“Veto mbi sanksionet ndaj Rusisë nëse na cenohet energjia”
Hungaria mund të bllokojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë nëse politikat e unionit cenojnë sigurinë e saj energjetike, ka paralajmëruar ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto. Budapesti do të lejojë vendosjen e kufizimeve vetëm nëse ato ruajnë përjashtimet aktuale për furnizim me energji nga Rusia.
BE-ja ndaloi transportin e naftës së papërpunuar ruse nga deti në dhjetor 2022 si pjesë e fushatës së saj të sanksioneve në shkallë të gjerë kundër Moskës për konfliktin në Ukrainë. Megjithatë, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, pa dalje në det, insistuan që të përjashtoheshin nga kjo masë për shkak të mungesës së burimeve alternative të furnizimit.
“Sanksionet po rishikohen në një cikël prej gjashtë muajsh zakonisht, dhe për sa kohë që sanksionet janë në fuqi, këto përjashtime duhet të mbeten në fuqi, sepse përndryshe ne do të vendosnim veton ndaj sanksioneve”, tha Szijjarto në një intervistë për RIA Novosti. Ai theksoi se për Hungarinë, çështja e furnizimit me energji nga Rusia nuk është çështje politike, por çështje e sigurisë energjetike.
Szijjarto e cilësoi “absolutisht irracional” planin RePoëerEU, me të cilin Bashkimi Europian synon të shkëputet nga varësia prej gazit rus deri në vitin 2028.
“Kjo qasje nuk ka të bëjë me konkurrencën ekonomike… me tranzicionin e gjelbër. Është thjesht një angazhim politik dhe marrja e angazhimeve politike në fushën e energjisë thjesht nuk ka kuptim,” tha ai, duke akuzuar BE-në për mbajtjen e një “qasjeje ideologjike dogmatike”, të cilën Hungaria nuk e përkrah.
Add new comment