Gara e humbur me Kinën, edhe Nissan shkurton 9 mijë vende pune

Postuar në 07 Nëntor, 2024 22:18

Nissan ka njoftuar për një plan që përfshin shkurtimin e 9 mijë vende pune dhe një ulje vullnetare të pagës prej 50 për qind për shefin ekzekutiv Makoto Uchida. Vendimi erdhi pas raportimit për humbje përgjatë tremujorit të fundit.

Prodhuesi i tretë më i madh i makinave në Japoni tha se do të ulë kapacitetin global të prodhimit me 20 për qind dhe do të shkurtojë kostot me 400 miliardë.

Nissan nuk ia doli t’i kundërpërgjigjej me sukses ngadalësimit të shitjeve globale të automjeteve elektrike me një ofertë të fortë hibride, e cila ka ndihmuar rivalët Toyota dhe Honda.

Problemet në Nissan sinjalizojnë presion të mëtejshëm në industrinë globale të makinave. Shumica e prodhuesve raportojnë fitime në rënie për shkak të konkurrencës së ashpër nga prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike në tregun më të madh të makinave në botë.

Volkswagen ka lajmëruar se do të mbyllë disa fabrika në Gjermani për herë të parë në historinë e tij 87-vjeçare, ndërsa Stellantis, pronari i Peugeot, Fiat dhe Jeep, reformoi menaxhimin pas një rënie të mprehtë të shitjeve në SHBA.

Vështirësitë që krijon Kina rëndojnë mbi fitimet në Toyota, Honda dhe BMW.

Shkurtimet e vendeve të punës përfaqësojnë pothuajse 7 për qind të fuqisë punëtore të Nissan, e cila numëronte 133 580 në fund të vitit të kaluar financiar.

Për tremujorin korrik-shtator, ajo raportoi një humbje neto prej 9.3 miliardë jen nga një fitim prej 190.7 miliardë jen një vit më parë, nga të ardhurat që ranë 5 për qind në 2.99 trilion jen.

Ulja e fitimit ishte e dyta radhazi gjatë vitit financiar, pasi uli parashikimin e tij për vitin e plotë kur raportoi fitimet e tremujorit të parë.

Uchida tha se kompania kishte nevojë për një fokus më të madh në aleancat e saj me Honda dhe Mitsubishi.

Grupi planifikon të riparojë linjën e vjetër të automjeteve duke lançuar automjete të reja elektrike në Kinë dhe hibride plug-in në SHBA.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.