Pse askush nuk e kallëzon për shpifje Arben Ahmetajn?
Dënimi me 1 vit burg për shpifje(kallëzim i rremë) i Ervin Salianjit po vepron me forcën e paradoksit ndonëse teknikisht është ezaurim i një procedure konkrete.
Drejtësia thotë se Salianji ka shpifur dhe ai dënohet. Dakord. Dhe ky vendim do të disiplinojë këtej e tutje lodrën publike të politikës, sidomos skriptet policore të saj. Por dënimi ka me vete komiken e vet.
Në një mjedis kaq të ndotur dhe toksik, kur akuzat zyrtare hetojnë vjedhje miliardashe, shpifja e Salianjit është deri diku si ajo thirrja anonime “dëgjuam krisma” të cilat mandej dolën se nuk kishin qenë. Por edhe nëse kanë qenë, kanë qenë diku larg.
Është dramatike të shohësh kryeministrin që celebron vendimin si mësim ndaj shpifësve, por harron të veprojë sa më shpejt ndaj dardharëvë të pafryrë të qeverisjes së vet, të cilët I ka shpallur të tillë po ai. Pse ai nuk bëri një padi apo kallëzim të vetën ndaj tyre?
Pse nuk e padit z. Rama Arben Ahmetajn për shpifje? Që ta shihnim të gjithë se kazuai Salianji është parim.
Ta luftosh korrupsionin me Etikë, patjetër që është ideale.
Por Etika në këtë rast sa vjen e ngjan si kërkesë për fitim kohe në gjykim të akteve kaq flagrante. P.sh vetëm kryeministrit nuk i duket alarmant dhe irritues fakti që jepen para nga buxheti për inceneratorin inekzistent të Tiranës. Dhe të gjithë duhet të presim që të hetohet. Por hetimi si nisi? Nga zhurma e Kazanit, apo jo?
Ilir Beqja thoshte se avionët e drogës ishin mushkonja. Si rezultoi?
Shpifja padyshim është akt i shëmtuar, sidomos kur vjen në familje. Por shpifja në politikën shqiptare është diçka që edhe kur provohet, nuk bind se sjell drejtësi. Thuhet se Erjon Veliaj e ka mbyllur çështjen e vet për inceneratorin e Tiranës dhe mund të mos merret i pandehur fare. Po çfarë drejtësie kumton ky akt?
Situata paradoksale që shohim sot me një politikan që dënohet për shpifje ndaj një tjetër politikani( është fjala për Shën Fatmir Xhafën) simulon një premisë për sulm ndaj drejtësisë që po e dënon veten me mosbesim.
Si vallë nuk ka një qartësi për hetimet ndaj aferave miliardashe? Po Olta Xhaçka që qëndron në Parlament? Po Ahmetaj? Po Veliaj? Lista është e gjatë dhe kështu ajo e ricilëson PD-në si opozitë duke ofruar të vetmen kauzë që i ka mbetur: drejtësia e re po burgos opozitën. Apo fraza tjetër: në burg shkon po të lëshoi Edi Rama!
Salianji shkoi në burg se aq diti. Por shpifja e tij cila ishte?
s.zaimi
Add new comment