Komente për një takim Putin-Biden. Rusia i "ofron" BE-së Eurazinë pa SHBA-të
Samiti i G20 i muajit nëntor në Brazil mund të inaugurojë një moment kthese për krizën ukrainase. Një ditë më parë, agjencia ruse e lajmeve, “TASS” sillte në vëmendje një deklaratë të presidentit amerikan Joe Biden që në interepretimin e saj, “nuk përjashtonte një takim me presidentin rus Putin” në Brazil.
Por unë besoj se Putin nuk do të shfaqet
citohet Biden.
Sot, zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov, deklaronte se presidenti rus është i gatshëm të takohet me Biden, por nuk ka një axhendë takimi. Madje sipas tij, nuk ka patur kontakte mbi këtë çështje ende. Peskov ka shmangur faktin se SHBA bën pjesë me dekret presidencial në “listën e vendeve armiqësore”, ndërkohë që Biden ka neglizhuar faktin se për Putin ka një urdhër arresti ndërkombëtar.
Komentet në fjalë vijnë ndërkohë që edhe nga Europa po rimendohet strategjia ndaj Rusisë. Presidenti i Francës Emmanuel Macron foli pak kohë më parë për nevojën e “akomodimit të Rusisë në të ardhmen” në marrëdhëniet me BE-në, ndërkohë që pala gjermane ka shprehur gatishmërinë për një lidhje telefonike të posaçme me Kremlinin.
Paralel me këtë zhvillim, Rusia ka bërë një ofertë të re, që në fakt është e vjetër. Ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, ka deklaruar përmes një artikulli të publikuar në faqen e Ministrisë së Jashtme të Federatës Ruse, “Që OKB të jetë një sërish Qendër për Koordinimin e Veprimeve të Kombeve”, se Rusia nuk e dëshiron përjashtimin e Europës nga dialogu euroaziatik.
Ne nuk jemi të angazhuar në ngritjen e mureve me të tjerët dhe nuk përjashtojmë shtetet europiane nga dialogu, nëse sigurojnë se ata janë realisht të interesuar dhe nuk përfshinë në veprime destrutiktive kundër vendeve të tejra të Eurazisë – një kontinent që shtrihet nga Lisbona në Vladivostok dhe nga Moska në Riadh, New Dehli, Pekin dhe Xhakarta…
Synimet strategjike të arkitekturës së sigurisë të propozuar prej nesh janë rregullimi i kontradiktave aktuale në kontinent nga vendet e Eurazisë, parandalimi i konflikteve të mëtejshme dhe largimi i pranisë ushtarake destabilizuese të lojtarëve jashtë rajonalë nga Eurazia
shkruan Lavrov.
Këtu theksi shkon në aspektin ekonomik dhe i ofron Europës një garanci investimi për të ardhmen. Aktualisht në BE ka përherë e më shumë zëra që janë të shqetësuar se Europa po mbetet pas, se ka mbirregullim të tregut, se të dhënat tona janë kapitalizuar nga platformat amerikane dhe më keq, nga sanskionet e pas vitit 2022 ndaj Rusisë, Europa humbi kurse SHBA fitoi.
Eurazia sugjerohet kështu si një subjekt i ri i një tregu të jashtëzakonshëm shtrirë mbi një gjeografi të pakonkurueshme burimesh në rang global. Dhe i sugjerohet Europës Perëndimore si shansi i saj përkundrejt një aleance transatlantike që tanimë siguron vetëm dominimin e njërit aktor mbi të tjerët. Po kështu sugjerimi rus vjen edhe si një variant alternativ ndaj projektit kinez – Një rrugë – Një Brez, duke vënë në dukje se Azia tashmë nuk është vetëm burim i lëndëve të para, por edhe tregu i së ardhmes dhe opsion investimi kapitalesh, çka provohet edhe nga përvoja amerikane e pas viteve ’90.
s.zaimi
Add new comment