Institucionet e drejtësisë refuzojnë komisionin e Xhafajt
SPAK nuk do të jetë pjesë e Komisionit të Antikorrupsionit. Institucioni i akuzës njoftoi se vendimi për këtë ka qenë unanim, ndërsa do ta asistojë komisionin në fjalë me opinione ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme.
Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse.
Pjesëmarrjen në këtë komision e refuzoi edhe Inspektoriati i Lartë Drejtësisë, organ i tretë i pavarur që nuk ka pranuar të jetë pjesë e komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Këto refuzime, erdhën pak orë pasi kreu i SPAK Altin Dumani, pranoi në një tryezë të organizuar nga kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, se pavarësia e Prokurorisë duhet të mbrohet, ndërsa shtoi se në fokus të punës së saj, ishin pikërisht zyrtarët e lartë të të gjitha kategorive.
Komisioni Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në BE, që drejtohet nga socialisti Fatmir Xhafaj, është refuzuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Për shkak të funksionit tonë, nuk mund të marrim pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj, në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, thuhet në përgjigjen e kreut të GJK, Holta Zaçaj.
Add new comment