“E gjithë popullata e Gazës veriore rrezikon vdekjen”
Ajo që forcat izraelite po bëjnë në Gazën e rrethuar gjatë luftës së tyre të vazhdueshme kundër Hamasit nuk mund të lejohet të vazhdojë. Joyce Msuya, zyrtarja më e lartë për çështjet humanitare e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi në një postim në Twitter se “e gjithë popullata e Gazës veriore është e rrezikuar nga vdekja”.
Izraeli ka goditur spitalet në rajon, ka arrestuar punonjësit e shëndetësisë dhe ka penguar emergjencat që të shpëtojnë njerëzit e bllokuar nën rrënoja, sipas Msuya, ushtruese e detyrës së Nënsekretarit të Përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Koordinatore e OKB-së për Ndihmën Emergjente.
“Strehëzat janë boshatisur dhe djegur…familjet janë ndarë dhe burrat dhe djemtë janë marrë me kamion”, tha ajo, duke shtuar se “një shpërfillje e tillë flagrante për humanizmin bazë dhe për ligjet e luftës duhet të ndalet”.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bëri jehonë paralajmërimit, duke shprehur shqetësime të thella për situatën "katastrofike" në Gaza. Ai theksoi gjithashtu ndikimin e rëndë të armiqësive të vazhdueshme në kujdesin shëndetësor në rajon.
Ai shtoi se spitali Kamal Adwan në qytetin e Jabalia, një nga objektet e pakta mjekësore funksionale në Gazën veriore, është dëmtuar rëndë dhe vetëm një numër i kufizuar punonjësish ka mbetur për t'u kujdesur për gati 200 pacientë pas ndalimit të 44 pjesëtarëve të personelit.
Jeruzalemi Perëndimor është akuzuar vazhdimisht se ka shënjestruar pa dallim civilët në Gaza. Sipas zyrtarëve shëndetësorë të enklavës, mbi 42 000 palestinezë janë vrarë dhe rreth 97 000 janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve midis Hamasit dhe Izraelit në tetor 2023. IDF ka hedhur poshtë akuzat për kryerjen e krimeve të luftës, duke argumentuar se Hamasi po i përdor civilët palestinezë si mburoja njerëzore. Më shumë se një vit pas konfliktit, rreth 90% e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës është zhvendosur, shumica e tyre disa herë, sipas vlerësimeve të OKB-së.
Add new comment