Në Europë nuk duan të punojnë më

Postuar në 27 Tetor, 2024 16:01
Skerdilajd Zaimi

 

Diçka nuk funksionon më në Europë. Nuk është vetëm një tregues që flet për një krizë mesa duket të thelllë dhe komplekse, por disa. Që me miratimin e Kushtetutës ku u shpalos diskutimi për identitetin e vet, Europa evidentoi një paaftësi për të përkufizuar qartë veten e për pasojë: identitetin, kufinjtë dhe mundësitë e veta.

Mandej, kriza financiare që pa Gjermaninë të diktonte modelin e menaxhimit, i cilësuar sot si katastrofik. Pandemia zbuloi një apati të paprecedentë në një kontinent që ka gjeneruar ide dhe lëvizje për tre shekujt e fundit. Invazioni rus i Ukrainës nxori në dritë edhe një aspekt tjetër: Europa nuk ka një vizion për sigurinë e vet. Sanksionet ndaj Rusisë duket se katalizuan një krizë ekonomike për Gjermaninë që sot cilësohet se ka hyrë në reçesion. Dhe reçesioni po prek edhe anën cerebrale teksa sheh se një pjesë e mirë e vendeve kryesore të BE-së po kthejnë kontrollet në kufi, duke i dhënë praktikisht fund një prej arritjeve më të mëdha: Lëvizjes së lirë.

Pak kohë më parë presidenti francez, Emmanuel Macron deklaronte se Europa duhet të heqë dorë nga mbirregullimi, ngurtësia burokratike, nëse do që të mos mbetet e fundit në këtë shekull. Europa e 500-600 milionë banorëve, zona më e zhvilluar në planet, nuk di të formuojë një përgjigje as për Ballkanin Perëndimor që i bën apo jo 15 milionë banorë – as e integron, as e largon. Sikundër sillet po njësoj me Ukrainën të cilës i ka dhënë miliarda euro. Europa megjithatë ka disa armiq: i ka brenda vetes, në Hungari, disi në Poloni, Sllovaki dhe Çeki. Janë njerëz që mendojnë vetë dhe ky është problem i madh. Europa sot ka një të majtë që është larguar shumë nga aksi i shqetësimeve të dikurshme ideologjike dhe taktike e që lidheshin kryesisht me cilësinë e jetës së punëtorëve. Puna sot në Europë ka marrë goditje si nocion, si mjet jetese dhe progresi. Dhe sinjalet për këtë vijnë nga disa drejtime. 

CoVid-19 zbuloi një alergji për punën ne botën perëndimore. Më pak në SHBA, ndoshta për shkak të etikës protestane. Por këtu, brezat më të përkëdhelur nuk duan më të punojnë. Ana tjetër e medaljes është imigracioni. Meqenëse francezët nuk duan punë të vështira, imigrantët do t’i bëjnë ato

Kështu shprehej në një intervistë të pak kohëve më parë filozfi frëng, Pascal Bruckner, një vëzhgim që konfirmohet nga një burim edhe më i besueshëm. Nicolai Tangen, drejtuesi i një prej fondeve më të mëdha në botë, “Norges Bank Investment Management”, shprehet se ka dy arsye pse SHBA është shumë më parë Europës:

Kultura pozitive e dështimit të amerikanëve dhe volumi i përgjithshëm i punës që lidhet sipas tij me një “Ambicie më të madhe sesa ajo e europianëve”.

Vetëm dje Islanda njoftonte kalimin në javën e punës katër ditore, dhe sa për krahasim në perspektivën e outputit të përgjithshëm, të dhënat konfirmojnë se nëse mes europianëve dhe amerikanëve ka një diferencë të vogël në favor të të dytëve për orë pune, duhet theksuar se 13% e këtyre të fundit punojnë më shumë se 49 orë në javë, që tejkakon të gjitha vendet europiane. Edhe Greqinë që në vitin 2022 llogaritej në vend të parë me 41 orë pune.

Në Europë është shumë i përhapur edhe fenomeni i Dorëheqjes së Madhe – ose gatishmërisë për të ndryshuar punë çka krijon destabilitet në tregun e brendshëm. Bashkuar kjo me qasjen anti-migratore që është teknikisht kundërproduktive në disa drejtime, bëhet e qartë se konfuzioni është kolosal.

Si mundet që Europa e revolucionit industrial, e ideologjive dhe organizimeve që gati e fetishizuan punën si shpërblim, e një etike madje unike mbi këtë proces që definon zhvillimin, të mbërrijë këtu?

Aq absurde duket kjo saqë edhe neni 1 i Kushtetutës italiane që e përkufizon Italinë si një Republikë Demokratike të bazuar mbi Punën, tingëllon disi i pavend tashmë. Kriza e vitit 2008 nxori në pah apatinë e një shoqërie që nuk e shndërroi rënien në energji, me probleme serioze të brezit të ri që refuzon për shkak të mirëqenies së trashëguar, të punojë poshtë një page të caktuar. Edhe kur nuk ka opsion tjetër. Të ndenjurit është zgjedhje me premisë Etike përpara sesa të jetë komoditet.

Europa e ka celebruar Punën dhe madje Punëtorin, ndonëse është kontinenti i titujve dhe heraldikave të ngulitura mirë. Në Carrara të Italisë, në vendin e mermerit të famshëm, sheshet popullohen nga statuja punëtorësh që tërheqin nga alpet apuane drejt detit karrot e ngarkuara. Jo më kot Carrara është edhe vendi i anarkizmit, një prej shesheve kryesore të saj celebrohet si triumf ndaj fisnikërisë dhe sot e kësaj dite gjyqi për pronësinë e kavave të mermerit vazhdon.

Analogia e këtij tributi mund të gjendet edhe në Poloninë katolike, në minierat e kripës në Silezi ku qoftë brenda tyre, qoftë në qytetin e mbrojtur nga UNESCO dominon imazhi i minatorit. Vetë miniera sot tërheq 2 milionë turistë, që sjellin më shumë të ardhura sesa vetë kjo arterie që ka qenë burim konfliktesh dhe mirëqenieje për shekuj.

Nga punëtor në turist. Ky është shndërrimi pardigmatik që ka përjetuar Europa që u përforcua edhe nga puna në distancë e prezantuar në periudhën e pandemisë. Si mund të dilet që këtej? Si mundet të nxitet ambicia për të ecur përpara, konkuruar në një mjedis që e sugjestionon stabilitetin përmes ndihmave sociale? Askush nuk di ta thotë por e qartë është se një mirëqenie e ardhur nga shërbimet, nga menaxhimi i trashëgimisë jo vetëm nuk zgjat, por ka efekte marramendëse dhe të pakthyeshme në kualifikimin e një shoqërie.

Dikur Montanelli u shpreh se nuk shihte të ardhme për Italinë, një vend që popullohet nga njerëz që nuk dinë historinë e tyre. Por se shihte të ardhme për italianët si kuzhinierë të mirë, rrobaqepës dhe këpucarë. Asokohe tingëllonte pak nihilist ky parashikim, jo edhe aq sot. Problemi i një drejtimi të zhvillimit është strukturor dhe këtë e provon edhe një vend si yni që është shndërruar në një treg që kërkon punë pak të kualifikuar sepse e tillë është struktura e ekonomisë. Nuk ka asgjë që të përligjë hopin zhvillimor me këtë strukturë. Jo vetëm te ne, por edhe në ato vende që sot duken të paarritshme.

Comments

Submitted by Janus (not verified) on

Paeashtrim e përsiatje tepër interesante për një nga zhvillimet më dramatike të kohës. Thelbi i problemit besoj qëndron tek qasja barazitiste e së majtës europiane për garantimin të sigurive për punë dhe mbrojtje sociale si e drejtë e pa lidhur me meritat dhe produktivitetin e punonjësve, por si detyrim i shtetit dhe i punëdhënësve për t'i ofruar. Kjo mbjell vetëm dembelizëm dhe demotivon njerëzit produktivë. Zgjidhja? Vetëm një krizë si ajo e 1929.
Një korrigjim i vogël në tekst, zoti Zaimi: thuhet reçesion dhe jo reçension.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.