Qeverisje në fije të perit

Postuar në 02 Dhjetor, 2024 14:57

Kryeministri francez, Michel Barnier, është dorëzuar para presionit të opozitës, duke u tërhequr nga shkurtimet e planifikuara në buxhetin e vitit të ardhshëm për rimbursimin e barnave.

Barnier e bëri këtë lëshim për partinë e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, pas një bisede që ata patën po sot. Zyra e tij njoftoi se takimi u zhvillua përpara një votimi të vështirë parlamentar që po sot partia e Le Pen dhe e majta kishin paralajmëruar se mund ta përdornin për të rrëzuar administratën e tij.

Kjo është hera e dytë që Barnier dorëzohet ndaj kërkesave të ekstremit të djathtë. Javën e kaluar, qeveria u tërhoq nga një rritje të çmimit të energjisë elektrike me vlerë rreth 3 miliardë euro.

Përpjekjet e Barnier për të kaluar buxhetin e vitit 2025, në kushtet e një parlamenti thellësisht të ndarë, kërcënojnë të zhysin ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës në krizën e dytë politike në gjashtë muaj.

Që nga konstituimi në shtator, qeveria e pakicës me në krye Barnier është varur nga mbështetja e partisë së Le Pen për mbijetesën e saj. Projekt-ligji i buxhetit rrezikon ta këpusë këtë lidhje të dobët.

Lëshimi i javës së kaluar për energjinë elektrike u mirëprit nga partia e Le Pen, Bashkimi Kombëtar, por ajo tha se Barnier duhej të shkojë më tej. Mbetet për t'u parë nëse lëshimi i radhës do të jetë i mjaftueshëm për të fituar mbështetjen e RN në votimin e ardhshëm.

Pa votat e nevojshme për të miratuar projektligjin e sigurimeve shoqërore, Barnier, në bazë të nenit 49.3 të Kushtetutës franceze, mund ta miratojë atë pa votim.

Por kjo do të shkaktonte reagimin e të djathtës ekstreme dhe të majtës, të cilat kanë të drejtën e mocionit të mosbesimit. Asnjë qeveri franceze nuk është detyruar të largohet nga një votim i tillë që nga viti 1962.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.