Tirana, shembulli sesi një qytet mund të kthehet përmbys
Pjesa e tretë dhe e fundit e intervistës me Eda Derhemin, mbyll ciklin e diskutimit mbi aspekte të shumëllojta të realitetit historik e aktual në Shqipëri nën këndështrimin e akademikes e gjuhëtares, që ndonëse e tëhuajtur fizikisht nga vendi i saj, nuk rresht asnjëherë të teleportojë Shqipëritë e veta në hapësira të largëta gjeografike e kulturore. Në ndryshim nga dy pjesët e para, pjesa e fundit i referohet kryesisht problematikave aktuale të shoqërisë civile shqiptare, rolit të shqipes në sistemin arsimor gjatë periudhës së komunizmit dhe më pas, si dhe debatit mbi standartin dhe dialektet e saj (gjuhët e saj, siç i quan Eda).
***
Gjatë viteve, që ishit gjimnaziste, gjuha shqipe ishte ende lëndë mësimore. Sot, jo vetëm që gjuha nuk mësohet më në ciklin e mesëm, por flitet vazhdimisht mbi nivelin e ulët gjuhësor të shqiptarëve. A jeni në dijeni, se përse u ndalua mësimdhënia e lëndës së gjuhës në shkollat e mesme? Çfarë iniciativash mendoni se duhen ndërmarrë për trajtimin e kësaj dukurie?
Po. Ne bënim gjuhë në gjimnaz. Mbaj mend që edhe atë herë nuk ishte një dukuri krejt e rrënjosur. Diskutohej: do jetë - s’do jetë. Burokratët dhe mësuesit nuk ishin të bindur. Dhe fort faj nuk kishin. Gjuha te ne bëhej keq. Nuk arriti kurrë të jepej në mënyrë funksionale dhe praktike. Gjithnjë ka pasur mësues të mirë, që rigorozisht të strukturonin mënyrën si e formon mendimin dhe si shprehesh, si e formëson ligjërimin e folur a të shkruar, sipas kushteve e situatave pafund me të cilat jeta të rrethon. Por s’kemi pasur asnjëherë metodë e tekste të mira për këtë të fundit. Tekstet gjatë socializmit ishin skematikë, të ngurtë, jo interesantë. Edhe ato të gjuhës nuk bënin përjashtim. Kam dëgjuar nëpër emisione Tirane të mbrohen në raport me tekstet e sotme, njëlloj si mbrohet shkolla socialiste në raport me shkollën e sotme. Është e çuditshme çfarë të bën malli dhe largësia kohore, si edhe boshllëku i sotëm i diçkaje që beson ! Si ta mjegullon arsyen!
Fakti që shkolla ishte e fortë dhe kishte më pak korrupsion se sot, nuk do të thotë që nuk kishte defekte themelore. Arsyeja pse nuk kishte përrallëtarë të shqipes atëherë, ishte se goja e tyre (si edhe e shumicës së popullsisë) ishte e mbyllur e nuk kishin akses publik, dhe jo se dikur kishim njerëz më të kulturuar se sot apo me mendje më kritike
Gjithashtu, arsyeja pse të krijohet përshtypja se shqipja shkruhej më mirë dikur, ishte se kontakti me shqipen e shkruar të vinte vetëm nëpërmjet një shtrese fare të vogël të popullsisë, që e shkruante si duhej; sot, ngelës dhe shkrues perfektë shfaqen në publik me të drejta thuajse të njëjta shprehjeje formale; dhe flas për publik para gjithë mediave, përfshirë edhe ato sociale. E kujtoj sa keq shkruanin dikur, jo veç fëmijët e zakonshëm nëpër shkolla (madje edhe në klasa universitare të filologjikut) apo njerëz të zakonshëm në qytet, por edhe mësues vetë, madje edhe korrektues në shtëpi botuese.
Kujtoj në universitet (dega gjuhë letërsi, po them, jo gjeologji minierash) sa punë e djersë derdhte Rami Memushaj për një lëndë, që as duhej të ekzistonte në një nivel të tillë ku përgatiteshin specialistë të gjuhës: në praktikumin e gjuhës shqipe, ku studentët mësonin të shkruanin shqipen letrare dhe të vinin si duhet shenjat e pikësimit. Këtë detyrë duhet ta kishte kryer shkolla në ciklet paraprake, shumë më herët se niveli universitar. E prapë, studentët, këta pra që kishin bërë gjuhë në gjimnaz, nuk dinin të shkruanin si duhet; ndaj lënda qe e nevojshme. Pa shkuar pastaj nëpër lagje qytetase anësore me shkolla të dobëta, apo edhe më fort, nëpër fshatra. Sot të gjitha këto kategori (dikur pa gojë) kanë të drejtën e barabartë dhe të padiskutueshme të të shkruarit krenarisht. Dhe shyqyr! Por, duhen gjetur mënyra që ta njohin standardin. Pa dyshim që njeriu në qendër të këtij kaosi grafik ndihet i rrethuar prej analfabetësh.
Sa për tekstet e atëhershme të gjimnazit, jo veç që s’të bënin kurioz dhe afronin, por të mbanin larg. Ne mësonim gjithëfarë rregullash për kategoritë gramatikore e sintaksore. Kujt i duheshin ato hollësira e rregulla teorike pa fund?! Edhe sikur teoria të ishte përpiluar si duhet, mënyra e ushtrimit të një parimi teorik dhe shprehjeve të tij, bëhej në mënyrë mekanike. Vazhdojmë në të njëjtën hulli. Kam vënë re mbesat e mia që sot janë mes 32 dhe 15 vjeç. Të trija kanë bërë plot mësime gjuhe që s’hanë bukë gjëkundi. Më vinte keq kur shikoja të voglën të përpëlitej para pak vitesh, se duhej të mësonte rregulla absurde për funksionet e diatezës pësore, mesore, vetvetore. Ajo ishte e bindur që nuk i dinte diatezat dhe nuk isha bindëse kur i thoja se i dinte shumë mirë, se e fliste shqipen rrjedhshëm e për bukuri, edhe pse nuk përsëriste dot shtatë rregullat e tekstit, që s’i kuptonte. Megjithatë, gjithë sa them këtu, bazohen në eksperienca dhe mendime të miat, dhe jo në një studim kryer për tekstet apo diskurse reale mësuesish. Bujrum, me kureshtje do dëgjoja dikë që ka bërë një studim për këtë temë, me ide të ngjashme apo të kundërta me mua. Edhe ata që mendojnë se duhet lënda e gjuhës në shkollat e mesme, edhe pse vetë nuk mendoj ashtu. Por, mund të jem gabim.
Unë nuk jam ndër ato që mendojnë se ne shkruanim më mirë dikur, ngaqë bënim gjuhë në kuptimin e lëndës shkollore. Ata që shkruanin më mirë, e bënin sepse e përdornin më shumë gjuhën; shkruanin e lexonin më shumë; kishin modele më të kontrolluara; mësonim më mirë rregullat e drejtshkrimit - mësim me shkop, por me ca rezultat. Por s’duhet ndonjë gjë e madhe të mësosh rregullat e drejtshkrimit që janë të domosdoshme për çdo folës e shkrues të edukuar të shqipes. Gjuha letrare është ende një domosdoshmëri për zhvillim. Ndoshta në një pikë në kohë, nuk do të jetë më. Por sot është shumë e rëndësishme
Rregullat e shkrimit duhet të nisin që në ciklin parashkollor, në fillore e nëntëvjeçare. Para se nxënësja të arrinte në gjimnaz (15-vjeçare) duhej të dinte ta shkruante për mrekulli gjuhën e vet nga ana drejtshkrimore. Pasiguri mund të ketë çdokush në çfarëdo gjuhe, por janë minimale. Për to, hap fjalorin, dhe ja, u kry! Puna është, që pasi i ke “mësuar” fjalët dhe shprehjet në format, regjistrat e stilet e nevojshme, duhet t’i përdorësh rregullisht, duke i bërë ato pjesë të natyrshme të shprehjes së shkruar, si vetë gjuha jote e folur (Këtu nuk po futem në diskutimin, që e folura po ashtu ka rregullsitë dhe shumëllojshmërinë e vet). Ka pak rëndësi sa jemi dakord me to.
Por për rregullat e drejtshkrimit nuk duhet një lëndë gjuhe; ato nis dhe i mëson që në kopësht e pastaj në fillore, duke rritur sasinë e fjalëve që di t’i shkruash si duhet, rregulla të përgjithësuara, që bëhen pastaj automatike në përdorim, e me radhë. Ndoshta para hyrjes në gjimnaz, çdo fëmijë duhet të kalojë një provë të thjeshtë bazuar mbi rregullat formale të të shkruarit, si provë që zotëron bazën formale; dhe mund të ndërtojë aftësitë ligjëruese mbi atë bazë. [Ndërsa them këtë, e di që do ketë lexues me eksperiencë praktike në fushën e edukimit shkollor që do thonë: ata s’e shkruajnë dot shqipen kur mbarojnë universitetin, kjo dashka që në 9-vjeçare! I mirëkuptoj ata që e mendojnë kështu, por të mos gënjejmë veten, që kemi sistem shkollor të studiuar. Po të kishim, fëmijët duhet të dinin të shkruanin pa gabime bazën e gjuhës, që pas nëntë vjetësh edukimi shkollor.]
Nuk e di arsyen pse u hoq lënda e gjuhës nga gjimnazi. Besoj se gjimnazi ishte shumë i rënduar. Edhe për ne ashtu qe: një peshë gjigande na jepej mes matematikës shumëllojëshe, fizikës, kimisë, biologjisë, gjeografisë, historisë, filozofisë, letërsisë, elektronikës, vizatimit teknik, gjuhëve të huaja, fizkulturës... etj. etj. Jam e bindur se ajo që thoshte Teuta Toska në një program televiziv, që gjuha u hoq nga shkollat e mesme sepse u pa tashmë si “mjet për të bërë” diçka me të, dhe jo si “qëllim në vetvete”, pra si lëndë në vetvete, është arsyeja e saktë. Dhe për mua, duhet të jetë pikërisht kështu: duhet parë e përdorur si mjet. Në atë nivel zhvillimi të trurit të ri, fokusi duhet të jetë te “përdorimi”, jo te riprodhimi mekanik i formës. Kjo fazë elementare duhej të ishte kapërcyer në atë pikë. Dhe në mos gaboj, mendimi i Toskës në emision, qe i kundërt me timin.
Ju vini në pah mungesën e kultivimit të zhanrit të esesë në shkollat shqiptare, atë që jashtë njihet si “paper”. Mendoni se moslëvrimi i shkrimit kritik nëpër shkolla është pasojë e traditës vijuese së hartimeve letrare dhe i mentalitetit të trashëguar nga sistemi politik i dikurshëm?
Në fakt, duke iu përgjigjur pyetjes që paraprin, unë mbulova edhe këtë ngastër diskutimi. Mendoj se shkruhet pak nëpër shkolla, duke përfshirë edhe universitetin, ku të shkruarit duhet intensifikuar. E di që kjo po ndryshon së fundmi, dhe shkruhet më shumë se më parë, por nuk di sa korrigjohet, rishkruhet, korrigjohet prapë, për t’u rishkruar një herë të tretë. Dëgjoj shpesh në media të rinj gjimnazistë, madje edhe studentë, që e kanë të vështirë të ndërtojnë një argument ose të mbrojnë një ide, madje edhe të përshkruajnë një situatë. Janë të gjitha detyra të vogla, që bëhen shprehi vetëm gradualisht dhe me insistim që s’pushon, por që strukturojnë mënyrën e të menduarit dhe përforcojnë aftësinë e analizës dhe logjikën te njeriu, që është në të bërë e sipër.
Këto lloj detyrash me shkrim, të vazhdueshme, që u përgjigjen pyetjeve konkrete bërë sipas një metodologjie pedagogjike, që duhet të nisin, që në ciklet e ulëta dhe pastaj të rriten në thellësi, gjatësi e kompleksitet, janë kusht për rritjen e individit të shkolluar. Kjo praktikë, jo vetëm do t’i nxirrte në anën tjetër studentët, me një gjuhë të saktë e të pasur (përfshirë këtu edhe drejtshkrimin, që është hallka më e thjeshtë e procesit), por do t’i pajiste edhe me një mendje kritike e aftësi analitike, që do ta bënte të gajasej një individ, që dëgjon përrallat etimologjike të të vetëpropozuarve gjuhëtarë populistë sot. Më lart nuk flas vetëm për tema letrare, që dikur i quanim hartime, por për detyra kursi me shkrim (tekst verbal, jo thjesht zgjidhje matematike e një problemi) në çdo fushë të dijes sipas nivelit të nxënies, nga temat e thjeshta, tek ato më të vështira.
Në lidhje me debatin mbi standartin, cili është gjykimi juaj? A duhet të bëhen ndryshime të ndjeshme?
Për këtë kam shkruar gjatë: Në Peizazhe të Fjalës e kam trajtuar disa herë çështjen e standardit vitet e fundit; ndërsa në 2010, në një botim nën kujdesin e B. Demiraj, kam përfshirë një artikull të titulluar “The question of Standard Albanian in 2009”. Pozita ime sot pas 15 vjetësh është e ngjashme, sepse kushtet tona politike nuk kanë ndryshuar fort. Mbetemi një grup përgjithësisht fanatik, ende me paranoja identitare, me tendenca të forta pro e kundër, që gjatë lëkundjeve të standardit do krijonin ndasi e agresivitet, që nuk i interesojnë kujt. Do na çonin 50 vjet mbrapa, e ndoshta do rrezikonim të prishnim çfarë kemi arritur, e të mos bëheshim më kurrë me një standard të ri. Po ashtu, mbetemi të varfër, pa mjete financiare që të mbështesnin fushata gjigante shkollore, publikuese dhe të aspekteve të tjera sociale e mediatike, që nevojiten kur bëhen lëvizje themelore në gjuhën letrare kombëtare. Ndryshimi a zëvendësimi i standardit, e sidomos përçmimi i tij që disa e kanë fort përzemër, do të ishte aventurim me pasoja, që s’do të ishin përparuese për ne si shqipfolës e shqipshkrues.
Standardi që kemi është një gjuhë si gjithë të tjerat, veçse e kodifikuar në çdo aspekt, e përdorur dhe e provuar për shumë dekada, që u bazua dhe më pas u lëvrua artistikisht prej shumë shkrimtarëve, poetëve, aq sa edhe prej plot individësh pa profile të veçanta.
Nuk ka dyshim që kemi një standard që ia vlen, dhe, ata që vunë themelet e tij, nuk e bënë thjesht me pasion, por edhe me dije shkencore dhe vetëdije kombëtare
Vërtet dialekte dhe të folme të ndryshme përfaqësohen ndryshe në standard dhe ndihen ndryshëm distantë me të. Por kjo gjendje është normale në gjithë situatat problematike e larg ideales së shteteve kombe. Shqipëria s’bën asnjë lloj përjashtimi. Gjuha standard mësohet prej gjithkujt, nuk flitet vetiu. Unë ngulmoj, që një standard leksikalisht (madje edhe gramatikisht) poroz dhe fleksibël në mënyrën si lëvrohet prej elitës shkruese, i ricikluar gradualisht nga shumica e folësve, do ta sjellë standardin atje ku duhet. Nuk është faji i standardit, që gjuha jonë u tkurr stilistikisht në përdorimet e veta gjatë socializmit, që ishte një rend i izoluar nga zhvillimet moderne botërore. Letërsia shkencore mbeti shumë mbrapa. Ata që duan të shkruajnë në shqip punimet e veta shkencore sot, e dinë ç’heqin për terminologjinë dhe duhet të jenë mendjehapur për t’iu shmangur sintagmave diskursive ideologjike të ngulitura nga socializmi. Por, këto ftillohen gradualisht nëpërmjet përdorimit intensiv. Nuk janë ndonjë problem i madh.
Gjithsesi, nëse në këtë diskutim për standardin fiton ideja, që të bëhen rishikime rregullash dhe të krijohen variante paralele gramatikore, unë s’do ngulmoja të mos kryhej. Jam e hapur për ndryshim racional
Gjithë çelësi i pasurimit dhe përmirësimit të shprehive të një gjuhe është përdorimi i saj i gjithanshëm. Pastaj gjuha rritet e natyralizohet vetiu. Unë pa dyshim do doja jetë sa më të gjatë për dialektet (që për mua janë të aftë si gjuhë), por jo me koston e sakrifikimit të standardit. Kjo do të ishte absurde dhe kundërproduktive. Jam për standard dhe që të folmet të mbeten sa më gjatë gjallë duke i përdorur dhe bërë gjithçka mundemi.
“Teatri si kujtesë historike, si qendër shekullore kulturore e Tiranës, u shkatërrua sepse qëlloi në llokmën më të dashur ku të interesuar ishin ndërtues e parti bashkë, pronarë dhe manipulues të mëdhenj”, shkruani te “Peizazhe të Fjalës”. Teatri si mungesë historike do të shtoja… Si mund të përballemi me vullnetin shkatërrimtar të pushtetarëve?
Tirana është shembulli më i pastër në Europë, si faqja e një qyteti (dhe përtej tij) mund të kthehet përmbys në një kohë relativisht të shkurtër, pa pyetur kënd, pa e diskutuar apo pa u marrë lejë as reale, as figurative banorëve. Pushteti e ndryshon krejt mjedisin e ndërtuar me arsyen arrogante, se i di më mirë këto punë. Në këtë rast, pushteti ka marrë formën eksplicite të një njeriu të vetëm.
Kohët e fundit, që Rama ndien edhe sigurinë, që i jep admirimi i politikanëve europianë dhe mungesa e ndonjë force opozitare për politikat e tij brenda vendit, ai ka bërë të vetën një sjellje prej ati kombëtar, plaku të mençur e të menduar më fort se ajo e një autokrati kalkulues e të rreptë me ministrat e vet. Unë besoj se ai sinqerisht mendon se ia doli ta bëjë Shqipërinë, ia zbardhi faqen nëpëmjet arkitekturës kuruar delikatçe prej atij vetë
Edhe pse ka shumë njerëz sot, që shprehen me superlativa për mënyrën se si zhvillohet Tirana, për ndryshimin që ka pësuar sidomos në vitet e qeverisjes socialiste, mbi njëdekadëshe tashmë, për dukun dhe shkëlqimin e qendrës (mes tyre, sidomos njerëz që nuk e njohin nga afër atë dhe historinë e qytetit, të huaj ose shqiptarë emigrantë që, nga një anë mund të përballojnë çmimet e saj, e nga ana tjetër përmbushin nevojën e një krenarie sipërfaqësore kundrejt konsumatorit të vendit, ku kanë emigruar), Tirana është shembëlltyrë e mungesës më ekstreme të një lidhjeje organike mes qytetit dhe njerëzve, si edhe e qytetit dhe historisë së tij. Prishja e teatrit ishte thjesht vetëm njëra nga format e këtij procesi të zgjeruar, ku pushteti pa konkurrent (sepse edhe sikur Partia Demokratike të qe një forcë funksionale, ajo është palë e të njëjtave marrëdhënie korruptive historike, që kanë bërë Tiranën atë që është sot, ndaj nuk llogaritet) i bërë organikisht njësh me biznesin e madh, ia del të fitojë pandalshëm, megjithë një rezistencë reale popullore që, edhe u përgojua e u kërkua të bëhej pis më pas.
Mendoj se teatri pati edhe një rol politik simbolik të rëndësishëm: qëndrimet e personave me profile politike alternative dhe jo-socialiste, dëshmuan se elitat intelektuale në hapësira jodemokratike si e jona e braktisin pa problem idealin intelektual në emër të një ideali partiak, në shërbim të interesit personal. Edhe pse, pa asnjë dyshim, këto ideale, jashtë skemave politike, do i kishin pasur krejt të kundërta.
Vija e partisë fitoi, dhe mua më kapi mat kjo lloj partishmërie që nuk e prisja dhe që nuk e lidhja dot me njerëz, që kishin dashur lirinë dhe vlerat e vërteta. Por, hyrja në rreshtin politik e ndryshon njeriun. Besoj. Ende kam një copë trullosjeje, kur e mendoj; një copë timen të vdekur, pa asnjë arsye të mirë.
Pra, jo, në vende me kulturë të mangët demokratike si ne, nuk fiton dot kundër vendimit autokratik, edhe pse përkohësisht mund të përballesh me vullnetin e pushtetarëve.
Ju keni shprehur publikisht mirënjohjen tuaj për kontributin e Peizazheve të Fjalës në mbrojtjen e njeriut të ideve, modernitetit, anti-sharlatanizmit dhe anti—amatorizmit. Jo pak herë, edhe ju jeni gjendur në qendër të sulmeve përdhosëse nga të ashtuquajturit gjithologë. Çfarë mendoni se e ka amplifikuar këtë mendësi kaq të përhapur anti-shkencore, që ndeshet në të gjitha nivelet akademike e jo-akademike shqiptare?
Në një farë mënyre e trajtoj këtë pyetje edhe më lart. Shkaqet janë të kuptueshme me nivelin e ulët të edukimit shkollor te ne dhe me riciklimin e vazhdueshëm trushpëlarës, që u janë bërë teorive rilindase në 100 vjetët e fundit, sikur të ishin teori komb-formuese bashkëkohore. Në këtë sfond, disa arsye konkrete pse ekzistojnë besime të tilla absurde dhe obsesive, kur nuk ekziston asnjë nevojë praktike për to janë:
- a) injoranca e gjerë dhe komplekset e thella identitare të shqiptarëve;
- b) kollajllëku i aksesit në akademi (nivelet universitare) të njerëzve, që s’kanë aftësinë minimale të analizës dhe metodologjisë shkencore; përndryshe një akademik nuk mund të besojë broçkulla, veçse nëse del nga fiqiri; dhe niveli i ulët i universiteteve tona, ku mund të punojnë njerëz të tillë;
- c) (lidhur me a) ideja masive se, meqenëse gjuhën shqipe e flasim ujë, kemi edhe aftësinë e tagrin të dimë natyrshëm dhe të teorizojmë edhe mbi ligjësitë më teknike të saj;
- d) mungesa e punëve të përditshme reale të shumë njerëzve dhe jetesa në një limbo kotësish e mungese ngjarjesh; një zvarritje, ku viktimizimi dhe sporti etimologjik u mbush kohën njerëzve. Ndoshta edhe arsye të tjera.
Për mua Peizazhet janë i vetmi medium jetëgjatë dhe kompetent i rezistencës për progres, që ne kemi prodhuar në fushën e kulturës kombëtare në vitet e demokracisë. Vehbiu është një eseist dhe shkrimtar i rrallë, jo vetëm në hapësirën shqiptare, mendjehollë, i ditur dhe i talentuar, me komizëm intelektual të pashoq. Bashkëpunimi i Vehbiut dhe Pirës, jo vetëm që kanë siguruar një fushë të komunikimit publik nga më sqimëtaret që unë njoh, por edhe që të jep besimin e mosshitjes, me një lloj imuniteti ndaj korrupsionit sistemik shqiptar, edhe pse dënuar për dekada në ndenjësen e Sokratit të vuajtur. Nuk është kjo e përrallëtarëve të shqipes hera e parë, që revista ndeshet ballazi me disa nga dukuritë sociale antishkencore dhe antidemokratike, që prodhon shqiptaria kulturore dhe politika shqiptare.
Jam e bindur, që ata e kanë marrë parasysh këtë, dhe e bëjnë me bindje dhe devotshmëri. Më vjen keq vetëm, kur Peizazhet pret jo vetëm mllefin e kuptueshëm e të pritshëm të grupit të kritikuar ose, në rast tjetër, atë të establishmentit, por, ndonjëherë, edhe atë të grupimeve që e shohin veten si elitë intelektuale apo shkencore e vendit. Janë të gjitha mënyra të ndryshme, por që synojnë të njëjtën gjë: mohimin e lirisë së fjalës, kur fjala nuk është ajo që na e do veshi.
Sa Tiranë, sa Ballkan, sa Mesdhe mbartni me vete në Amerikë?
Gjithë sa janë Tiranë, Ballkan dhe Mesdhe, i kam me vete. Gjithë sa perceptoj unë si të tillë, janë me mua në çdo mendim që më ndërton ditët. I jetoj njëkohësisht me vendin ku jam, pa krisë a rrudhë mes tyre, edhe kur jam në Amerikë, me shumë kritikë e me kthesa opinionesh për secilën, por edhe me shumë dashuri, por jo të racionalizuar. Janë natyrshëm ajri im dhe ambienti im shpirtëror dhe sensorial, dhe shpresoj ta kem të gjallë dhe të mundur këtë përzierje deri në fund. E shkuara është vendi ynë, apo jo?
Add new comment