Izraeli sulmon Iranin, një hap më pranë luftës rajonale

Postuar në 26 Tetor, 2024 12:17

Izraeli ka nisur një seri sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake brenda Iranit.

Sulmet ajrore, të njoftuara nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, erdhën si përgjigje ndaj një sulmi iranian të 1 tetorit mbi Izraelin me rreth 200 raketa balistike që goditën bazat ushtarake dhe infrastrukturën civile.

IDF tha në një deklaratë se sulmet e saj janë "në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme prej muajsh të regjimit në Iran kundër shtetit të Izraelit".

Mediat iraniane raportuan shpërthime të shumta gjatë disa orëve në Teheran, kryeqytet, dhe në bazat ushtarake aty pranë, duke filluar pak pas orës 2 të mëngjesit me orën lokale (2230 GMT të premten).

Të paktën shtatë shpërthime u raportuan mbi Teheran dhe Karaj, si dhe në qytetin lindor të Mashhad. Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA raportoi se dy ushtarë u vranë.

Iraku, Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Pakistani i kanë dënuar sulmet, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kanë paralajmëruar kundër përshkallëzimit të mëtejshëm.

Izraeli e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë paraprakisht për sulmet, por asnjë mjet ushtarak amerikan nuk ishte i përfshirë në operacion, tha një zyrtar amerikan për Politico.

Sulmet e Izraelit erdhën pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken sapo kishte përfunduar një udhëtim në rajon në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për t'i dhënë fund luftës së vendit me Hamasin.

Blinken tha në mënyrë të përsëritur se SHBA-të mbështesin të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, duke pranuar në thelb se një sulm izraelit ndaj Iranit ishte i pashmangshëm, ndërsa paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni nuk dëshiron që dhuna në rajon të përshkallëzohet më tej.

Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar ashpër ato që i quajti "veprime agresive të regjimit sionist kundër disa qendrave ushtarake në Iran", duke thënë se Irani "ka të drejtën dhe detyrimin të mbrohet nga aktet e jashtme agresive" pas sulmeve izraelite në tokën e tij.

Ministria tha se i konsideron sulmet "një shkelje të hapur" të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së, veçanërisht parimit që ndalon kërcënimet ose përdorimin e forcës kundër integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të vendeve.

Një ish-komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) i ka përshkruar sulmet izraelite ndaj Iranit si të pasuksesshme dhe të dobëta.

"Agresioni i regjimit sionist kundër Iranit ishte më shumë një shenjë frike dhe ikjeje sesa një shfaqje force," shkroi Mohsen Rezaee, në një postim në X.

Faqja e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në, citoi gjithashtu burime të informuara duke hedhur poshtë pretendimet se Izraeli kishte goditur 20 objektiva në Iran ose kishte përdorur një numër të madh avionësh luftarakë për të kryer sulmet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.