shpënë përpara axhenda të caktuara politike, por në afatgjatë, një shkëputje e tillë mes perceptimit publik dhe realitetit bëhet në terren tejet i paqendrueshëm. 

Prirja e popujve ballkanikë për të krijuar histori që nuk i konsumon dot vetë ka arritur aty ku nuk mban më. Nga zgjedhja jonë për tu përballur me realitetin apo për të qendruar në gjendje histerie kolektive varet e ardhmja e gjithë rajonit. Por një gjë mbetet e sigurt: në emër të histerisë dhe trazimit, ne rrezikojmë qasjen ndaj së vërtetës, dhe bashkë me të, shanset për paqen dhe stabilitetin, qoftë në Tiranë, Beograd, Shkup, Athinë apo Prishtinë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.