Pakti i mossulmimit që u intereson të gjithëve*
Arben Ahmetaj pritet të japë intervistën e radhës “ekskluzive” që pas arratisjes së tij dramatike e çnderuese në ekzil- të paktën kështu njoftojnë mediat në të majtë e në të djathtë. Dhe në këtë paralajmërim të ftohtë e të thatë, si një konferencë shtypi qeveritare, është e vështirë të imagjinosh një tension real me ish kolegët e tij në Qeveri. Në fund të fundit, akuzuesi është njëri prej rrethit të tyre të ngushtë, dhe gjithka shkon mirë, për sa kohë akuzat nuk përmbajnë fakte, dhe indiferenca mbretëron supreme në opinionin publik.
Deri më tash, pavarësisht frenezisë mediatike opozitare të trashur deri në absurditet, deklarimet e Arben Ahmetaj nuk kanë ofruar asgjë substanciale për të trazuar ekuilibrat e pushtetit në Tiranë. Në dy intervistat e para, ai ka ofruar leksione falas masteri në vetëviktimizim-leksione që pakkush i merr seriozisht-të shpëlara me akuza pa fakte që bien diku mes inuendos dhe thashethemeve të riciklueshme nëpër kafenetë e ish-Bllokut. Nëse kjo supozohej se do të tundte themelet e pushtetit në Tiranë, performanca e deritanishme ka qenë për faqe të zezë.
Por me sa duket, trazimi në krye të pushtetit nuk është detyrimisht i lidhur me atë çfarë Ahmetaj ka deklaruar deri tani; drama e vërtetë qëndron tek pëshpërimat dhe hijet që Ahmetaj hedh në publik, të cilat janë shumë më të rënda se sa faktet që i mbështesin. Njerëzit që do të preferonin që ai të heshtte, më shumë i tremb mënyra se si ato do të mund të përdoren nëse ekuilibrat e pushtetit ndryshojnë. Nën sipërfaqen e asaj që thuhet apo nënkuptohet publikisht, qëndrojnë të pathëna që palët e interesuara mund t’i përdorin për të shantazhuar njëri tjetrin, për tu siguruar që e vërteta të mos e shohë dritën e diellit ndonjëherë.
Deri në momentin që flasim, mazhoranca çuditërisht i ka rezistuar tundimit për të iniciuar masa substanciale ndëshkimore, çka përbën një rast përjashtimor nga raste të ngjashme rebelimi apo devijimi nga linja zyrtare e pushtetit socialist. Nga ana tjetër, Ahmetaj me gjithë teatrin absurd mediatik si një farsë në rritje, është kujdesur që të mos thotë diçka që ta vendosë në konfrontim real me pushtetin në Tiranë. Një pakt mossulmimi që u intereson të gjitha palëve, përfshirë drejtësinë e cila me akuzat pa substancë të Ahmetajt e ka justifikimin e nevojshëm për të mos ndërmarrë ndonjë hetim.
Është për këtë arsye që rrëfimi i radhës i Arben Ahmetaj, nuk pritet të sjellë ndonjë të re, përveç dredhive të rëndomta retorike të mësuara në kursin e partisë. Do të jenë të njëjtat gjysëm të vërteta, të njëjtat ngjarje të hamendësuara pa personazhe, pa data, pa lidhje me njëra-tjetrën, pa fakte konkrete që mund t’i vendosin në vështirësi shefat dhe shokët e tij. Me shumë gjasa, nuk do të ketë as kësaj radhe një rrëfim të mirëfilltë- por një manovër të mirëmenduar për të shantazhuar zengjinët e rinj të Tiranës. Ahmetaj do të vazhdojë të jetë pjesë e zhganit të tyre, jo sepse i kanë rënë të njëjtit shteg, jo vetëm sepse janë ulur së bashku në të njëjtat tryeza pazaresh, intrigash dhe korrupsioni, por sepse ai ka zgjedhur të mbrohet jo nepërmjet të fakteve të pakëndshme që e inkriminojnë dhe atë vetë, por nepërmjet shantazhit, duke u kujdesur posaçërisht që e vërteta të mos shohë dritë ndonjëherë.
*Titulli i autorit: Rrëfimet e Arben Ahmetaj, ose arti i të mos thënit asgjë
Add new comment