Shalsi kërkon publikimin e “planit” të auditimit të KLSH-së
Raportet e Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të bëra shkak shpeshherë për përfundimin e zyrtarëve të lartë në dyert e SPAK, janë kthyer në objekt debati këtë të martë në Komisionin e Ekonomisë.
Teksa shqyrtohej draft-rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të këtij institucionin që ka identifikuar me qindra abuzime në tendera e PPP, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi, kërkon që KLSH-ja t’i dorëzojë atij listën e institucioneve që do të auditojë, duke bërë kësisoj publik planin e punës.
Eduart Shalsi - Ekspertët e huaj i mëshuan fort faktit që plani duhej bërë publik para se të miratohej. Gjithkush të kishte mundësi të shihte cilat ishin institucionet që do auditoheshin.
Erion Braçe - Plani i auditimit duhet të jetë transparent dhe pse jo publik. Të shpallet publikisht plani i autidimit dhe të shkojnë atje për të kontrolluar. KLSH nuk është institucion që ka gjë për të fshehur. Ka pushtet kushtetues si organi suprem i kontrollit të jashtëm.
Të tjera shqetësime për të cilat socialistët ndanin të njëjtat bindje, ishin edhe afatet e zgjatura të auditeve.
Eduart Shalsi - Do të duhet që për të gjitha kontrollet që zgjasin përtej një afati të caktuar të kemi një raport të detajuar përse.
Erion Braçe - Prapë po u them. Nuk kam nevojë fare. Unë funksionoj me informacion, nuk funksionoj me spiunë. Çfarë bën audituesi 10 muaj në një drejtori. Pi kafe? Dhjetë muaj. Çfarë mund të bësh?
Por edhe mes mazhorancës, kishte ligjvënës që e konsideruan si të padrejtë dhe shqetësuese ndërhyrjen në punën e KLSH.
Frrok Gjini - Në një institucion auditues si KLSH, i pavarur, zbaton ligjin. Por auditimet i bën në bazë të standardeve ndërkombëtare të auditimit. Planifikimi i auditimit në një institucion të pavarur auditues nuk bëhet në konsultim me grupet e interesit.
Alban Xhelili - Përsa i përket publikimit dhe kohës, është cenim i punës së KLSH.
I vetmi deputet opozitar në Komision, Arbi Agalliu u shpreh me nota të buta kundrejt pretendimeve të mazhorancës, megjithatë kërkoi që të ndalohen presionet ndaj institucionit.
"Të shmangim diskutimet të cilat kanë të bëjnë me raste të veçanta, të cilat mund t'i nxjerrim edhe jashtë kontektit, por thelbi të mbetet te zbatimi i ligjshmërisë te KLSH. KLSH I pavarur. Të hiqet dorë nga presioni ndaj këtij institucioni", tha Agalliu.
Zëri i KLSH-së u bë edhe më i fortë në arenën politike dhe atë të drejtësisë, me denoncimet e institucionit pas gjetjeve dhe paralajmërimeve në Spitalin Onkologjik apo denoncimeve për pronat shtetërore që jepeshin duke shkelur ligjet. Nevojën për moscënim të pavarësisë së institucionit që drejton e shprehu pak ditë më parë vetë kreu i KLSh-së në një takim të thirrur nga kryeparlamentarja Spiropali në prani edhe të partnerëve ndërkombëtarë.
Add new comment